31 janar 2009

“Pa Serinë B do të isha larguar nga Torino”

Vendimi i Xhanluixhi Bufonit për të qëndruar tek Juventusi pas rënies në Serinë B në vitin 2006, la hapësirë për shumë polemika. Tashmë ai ka vendosur të sqarojë arsyet që e çuan në marrjen e këtij vendimi: “Nëse Juventusi nuk do të kishte rënë në Serinë B, do të isha larguar për njëfarë kohe për shkak të disa situatave që ishin krijuar dhe që mua nuk më pëlqenin aspak. Qëndrimi më bëri shumë mirë, nuk bëhem aspak pishman dhe jam i sigurt që vetëvlerësimi im si njeri është rritur shumë. Tashmë nuk ka asnjë arsye të vlefshme që unë të largohem nga skuadra, por nëse do të kishte oferta, mund të ndryshojë diçka edhe nga ana e Juventusit”. Portieri më i mirë i botës ka bërë një koment edhe për të ardhmen e tij në Torino: “Unë jam ende i ri, por Juventusi duhet të mendojë edhe pak për të ardhmen. E kam thënë dhe po e përsëris, në këto momente nuk ka përse të shqetësohem, nuk ka asnjë ofertë dhe nuk ka asnjë arsye që të largohem. Gjithsesi, unë ndihem shumë mirë këtu, – ka deklaruar Xhixhi Bufon. – Nuk kam dashur të largohem që këtu edhe kur Juventusi po kalonte një moment të vështirë, sepse nuk më dukej e drejtë atëherë dhe të njëjtën gjë mendoj edhe tani. Ndonëse besoj se ka ardhur koha që të vendoset diçka në lidhje me të ardhmen time në Torino, sepse nuk mund të vazhdoj pa ditur asgjë”, ka përfunduar portieri më i mirë i botës, Xhanluixhi Bufon.