30 janar 2009

Abiati - “Jam shumë i zhgënjyer nga loja e skuadrës”

“Jam plotësisht i zhgënjyer dhe i mërzitur për shkak të lojës së shëmtuar që skuadra jonë zhvilloi gjatë pjesës së dytë me Xhenoan. Kaluam në avantazh në momentin e duhur, e pikërisht në kulmin e takimit, Xhenoa arriti të barazonte shifrat. Sigurisht, që më vjen shumë keq për një barazim të tillë”, deklaron shumë i mërzitur portieri kuqezi, Kristian Abiati. Me këtë barazim me Xhenoan, Milani ka hedhur poshtë dy pikë të sigurta dhe padyshim që diçka e tillë mund ta tensionojë skuadrën për transfertën e vështirë të së dielës, në “Olimpiko”, kundër Lacios. “Nuk do të jetë një ndeshje aspak e lehtë, pasi Lacio gjendet në një moment negativ dhe do të kërkojë të reagojë ndaj humbjeve radhazi. Për këtë arsye, ne duhet ta përgatitim në maksimum këtë takim, për të mos humbur më asnjë pikë nga Interi”, tha portieri kuqezi, Abiati.