31 janar 2009

Senderos, vetëkandidohet si titullar ndaj Lacios

Mbrojtësi zviceran, Filip Senderos, nëpërmjet mediave provon t’i dërgojë mesazhe trajnerit të Milanit, Karlo Ançeloti: “Jam shumë mirë fizikisht dhe shpresoj që edhe trajneri ta vërë re përmirësimin tim. Uroj që kundër Lacios të më jepet mundësia të tregoj edhe unë vlerat e mia si futbollist. Një mbrojtësi, për të fituar sigurinë në vetvete, i duhet të luajë të paktën dy apo tre ndeshje, në mënyrë që të gjejë edhe ritmin e duhur”. Me pak fjalë, mbrojtësi zviceran i kërkon fanellën e titullarit kreut të pankinës kuqezi për takimin e “Olimpikos” ndaj Lacios. “Do jetë një ndeshje shumë e vështirë për mbrojtjen, sepse Lacio është një skuadër me sulmues të rrezikshëm. Personalisht shpresoj të jem pjesë e kësaj sfide, me qëllim që t’u tregoj të gjithëve se sa vlej”, ka theksuar mbrojtësi kuqezi.