28 janar 2009

Milani e dëshiron Bekhamin, por Galaksi nuk është dakord

Dukej si një operacion i thjeshtë marketingu. Por është e dukshme që nuk do të jetë kështu. Milani dëshiron ta mbajë Bekhamin. Devid ka deklaruar, që Milani është shndërruar në shtëpinë e tij. Por Los Anxhelos Galaksi nuk është dakord: e duan t‘ua kthejnë yllin e tyre anglez. "Spice Boy" bën gjithmonë të flitet për të, por këtë herë rrezikon të kthehet në një rast "diplomatik", tani që klubi i rrugës "Turati" nuk e ka më mister dëshirën për ta mbajtur deri në "qershor. Pas golit të parë italian të Devid, Milan ka dalë hapur, duke deklaruar se, ka ndërmend të nisë tratativat për të mbajtur lojtarin në Milano. Për këtë çështje ka reaguar edhe trajneri i Galaksit, Brus Arena: "Galaski ka fiksuar kushte dhe ka pranuar formulën e huazimit deri në mars. Bëmë maksimumin. Por nuk mund të jemi përgjegjës për iniciativat e të tjerë trajnerëve, presidentëve, lojtarëve apo avokatëve. Ne e dimi se i kemi bërë punët në mënyrën më të mirë të mundshme. Mbetemi të lidhur me një marrëveshje në formë huazimi deri në mars. Fabio Kapelo, komisari teknik i kombëtares angleze, do të preferonte që Bekham të qëndronte në Itali. "Është e qartë se nëse do të qëndrojë në Serinë A, do të ishte më mirë për vetë Devidin", ka njoftuar dje Franko Baldini, menaxheri i përgjithshëm i kombëtares angleze. Çështja është komplikuar, jo vetëm nga pikëpamja "kontraktuale", por situata rrezikon të tronditë edhe ekuilibrat në shtëpinë e Bekhamit. Gruaja Viktoria ka nënvizuar gjithmonë me këmbëngulje se nuk do të dëshironte të largohej nga Los Anxhelos.