30 janar 2009

Kundër Kaljarit, me Trezege-Del Piero

Klaudio Ranieri ka qenë shumë i pakënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij në transfertën e Udines dhe sigurisht që reparti që e ka zhgënjyer më shumë atë, ka qenë sulmi. Dyshja sulmuese e formuar nga Xhovinko-Amauri ka dështuar plotësisht dhe për këtë arsye, trajneri i bardhezinjve duket se në sfidën e ardhshme do t’ia besojë sulmin kapitenit të tij, Aleks Del Piero dhe të rikuperuarit David Trezege. Dyshja më e mirë sulmuese e sezonit të kaluar me 41 gola së bashku tashmë mund të rikthehet të drejtojë Juventusin dhe të frikësojë mbrojtjet e kundërshtarëve. Del Piero dje është stërvitur normalisht së bashku me bomberin francez dhe me shumë mundësi, të shtunën në mbrëmje, në stadiumin “Olimpiko” të Torinos, tifozeria juventine mund të përqafojë dyshen e saj të artë.