31 janar 2009

“Barça duhet të fitojë çdo kompeticion”

Në ditën e funeralit të Pablo Portës, ish-president i Federatës Spanjolle të Futbollit, ish-kreu i klubit të Barcelonës, Hoze Luis Nunez ka folur për skuadrën katalanase. “Ekipi i drejtuar nga Guardiola duhet t’i fitojë me lehtësi të treja kompeticionet, në të cilat merr pjesë gjatë këtij sezoni. Duke bërë një krahasim me Çelsin, Mançesterin, apo Milanin, vërehet mjaft qartë se Barcelona ka një skuadër shumë më superiore sesa të tjerat. Nga 22 lojtarët në dispozicion të teknikut, të gjithë mund të luajnë si titullarë”. Më tej, Nunez ka hedhur edhe një batutë mbi skuadrën katalanase në kohën e Van Galit. Megjithëse ai ekip ishte i mbushur plot me holandezë, atëherë filluan të hedhin hapat e parë në skuadrën e madhe edhe Ksavi, Iniesta, Pujol e Valdes. “E të thuash që në atë kohë flitej vetëm për faktin që mbanim shumë holandezë në skuadër...”, ka përfunduar ish-residenti.