30 janar 2009

Duro, akuza të rënda ndaj gjyqtarëve për korrupsion

Gjendja në të cilën Partizani ndodhet, nuk ka të bëjë vetëm me lojen e dobët të skuadrës, por është edhe një dënim që gjyqtarët i kanë dhënë skuadrës kryeqytetase. Të paktën ky është qëndrimi i trajnerit të Partizanit, Shpëtim Duro, i cili gjatë një interviste për Panorama Sport u shpreh se gjyqtarët kanë goditur vazhdimisht skuadrën e tij gjatë këtij sezoni. "Në shumë ndeshje kemi qenë superiorë në të gjitha drejtimet, por kemi pasur shumë elementë kundër. E them me sinqeritet se kemi pasur kundër gjyqtarët. Ndoshta duke menduar që Partizani vështë i varfër, arbitrat e kanë goditur jashtë mase. Shumë skuadra, që edhe pse në këtë periudhë kanë berë investime të mëdha, kanë buxhete enkas për gjyqtarët. Janë vetë presidentët, që në biseda nën zë e pranojnë se kanë marrë 3-4 ndeshje, duke blerë gjyqtarët. Kaq mjafton për t’u ngjitur e të pretendosh edhe për kampion. Të blesh katër ndeshje i thonë 12 pikë. S’kemi marrë kurrë një ndeshje me gjyqtarë. Po ju them edhe se në ndeshjen e fundit me Flamurtarin anësorët ishin blerë", vijoi ai.