29 janar 2009

Xhenoa del me kokën lart nga “San Siro”

Skuadra e Xhenoas ka arritur t’i marrë një barazim mjaft të vlefshëm Milanit në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të te Serise A. Milani i drejtuar nga Ançeloti nuk arriti të përfitonte dot nga humbja e Juventusit mbrëmë 1-2 me Udinezen për t’u ngjitur në të njëjtën kuotë pikësh me ta. Pjesa e parë e takimit është dominuar nga skuadra e Milanit, e cila krijoi disa raste të pastra për shënim. Golin e vetëm të saj skuadra e Milanit do ta shënonte në këtë pjesë me anë të aglezit David Bekam në minutën e 33-të. Me golin e tij do të mbyllej edhe pjesa e parë. Në të dytën skuadra e Xhenoas futet në fushë me një tjetër frymë, dhe e vë Milanin në trysni derisa arrin të shënojë golin e barazimit. Për Xenoan shënoi i përhershmi Diego Milito në minutën e 87-të të takimit. Koha e mbetur nuk i mjaftoi skuadrës së Ançelotit për të shënuar një gol tjetër që do t’i jepte fitoren.Me këtë barazim Xhenoa mban vendin e katërt me një pikë më shumë se Roma. Ndërsa Milani ngushton diferencën me Juventusin në 2 pikë, dhe e thellon me Interin në 8 pikë.