31 janar 2009

“Ndaj Kotbusit rifillon gjithçka”

Trajneri i skuadrës së Hofenhaimit, Ralf Rangnik, ka deklaruar se përballja me Kotbusin, e cila është edhe e para për fazën e dytë, sinjalizon fillimin e një periudhe tjetër, që kërkon më tepër përkushtim dhe punë se faza e parë. “Kemi arritur të paraqitemi shkëlqyeshëm në fazën e parë, duke i tejkaluar të gjitha parashikimet. Mirëpo më e vështira, që është ruajta e atyre rezultateve, fillon pikërisht tani. Kemi disa ndryshime në formacion dhe nuk kemi më një sulmues si Ibiseviç. Gjithsesi, unë kam besim te vullneti i lojtarëve të mi. Ndaj Ktobusit rifillon gjithçka dhe ne duhet të kemi besim se do t’ia dalim mbanë”, – u shpreh tekniku i kryesuesve të kampionatit gjerman. Kreu i pankinës së Hofenhaimit, edhe pse është i vetëdijshëm se ruajtja e kreut është shumë e vështirë dhe aq më tepër përsëritja e fazës së parë, mendon se mund të ruajnë një nga tre vendet e para të renditjes, gjë që u jep të drejtën për të luajtur në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.