30 janar 2009

“Për Bekhamin kuqezi vendos vetëm Galaksi”

Dy gola në dy ndeshjet e fundit të zhvilluara me Milanin. Mund të thuhet pa frikë se tifozët kuqezinj janë dashuruar pas Devid Bekhamit dhe që Adriano Galiani, në një farë mënyre, e ka fituar bastin e tij me skeptikët, për domosdoshmërinë e anglezit në formacionin milanist. “Është e çuditshme sesi njerëzit ndryshojnë opinion kaq shpejt, - deklaron administratori i deleguar i Milanit. – Unë personalisht jam shumë i kënaqur nga Bekham, sepse arritëm të provonim që: kur vendosëm të afronim mesfushorin anglez në skuadrën tonë, ne dëshironim cilësitë sportive të futbollistit dhe jo imazhin apo publicitetin që ai mund t’i ofronte Milanit. Devid është një profesionist i vërtetë dhe një lojtar i jashtëzakonshëm”. Të gjithë tani kërkojnë që “Spice-Boy” të mbetet kuqezi, pavarësisht datës së përfundimit të huazimit, që është 8 marsi. “Kjo është e pamundur. Por, ai mund të qëndrojë vetëm në rast se me një gjë të tillë janë dakord edhe drejtuesit e lartë të skuadrës së Los Anxheles Galaksi, sepse, përveç kartonit, klubi amerikan reklamon edhe imazhin e tij”. Ronaldinjo – Tjetër problem momental i Milanit është edhe forma e dobët e brazilianit Ronaldinjo, i cili pas mbërritjes së Bekhamit është pozicionuar në pankinë nga Karlo Ançeloti. Duket se problemi i tij është gjendja e dobët fizike, ndërkohë që pyetjes mbi të, Galiani i përgjigjet shkurt: “Për Ronaldinjon pyesni përgatitësin fizik të Milanit dhe jo mua”. Kampionati – “Padyshim që java e 21-të i ka buzëqeshur vetëm Interit, sepse ne dhe Juventusi u ndalëm. Sigurisht që barazimi ynë s’më ka pëlqyer, por shpresojmë që gjatë javëve në vazhdim të mund të rikuperojmë pikët e humbura, pse jo dhe të përmbysim situatën aktuale”, përfundon Galiani.