30 janar 2009

Bekham: Milani, si Mançester Junajted

Mesfushori anglez është përshtatur shumë mirë tek kuqezinjtë dhe mund ta zgjasë qëndrimin e tij
I cilësuar në fillim si një operacion marketingu nga Milani, ikona e futbollit anglez, Devid Bekham, tani është kthyer në një lojtar të pazëvendësueshëm në formacionin e Ançelotit. Mesfushori është përshtatur shumë shpejt me realitetin e kuqezinjve, duke i befasuar të gjithë.
“Edhe unë nuk e prisja që të integrohesha kaq shpejt. Disa herë duhen javë, madje muaj, për të kuptuar se si stërvitet dhe luan një ekip. Duhet të them se të gjithë janë përpjekur që unë të përshtatesha sa më shpejt, jam pritur me të vërtet mirë”, ka thënë anglezi. Më pas Bekhami ka zbuluar sekretin që e bën të veçantë klubin e Milanit.
“Nga ajo që shikoj unë është shumë i ngjashëm me Mançester Junajted. Ka atë traditë që vetëm klubet e mëdha e zotërojnë. Tek Milani, ashtu si tek Junajted, ndihet kudo një atmosferë e veçantë. Që nga fusha e stërvitjes, deri tek stadiumi. Më pas Milani ka edhe sallën e trofeve që ka fituar…
Kjo të bën të ndihesh i veçantë”. Por tani lojtari i kombëtares angleze, duhet të vendosë nëse do të kthehet në Los Anxhelos apo do të vazhdojë aventurën e tij në Itali. “Të luash këtu është ëndrra e çdo lojtari.
Por nuk është e lehtë të marrësh një vendim të tillë. Eshtë një çështje që ka nevojë për kohë. Unë kam një kontratë dhe kam shumë respekt për ekipin e Galaksi. Por mundësia për të luajtur tek Milani është diçka e veçantë… E dija që do të kënaqesha, por jo kaq shumë”.
Dhe ky aspekt mund të ndikojë në vendimin e Bekhamit. “Duhet të pranoj se, pasi kam luajtur në Europë, në disa raste ka qenë shumë zhgënjyese pjesëmarrja në ndeshje të caktuara të kampionatit amerikan.
Gjithsesi, duke lëvizur nga një stadium tek tjetri, ka pasur momente kur jam argëtuar”. Të dielën e kaluar ka ardhur dhe goli i parë me fanellën kuqezi. “Në fillim i kam telefonuar gruas sime. Më pas shokëve. E kam riparë atë gol shumë herë. Më është dukur vetja 15 vjet më i ri. Jam habitur që jam ndier aq shumë i lumtur”, ka rrëfyer Bekham.
PREKJA E SEDORFIT - Mendohej se do të frekuentonte lokalet më në zë të Milanos, më shpesh se Vieri dhe Adriano. Besohej se do të shpenzonte mijëra euro në dyqanet e modës, mendohej se do ta kalonte aventurën e tij në Milano si një periudhë pushimi.
Përkundrazi, Bekhami i ka habitur të gjithë dhe ka vërtetuar se është një profesionist siç kishte thënë Kapelo, aq sa po të vinte transferimi definitiv tek kuqezinjtë askush nuk do ta kundërshtonte.
Askush përveç asaj, Viktorias, që nuk do të donte të jetonte kurrë në Itali, mbi të gjitha për fëmijët e saj: nuk do që të rriten në një vend ku gjuha zyrtare nuk është anglishtja. E vërteta është se lojtari i LA Galaksi është ambientuar për mrekulli me realitetin milanez dhe ka pranuar: “Të gjithë janë munduar ta lehtësojnë integrimin tim në skuadër, më kanë pritur shumë mirë”.
Sigurisht ai ka bërë pjesën e tij për t’i pëlqyer shokëve të ekipit dhe Gatuzo, me mënyrat e tij të veçanta, është miqësuar menjëherë me të i favoriuzuar edhe nga njohja e gjuhës angleze. “Eshtë një nga ata që më bëjnë më shumë për të qeshur.
Çdo ditë ngacmon Paton, flet gjithmonë”. Por, natyrisht vendi i nderit i takon kapitenit. “Për mua Paolo është një njeri i jashtëzakonshëm. Më ka ndihmuar brenda dhe jashtë fushës”. Por edhe Sedorfi e ka… ndihmuar: pas golit të shënuar kundër Bolonjës holandezi ka vendosur dorën e tij në të pasmet e Bekhamit.
“Për këtë kemi qeshur pas ndeshjes. Në dhomat e zhveshjes nuk ka shumë seriozitet. Sinqerisht nuk e kisha kuptuar se ai më kishte prekur, por do të isha i lumtur që Klarensi ta ribënte këtë pas një goli tjetër të shënuar nga unë. Madje, e autorizoj ta bëjë këtë”, ka thënë mesfushori i Milanit.
GATUZO DHE PISHINA - Bekham dhe Gatuzo, kaq larg dhe kaq afër. Në imagjinatën kolektive, anglezi dhe kalabrezi përfaqësojnë dy futbollistë të kundërt. Perfekt i pari, sex-simbol, i ashpër dhe agresiv i dyti.
Megjithatë pas dëmtimit të Ringios, ka qenë pikërisht Bekhami që ka zënë vendin e tij dhe i ka dhënë ekuilibër Milanit. Dhe anglezi lavdëruon dhe aftësitë “komunikuese” të shokut të tij: “Eshtë një lojtar me personalitet, po punon shumë për të rekuperuar sa më shpejt.
Eshtë gjithmonë i pranishëm në Milanelo dhe nuk humb rast për të bërë shaka, gjithmonë me Paton, - ka treguar anglezi -, dhe një si ai është thelbësor për skuadrën”. Dhe të thuash se këta të dy janë përplasur më parë në një përballje të largët Itali-Angli ku Gatuzo doli fitimtar:
“Më ka thënë të mos hidhesha në zonën e rreptësisë, pasi nuk ishim në pishinë, e kemi kujtuar bashkë këtë moment… Rino është një lojtar që kur e ke kundërshtar nuk të pëlqen shumë. Eshtë i bezdisshëm.
Të qëndron mbrapa, nuk të shqitet në asnjë moment. Gjithsesi atë ndeshje do ta mbaj mend përgjithmonë, dhe jo vetëm për përballjen me Gatuzon, por sepse ka qenë dhe ndeshja ime e parë si kapiten i Anglisë”.
PIRLO - Devid Bekham ka shprehur fjalë pozitive për shokë të ndryshëm të ekipit, jo vetëm për Gatuzon. Për shembull ka rrëfyer për respektin e madh që ka për Paolo Maldinin dhe dashurinë, në aspektin e futbollit, kundrejt Andrea Pirlos…
Por duhet të tregohet i kujdesshëm Andrea: nga marsi, konkurrenca për të ekzekutuar goditjet e dënimit mund të bëhet shumë e ashpër. Sipas të përditshmes angleze “Sun”, Milani duket se i ka bërë një ofertë zyrtare ekipit të Los Anxhelos Galaksi për të mbajtur lojtarin: mësohet se janë ofruar 5 milion euro. Por a do të mjaftojnë kaq?