30 janar 2009

Morati: Ndaj Katanias treguam karakter fitues

Fjalë të mira për skuadrën dhe kritika për Balotelin. Kështu i ka shprehur mirënjohjen e tij presidenti i Interit, Masimo Morati, skuadrës zikaltër pas triumfit të merituar në transfertën e Katanias. Por nga ana tjetër, presidenti i Interit i mbyll dyert çdo hipoteze mbi largimin e “SuperMarios”, i cili gjatë kësaj jave e ka shqetësuar shumë numrin një zikaltër me deklaratat e tij për t’u larguar nga Interi: “Nuk kemi asgjë të re mbi çështjen ‘Baloteli’ dhe për momentin nuk kam folur me Murinjon për këtë temë. Mario është një futbollist, i cili dëshironte të largohej për të luajtur diku gjetkë, sepse aktualisht nuk po gjen hapësirën e menduar prej tij. Por gjithsesi, ju siguroj se Baloteli nuk do largohet nga Interi, as në formë huazimi dhe as në një tjetër formë, që përflitet maksimalisht në media gjatë këtyre ditëve të fundit. Ne si klub e shohim Balotelin një lojtar fondamental për të ardhmen e Interit. Si rrjedhojë po e përsëris edhe një herë që, nuk ekziston asnjë mundësi që ai të largohet nga Milano. Jam i sigurt se shumë shpejt ndërmjet tij dhe Zhoze Murinjos, i cili është një person me zemër të madhe, do të rikthehet mirëkuptimi”. Rreziku aktual për Balotelin është që Murinjo mund ta penalizojë lojtarin për sjelljen e tij aspak sportive, duke atë nga lista e Ligës së Kampionëve dhe duke grumbulluar në vend të tij argjentinasin Hernan Krespo. Por Masimo Morati e zgjidh edhe një çështje të tillë: “Nuk e besoj se Murinjo do të ‘hakmerret’ në këtë mënyrë ndaj lojtarit. Baloteli është një “armë vdekjeprurëse” e jona dhe sigurisht që nuk do të mungojë në Ligën e Kampioneve”, vazhdon padroni zikaltër. Në përfundim, numri një i Interit ka komentuar pozitivisht javën e 21-të kampionatit italian, e cila e shikon skuadrën e tij të arratiset 6 pikë larg Juventusit dhe 8 pikë ndaj Milanit: “Ndaj Katanias, skuadra ka luajtur shkëlqyeshëm, ndonëse ishim me dhjetë lojtarë, por për mendimin tim, kampionati është akoma i gjatë, e kjo distancë ndaj skuadrave ndjekëse nuk duhet të na ulë në gjumë, sidomos tani që fillon edhe Liga e Kampioneve”.