Arsene Venger i ka kërkuar skuadrës së tij të tregohet e zgjuar dhe të përdorë të gjithë përvojën që ka në Ligën e Kampionëve për të marrë rezultatin e duhur javën që vjen në Porto. “Topçinjtë”, që kanë të dëmtuar Andrei Arshavinin dhe Aleks Songun, i kanë ringjallur shpresat për titull, pas fitores kundër Liverpulit në një natë kur Çelsi dhe Mançester Junajtid lanë pikë.Vengeri e di se ndeshjet me sistem vajtje-ardhje janë krejt ndryshe nga kampionati dhe nuk ka vend për performanca të dobëta. Arsenali ishte finalist në vitin 2006, kurse vjet ishte në gjysmëfinale, por u eliminua nga Junajtid. Venger e ndien se lojtarët e tij mund të arrijnë rezultatin e dëshiruar në “Estadio do Dragao”. Ai ka thënë: “Minimumi i kërkuar është të mos humbasim ndeshjen, që të mos jemi thuajse të eliminuar. Edhe barazimi pa gola është i pranueshëm, por ne jemi skuadër që nuk fshihemi, ne duam të luajmë. Megjithatë, do të bëjmë çmos që të mbrohemi si duhet.”
Venger ka folur për Arsenal TV Online duke thënë: “Në 1/16-at e Ligës së Kampionëve duhet të luash shumë mirë në 180 minuta, dhe nëse nuk e bën, eliminohesh. Janë dy ndeshje, kështu që le të jemi më të zgjuar dhe të shfrytëzojmë përvojën tonë në Champions, për të përfituar nga fakti që ndeshjen e kthimit e kemi në fushën tonë.” Arsenali ka përvojë të pasur kundër skuadrave portugeze, por ende nuk ka fituar një ndeshje në “Estadio do Dragao”: u mund 2 0 sezonin që shkoi, kur ishte e kualifikuar, por ajo humbje i kushtoi vendin e parë në grup. Në dhjetor të vitit 2006, këto skuadra barazuan pa gola dhe shkuan në fazën e dytë të kompeticionit. Venger e pranon se skuadra me të cilën Hose Mourinjo fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2004, është e fortë. Ai ka thënë: “Nga jashtë ne mund të shihemi si favoritë, por në fushë kjo gjë nuk ka peshë. Porto ka vite që luan rregullisht në Ligën e Kampionëve dhe e dimë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.” Ndërkohë, Arshavin mendon se mund të mos luajë në Porto, për shkak të dëmtimit të pësuar në mesjavë, në ndeshjen kundër Liverpulit.
Skanimi i bërë të enjten tregoi se rusi nuk mund të udhëtojë drejt Portos. Por ai do të kthehet në fushë për ndeshjen e radhës kundër Sandërlendit në Premier Ligë. “Nëse gjithçka shkon mirë, do të jem në fushë për ndeshjen e radhës kundër Sandërlendit”, ka thënë Arshavin.