30 janar 2009

Presidenti Lejeke: Devid do të rikthehet te Galaksi

Pas perlës së tij të dytë kuqezi, të shënuar nga një goditje dënimi, dy net më parë në “San Siro”, kundër Xhenoas, tifozeria kuqezi i kërkon me ngulm presidencës milaniste të mbajë në skuadër Devid Bekhamin. Por Tim Lejeke, padroni i kompanisë “AEG” e njëkohësisht i klubit të Los Anxheles Galaksi, siguron se mesfushori anglez do të rikthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 9 mars. “Bekham ka nënshkruar një kontratë me ne dhe jam shumë i bindur se ai do të kthehet sërish tek Galaksi. Përpara se të nisej drejt Milanos, kemi zhvilluar një bisedë midis nesh, apo më saktë kemi bërë një marrëveshje, dhe duke njohur profesionalizmin e tij, të jini të gjithë të bindur se më 9 mars, Devid Bekham do të rikthehet të veshë fanellën e Los Anxheles Galaksi. Ai kërkon nga ne vetëm një skuadër më kompetitive dhe ne do të bëjmë të pamundurën për t’ia plotësuar kërkesën”.