29 janar 2009

Klaudio Ranieri: Udineze e meritoi plotësisht fitoren

Më në fund Udineze pas 11 javësh kampionat pa fitore, habit të gjithë tifozët e futbollit duke mundur në “Friuli”, pikërisht “Zonjën e Vjetër”. Ndërkaq, në përfundim të takimit, trajneri i Juventusit, Klaudio Ranieri, shprehet: “Udineze ka bërë një ndeshje perfekte – ka deklaruar Ranieri – duke e merituar fitoren”. Me pak fjalë, tekniku bardhezi e pranon superioritetin e kundërshtarit që kishte përballë: “E dinim që do ishte e vështirë. Udineze menjëherë sapo kaloi në avantazh, ka kryer një ndeshje perfekte si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Ndërsa ne nuk arrinim ta luanim lojën më shpejt, ishim shumë të ngadaltë, e rrallëherë arritëm të shfrytëzonim fashat. Nga ana tjetër, nuk mund t’u kërkoj këtyre djemve të japin maksimumin në çdo ndeshje. Në përfundim të javës së 21-të të kampionatit italian, Juventusi e shikon veten gjashtë pikë larg Interit, por me sa duket, Klaudio Ranieri beson akoma te titulli: “Do të jetë e vështirë, por do përpiqemi përsëri t’i afrohemi Interit. Aq më tepër tani që do të rikuperojmë disa lojtarë, të cilët do na japin atë që na ka munguar deri tani”, ka përfunduar tekniku bardhezi.