29 janar 2009

“Me Perez do rikthehet Reali i ‘galaktikave’”

Në fund të këtij se zoni pritet të bëhen edhe zgjedhjet presidenciale në klubin e Realit të Madridit. Në fakt, ish- drejtori i komunikimit te madrilenët në kohën e drejtimit të Florentino Perez, ka komentuar taktikën e këtij të fundit. “Perez po ndjek me vëmendje situatën aktuale të Realit dhe në fakt është paksa i shqetësuar. Gjërat nuk shkojnë shkëlqyeshëm, gjithsesi ai mbetet optimist. Kam biseduar me të dhe mund t’ju them se taktika e tij për të rifituar prestigjin e klubit është joshëse. Në të kaluarën ai ka treguar qartë se mund të bëjë transferime të bujshme dhe do ta bëjë sërish një gjë të tillë. Do të rikthejë një klub të mbushur me yje të futbollit, por që së bashku arrijnë të fitojnë trofe të rëndësishëm. Do rikthehet Reali i ‘galaktikave’ dhe Perez po mendon për çdo detaj, në mënyrë që asgjë të mos shkojë gabim”, ka thënë Antonio Garsia Ferreras. Dy prej lojtarëve që kryesojnë listën e dëshirave të Realit dhe Perezit janë pikërisht braziliani i Milanit, Kaka dhe portugezi i Mançester Junaitid, Kristiano Ronaldo. Dy yje të futbollit dhe dy nga lojtarët më të mirë të momentit, të cilët mund të braktisin klubet aktuale nëse vjen një ofertë e majme. Në fakt, Perez ka besim se imazhi i tyre do të mbulojë çdo lloj pagese dhe është optimist për blerjen e disa futbollistëve prestigjiozë.