28 janar 2009

Arsenali merr yllin rus, Andrei Arshavin

Punë e mbaruar. Andrei Arshavin është i Arsenalit. Zenit San Petrburgo ka komunikuar, se e ka gjetur marrëveshjen me Arsenalin për shitjen e lojtarit. Klubi anglez, i drejtuar nga Venger, më në fund ka gjetur një akord me skuadrën ruse për blerjen e 27-vjeçarit të kombëtares ruse. Mungon vetëm marrëveshja për anën ekonomike mes fantazistit dhe "Topçinjve". Por tashmë duket se është vetëm çështje detajesh. Mësohet se tratativa është mbyllur të martën në mbrëmje, pas takimeve të shumta në të kaluarën mes dy klubeve. "Të dy klubet kanë arritur një marrëveshje për sa i përket vlerës së lojtarit në merkato, lexohej në faqen zyrtare të Zenitit. Për momentin, pengesa e vetme e transferimit është kontrata e Arshavin, që nuk dëshiron të ulë përfitimet e tij ekonomike". Flitet se Arshavin kishte kërkuar rreth 5,5 milionë euro në sezon. Tamam dyfishin e atyre që lojtari përfitonte te Zenit. Por kjo shifër nuk është konfirmuar nga agjenti i lojtarit, Denis Lachter. Verën e shkuar, Arshavin kërkohej edhe nga Totenhem, por Zeniti pranoi vetëm tani ta shesë yllin e tij.