28 janar 2009

Roma zë vendin e pestë

Me fitoren e të mërkurës mbrëma kundër skuadrës së Palermos, Roma është ngjitur në vendin e pestë me një pikë më pak se Genoa që mban vendin e katërt.
Në ndeshjen e zhvilluar në Olimpico, Giallorossët shënuan fitore kundër sicilianëve me rezultat 2-1. Simboli romak Francesco Totti, i rikthyer nga lëndimi, nuk kishte si të mos shënonte në këtë takim, pasi të gjithë tifozët e Romës kanë pritur golin e tij. Numri dhjetë i verdhekuqve hapi ndeshjen në minutën e 23-të. Mysafirët nga Palermo barazuan rezultatin në minutën e 31-të me anë të Edinson Cavanit. Mirëpo në minutat shtesë të pjesës së parë (45’+2), Matteo Brighi krijoi sërish epërsinë për skuadrën vendase, dhe me këtë rezultat përfundoi ndeshja.