31 janar 2009

“Për titullin na duhet Bekhami”

Për mesfushorin Xhen aro Gatuzo, ekipi i Milanit, nëse kërkon të arrijë objektivat sezonalë, duhet patjetër të mbajë Devid Bekhamin deri në përfundim të kampionatit. “Shpresojmë që Bekham të mos largohet. Ai është një futbollist fantastik dhe një profesionist i vërtetë. E kam ndjekur me kujdes dhe më ka bërë shumë përshtypje fakti që nuk i trembet përballjeve me kundërshtarët, e për më tepër arrin tësakrifikohet në të mirë të skuadrës. Besoj se këto virtyte e bëjnë atë një futbollist të madh”. Bekham, i cili erdhi mes mëdyshjeve tek Milani, po rezulton një blerje perfekte. “Ai po i jep një dorë të mirë Milanit. Ne kemi nevojë për të, nëse duam të arrijmë objektivat që i kemi vënë vetes. Uroj sinqerisht që të qëndrojë”. Sa për gjendjen e tij fizike, Gatuzo bën të ditur se do mund të vrapojë vetëm pas 60 ditësh: “Doktor Martens ka thënë që jam mirë.Tani do fillojmë të dyfishojmë punën përgatitore dhe jam shumë i kënaqur për këtë”. Me sa duket, Xhenaro Gatuzo do jetë në gjendje të luajë me Milanin në finalen e Kupës UEFA, gjithmonë nëse skuadra e tij do të fitojë të drejtën për të luajtur në të. Duket se ëndrra sezonale e mesfushorit italian është finalja evropiane. “Para së gjithash, shpresoj që të jem mirë. Sepse nëse jam mirë, mund të filloj stërvitjen normalisht, në mënyrë që të jem gati brenda dy muajve”. Ndërkaq mbi kampionatin italian, që e sheh Milanin 8 pikë larg Interit, mesfushori kuqezi shton: “Kemi humbur mundësinë më të mirë për të arritur Juventusin në tabelën e klasifikimit. Për fat të keq Xhenoa arriti të na barazonte. Jam i mendimit se duhej ta kishim mbyllur më parë takimin. Sinqerisht, unë besoj se ne gabojmë pikërisht këtu. Sivjet, – thekson ai, – ka ndodhur shumë herë që t’i kishim tri pikët në dorë, e t’i humbitnin ato. Mjafton të kujtojmë sfidat me Leçen, Torinon apo Xhenoan. Nëse nuk do kishim gabuar, tani do kishim 6 pikë më shumë në tabelën e klasifikimit. Gjithsesi, kampionati është akoma i gjatë e duke parë gjendjen e skuadrës, jam i sigurt se Milani i ka të gjitha mundësitë për ta fituar atë”, ka përfunduar mesfushori Gatuzo.