25 shkurt 2010

Futbolli Shqiptar ne GrandeJuve

Josa: Nuk fitohet vetëm se e njoh Teutën

Trajneri i korçarëve, Mirel Josa, deklaron se kundërshtari është një ekip që duhet vlerësuar
Sot në stadiumin “Skënderbeu”, ora 14:00
Formacioni i mundshëm:
Skënderbeu: Llapanji, Lako, Leskaroski, Grizha, Markoviç, Asllani (Doku), Roshi, Lika, Çajku, Malindi, Guerrib. Trajner: M.Josa.
“Edhe pse kam qenë trajner i Teutës, kjo nuk do të thotë që e njoh mirë këtë skuadër dhe do ta fitojmë 100% këtë ndeshje. U kam thënë të gjithë lojtarëve të mi që durrsakët duhen vlerësuar në maksimum dhe Teuta është një ekip shumë i mirë dhe që të hap punë. Pavarësisht se miqtë kanë mungesa, kjo nuk do të thotë që ne do të fitojmë lehtë. Kujdes dhe vetëm kujdes ndaj Teutës!”
Me këto fjalë e ka nisur prononcimin e tij të djeshëm trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, i cili ka kërkuar që të tijtë t’i ruhen euforisë edhe për atë se Skënderbeu nuk ka më kohë të gabojë në fushën e tij. Në fakt, me të drejtë Josa kërkon kujdes nga lojtarët, sepse të gjithë në kampin kuqebardhë e kanë quajtur të fituar pa u luajtur ky takim dhe ndoshta euforia mund të sjellë edhe ndonjë të papritur. Ditën e djeshme, skuadra korçare ka zhvilluar edhe stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes së sotme, stërvitje e cila, për shkak të shiut që ka rënë dje në qytetin juglindor, e ka mbyllur ekipin e Josës në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”.
Edhe kryeqytetasi Doku, që disa ditë më parë pësoi një dëmtim në kavilje, është rikuperuar plotësisht dhe sot është gati për lojë. Duke vijuar më tej në fjalët e tij, për ndeshjen e sotme, që do të jetë një provë e vështirë për Skënderbeun, pavarësisht se luan në fushën e tij, Mirel Josa do të deklaronte: “Të mos harrojmë se skuadra ka shumë, plot 18 javë pa fituar, çka do të thotë që duhet të kemi shumë kujdes, sidomos në këto dy ndeshje të prapambetura.
Na duhen gjashtë pikë në këto dy ndeshje, me Teutën nesër (sot) dhe të dielën ndaj Shkumbinit, por këto pikë fitohen në fushë dhe jo me fjalë. Do të bëjmë një lojë sulmuese dhe shpresoj që t’ia dalim. I kam porositur futbollistët e mi që të luajnë të përqendruar për 90 minuta dhe po ashtu ftoj edhe të gjithë sportdashësit që të mos mungojnë në stadium, sepse kemi shumë nevojë për ta në këtë moment. Shpresoj që, ndryshe nga herët e tjera, kjo ndeshje e së enjtes të luhet dhe ne i kemi marrë masat që të japim më të mirën në këtë sfidë ndaj Teutës.”

Shi në Korçë, por fusha do të jetë gati

Dy ditët e fundit, në qytetin juglindor kanë rënë reshje të mëdha shiu, por drejtuesit e klubit janë të bindur që ndeshja e sotme ndaj Teutës do të luhet. Janë marrë të gjitha masat që fusha të jetë në gjendje sa më optimale për ndeshjen e sotme dhe vetëm nëse sot do të bjerë dëborë, atëherë do të vihet në pikëpyetje edhe kjo ndeshje. Dita e sotme dhe e diela janë datat e fundit që ka përcaktuar federata për këto dy ndeshje të prapambetura.

Xhafaj prish festën e kualifikimit bardheblu

Bardheblutë dje kanë qenë shumë pranë kualifikimit për kupë dhe vetëm fati u ka munguar
Tirana - Besa 4-2
Shënues: Ahmataj 47′, 68′, Plaku 49′, Lila 51′ (11-m), Mancaku 72′(11-m), Xhafaj 80′
Tirana: Nallbani, Sina (Bici 81′), Lila, Pashaj, Abraham, Sefa, Devolli, Ahmataj, Plaku (Hajdari 81′), Abilaliaj, Muzaka. Trajner: L.Sengla
Besa: Shehi, Poçi, E.Vrapi, Hasalla (L.Vrapi 30′, Dhëmbi 70′), Fagu, Mihani, Mancaku, Cikalleshi (Shtini 93′), Shkëmbi, Sinani, D.Xhafaj. Trajner: Sh.Duro
Kartonë të verdhë: Devolli, Ahmataj, Muzaka\ Fagu
Karton i kuq: Fagu
Gjyqtarë: L.Jemini (Tiranë), G.Koka, R.Çokaj (Lezhë)
“Radiografia”
4′- Plaku gjuan me kokë, por jashtë kuadratit të Nallbanit.
19′- Ahmataj tregohet më i shkathët se Shehi, ia rrëmben topin, gjuan e largon rrezikun Hasalla. Topi shkon tek Abilaliaj, që çuditërisht e dërgon jashtë kuadratit të Besës.
27′- Kombinin Muzaka-Sina, ky i fundit nga fundorja kroson për Plakun, që gjuan bukur me kokë, por Shehi dhe shtylla nuk s’e lejojnë golin.
40′- Kroson Muzaka, një mbrojtësi i Besës në vend që ta largojë topin del huq, përfiton Ahmataj që gjuan, por edhe kësaj radhe shtylla e shpëton Besën nga goli.
47′- Muzaka kroson për Abilaliajn, që gjendet në kundërkohë dhe topi shkon tek Ahmataj. Kësaj radhe ky i fundit nuk gabon. 1-0.
49′- Kroson Ahmataj për Plakun, që gjen në gjumë mbrojtjen e Besës dhe portierin Shehi, duke i çuar shifrat në 2-0.
51′- Abilaliaj pason për Plakun, ky i fundit pengohet në zonë nga Vrapi dhe Jemini bën me shenjë për te pika e penalltisë.
52′- Gjuan Lila, trefishon shifrat dhe ngre në delir stafin bardheblu.
68′- Sërish bardheblutë. Plaku shërben për Ahmatajn, që nuk fal, duke shënuar golin e 4-t dhe të dytin personal.
71′- Xhafaj, problematik për bardheblutë, gjuan, por traversa dhe më pas lluca e ndalon topin. Aty i ndërhyn nga prapa Abraham dhe 11-m kësaj radhe për Besën.
72′- Gjuan Mancaku dhe nuk gabon. 4-1.
77′- Janë sërish miqtë me anë të Xhafajt, që bëhet problemi kryesor për mbrojtjen bardheblu, topi i gjuajtur prej tij ndalet në llucë dhe më pas e largon Pashaj.
80′- Shkëmbi gjuan nga 25-m, Nallbani nuk e kontrollon topin si duhet pasi i ka shpëtuar nga duart. Xhafaj, i vëmendshëm, që ndjek aksionin, shënon, duke i çuar shifrat në 4-2 dhe kualifikon Besën.

Komenti

Tiranës dje i ka ikur kualifikimi nga duart në minutën e 80-të, kur Nallbani nuk e ka kontrolluar topin si duhet dhe Xhafaj ka qenë sërish heroi i Besës, duke shënuar golin e 2-të dhe duke i kualifikuar për në gjysmëfinale. Dje, Xhafaj, sidomos në pjesën e dytë të sfidës, u bë i papërmbajtshëm me inkursionet nga e majta e sulmit kavajas. Plot 6 gola janë shënuar në përballjen e djeshme në një terren të rënduar për shkak të shirave që kanë rënë pa pushim.
Ndryshe nga pjesa e parë e takimit, që prodhoi shumë raste, ku natyrisht kanë dominuar bardheblutë edhe në këtë aspekt, pasi dy herë “shtylla” është bërë shpëtimtare e portës së Shehit, fragmenti i dytë i ndeshjes ka prodhuar gola. Serinë e ka hapur Tirana, madje duket disi e pabesueshme, por ja që ka ndodhur dje. Brenda 4 minutave kampionët në fuqi kanë shënuar tri herë përballë mbrojtjes së përgjumur kavajase, që në fillimin e pjesës së dytë ishte krejt inekzistente.
Por kur pritej “zgjimi” i Besës kanë qenë sërish bardheblutë që kanë shënuar golin e 4-t me anë të Plakut dhe u duk se ndeshja do të mbyllej këtu dhe Tirana do të kualifikohej. Por nuk ndodhi vërtet kështu, pasi miqtë e kanë ngushtuar diferencën e golave me anë të një penalltie të ekzekutuar nga Mancaku. Ky gol duket se ka ndezur shpresat e Besës.
Kështu ka ndodhur, kur në një kundërsulm të miqve, Shkëmbi ka vënë në shënjestër portën e Tiranës dhe Nallbani, në vend që ta kontrollonte topin, i ka rrëshqitur nga duart, duke pësuar golin e dytë, çka ka rezultuar vërtet fatale për skuadrën kryeqytetase. Pas kampionatit bardheblutë kanë kapitulluar edhe në Kupë, dhe tashmë u ka ngelur vetëm të luftojnë për zënien e vendit të dytë në renditje.

Deklarojnë…

Luan Sengla, zv.trajner i Tiranës: “Ishim shumë të tensionuar gjatë gjithë lojës. Mendoj se ishte një moment çekuilibrimi dhe, atëherë kur menduam se e fituam ndeshjen, na tradhtoi besimi ynë i tepruar. Megjithatë, jam jashtë mase i kënaqur, djemtë kanë dhënë maksimumin. Gjykimi? Mirë, do të thoja. Rastin e 11-m të Besës nuk e shihja prej ku isha dhe s’mund të flas. Sot me skuadrën e vendit të dytë treguam se jemi më të mirë se ajo, madje kemi pasur shumë raste.”
Shpëtim Duro, trajner i Besës: “Pjesa e parë shkoi mirë. Fraksioni i dytë ishte i pabesueshëm si për ne ashtu dhe për Tiranën. Futja e Dhëmbit i dha të tjera impulse lojës, aq më tepër që kemi 5 mungesa që na dëmtojnë shumë. Mos harroni se jemi kualifikuar, edhe pse përballë kishim një nga ekipet më të mira të kampionatit. Aktivizova një djalë të ri, Vrapin, i cili natyrisht që nuk mund të japë maksimumin në të tilla sfida. E rëndësishme mbi të gjithë është kualifikimi.”
Të veçanta
- Në tribunën “VIP” ishin të dy presidentët, Halili dhe Bizhdili, edhe pse “njëshi” i bardhebluve ka ardhur 10 minuta me vonesë në stadium.
- Ra në sy edhe prania e prefektit të Tiranës, Keltis Kruja, krybashkiakut kavajas, Refik Rugëja, dhe anëtarëve të kryesisë së asamblesë së “KF Tirana”, Dimraj, Fortuzi, Hicka, Shehri.
- Në fund të lojës kavajasit kanë festuar, ndërsa bardheblutë sapo ka mbaruar takimi kanë derdhur lotë për mënyrën e skualifikimit.

Dimraj kundër Mukës: Na eliminoi nga Kupa!

Pas ndeshjes së djeshme ka reaguar shefi i klubit të Tiranës, Rauf Dimraj. Sipas tij, ekipi dje është eliminuar për faj të Devi Mukës. “Derisa rezultati ishte 4-0, çdo gjë po shkonte normalisht. U skualifikuam jo për faj të lojtarëve, por të Devi Mukës, që e drejtoi ekipin pa asnjë kompetencë. Unë nuk e njoh për trajner, s’e di kush e ka vendosur, as kryesia jo, pasi jam vetë pjesë e saj. Senglën e kam zgjedhur unë dhe presidenti Halili si trajner të skuadrës.
Nuk mjafton të jesh lojtarë i mirë, pasi Tirana i detyrohet për kontributin e tij plot vlera. Ekipi ndodhet këtu për faj të tij, sepse ishte iniciatori i asaj çka ndodhi në derbi. Madje dhe skualifikimin me Besën ia faturoj atij, sepse hoqi nga loja Plakun, ndërkohë që duhet të nxirrte Abilaliajn. Duhet të bënte ndërrime, t’i jepte më shumë freski skuadrës, pasi ne kemi në stol lojtarë të rinj të aftë në fushën e lojës. Ky ekip nuk mund të mbetet në drejtim të njerëzve që nuk kanë kompetencë të bëjnë formacionin.
Ky klub nuk është i Devi Mukës, as i njerëzve rrotull tij, por i gjithë dashamirësve anembanë Shqipërisë, që e duan sportin. Ka një historik që nuk duhet cënuar. I bëj thirrje presidentit Halili dhe kryesisë të pozicionohen dhe të marrin masa që të hiqet një herë e mirë dorë nga drejtimi empirik. Vetëm këtu te Tirana ndodh kështu dhe përgjegjësia është e të gjithëve, president, drejtor klubi e të tjerë me radhë,”- deklaroi shefi i klubit, Rauf Dimraj.

Dinamo ngec edhe në kupë në baltën peqinase

Shkumbini përmbys rezultatin dhe shpreson në një barazim një ndeshjen e kthimit në Tiranë
Shkumbini - Dinamo 2-1
Shënues: Kuli 55′, Bakiu 65′ (11-m), 76′ (11-m)
Shkumbini: Bejte, Pashja, Mujdragiç, A.Sekseni, Feruzoviç, Shenaj, I.Sekseni, Gjyla, Çaushaj (Gjorevski 60′), Grboviç, Bakiu (Daja 89′). Trajner: K.Dervishi.
Dinamo: Kotorri, Malakarne, Pisha, Xhafa, Del Monte, Kuli (Sefa 69′), Malota, Diop, Vila (Muça 89′), Putinçanin, Allmuça. Trajner: Sh.Muça.
Gjyqtarë: S.Çekaj (Laç), F.Elezi, E.Miho (Durrës)
Kartonë të verdhë: Feruzoviç, Kuli, Del Monte, Diop

“Radiografia”

2′- Mesfushori Gjyla ka ndërmarrë një aksion nga e djathta për të krosuar në zonë, krosim, që nuk shfrytëzohet nga sulmuesit peqinas.
5′- Grboviç brenda zonës del fitues me mbrojtësin dinmovit dhe gjuajtja e tij me kokë përfundon jashtë ngjitur me shtyllën pingule.
20′- Shenaj arrin të shfrytëzojë një top të kthyer pas goditjes së këndit, por gjuajtja e tij në drejtim të portës gjen trupin e Pishës.
38′- Bakiu ka humbur rastin më të mirë për të kaluar Shkumbinin në avantazh, teksa i vetëm përballë portës ka goditur fort, por Kotorri e ka devijuar sferën me këmbë.
50′- Dinamo kërkon të rrezikojë me Vilën, por gjuajtja e tij pritet nga Bejte.
55′- Allmuça nga e djathta ka pasuar saktë për Kulin, që ka shënuar dhe 0-1 për Dinamon.
57′- Kundërpërgjigjet Shkumbini me mesfushorin Sekseni, që gjuan fuqishëm dhe topi pasi kalon tërë zonën e portës, përfundon ngjitur me shtyllën e dytë jashtë.
58′- Kotorri tregon vlerat e tij, teksa devijon në goditje këndi gjuajtjen e Grboviçit.
65′- Gjyla është penguar në mënyrë të parregullt në zonë dhe gjyqtari nuk ka hezituar të tregojë pikën e bardhë. Bakiu shënon nga kjo pikë dhe barazon në 1-1.
74′- I.Sekseni devijon për në portë krosimin e kapitenit Pashja, por Kotorri reagon mirë, duke shpëtuar portën nga goli i dytë.
76′- Kapiteni Pisha pengon brenda zonës mesfushorin Gjyla dhe përsëri penallti. Bakiu edhe këtë herë tregohet i saktë dhe 2-1 për Shkumbinin.
83′- Grboviç i pambuluar ka mundësi për golin e tretë, por vonon dhe mbrojtja kundërshtare largon rrezikun.

Komenti

Shkumbini dhe Dinamo kanë zhvilluar në kushte aspak të favorshme sportive ndeshjen e parë të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë për arsye të terrenit sportiv. Peqinasit kanë zbritur në fushë me formacionin e tyre më të mirë, ndërkohë që Dinamo, duke parë terrenin tepër të rënduar, është munduar ta përshtatë formacionin e saj në bazë të cilësive të futbollistëve në organikën e saj. Binte në sy lënia jashtë formacioni e sulmuesit Elis Bakaj, por edhe ai i argjentinasit Rafael Soza e Fatjon Sefa. Në sulmin dinamovit i vetëm ka qenë Bekim Kuli.
Në një terren të baltosur të dy ekipet janë munduar të shënojnë gjatë pjesës së parë, ku Shkumbini ka qenë më ngulmues në lojën e tij, ndërsa Dinamo zbriste si të mundte me anë të kundërsulmeve, ku përveç përballjes gjatë aksioneve me kundërshtarët vendës, bluve të drejtuar nga Shkëlqim Muça u është dashur t’i bëjnë llogaritë edhe me fushën e rënduar të Peqinit. Pjesa e dytë nis më mirë për skuadrën e Dinamos, e cila gjen edhe golin e avantazhit me Kulin. Por peqinasit s’e kanë thënë fjalën e fundit dhe arrijnë të barazojnë rezultatin me anë të një 11-metërshi.
Ndërkohë që bardhekaltrit rritin presionin përpara portës së Kotorrit, i cili në disa momente ka qenë vendimtar me reagimet e tij. Por “gardiani” dinamovit s’mund të bëjë asgjë në 11-metërshin e dytë, të ekzekutuar nga i njëjti autor, Bakiu, i cili kalon Shkumbinin në avantazh 2-1.
Me këtë rezultat është mbyllur ndeshja e parë çerekfinale e Kupës së Shqipërsë Shkumbini-Dinamo. Por për të ndarë “shapin nga sheqeri” do të mendojë ndeshja e kthimit në kryeqytet, ku dinamovitët në letër duken favoritë, pasi një rezultat minimal 1-0 do të thotë kualifikim për skuadrën e Muçës, por deri atëherë duhet të presim edhe pak për të parë se cili nga dy ekipet do të kalojë në gjysmëfinale.

Deklarojnë…

Klodian Dervishi, zv/trajner i Shkumbinit: “Ka qenë një fitore e merituar pas një përballjeje të fortë dhe mjaft të luftuar. Kemi patur epërsi gjatë gjithë lojës, duke luajtur vetëm në gjysmëfushën e kundërshtarit. Dinamo na ndëshkoi në të vetmin rast që pati, duke shfrytëzuar një gabim në rreshtimin e mbrojtes sonë. Ishte një ndeshje me sforcim të madh fizik nga terreni i rënduar për të dy ekipet, por Shkumbini dominoi në çdo aspekt. Mendoj se duhet të kishim fituar me diferencë më të thellë. Kualifikimi mbetet i hapur, por ne jemi më pranë tij.”
Shkëlqim Muça, trajner i Dinamos: “Nuk ka rëndësi rezultati që u arrit, sepse unë mendoj se gjyqtari ishte sot (dje) protagonist dhe u tall me djersën e 22 futbollistëve. Ai bëri çfarë deshi dhe e çoi lojën atje ku deshi. Nuk mjaftoi terreni, që ishte në gjendje të tillë, sa nuk flitej për teknikë e variante loje, por qe edhe gjyqtari që veproi sipas dëshirës së tij.”
Të veçanta:
- Dyert e stadiumit dje ishin të hapura dhe hyrja ishte falas për sportdashësit,
- Trajneri Daiu e ndoqi takimin nga tribuna VIP, pasi vuan dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës.
- Të dy ekipet në pjesën e dytë janë futur në fushë me uniforma të tjera, me përjashtim të mbrojtësit Mujdragiç, që ashtu si me Tiranën për kampionat, nuk e ndërroi uniformën.

Vëzhgim/ A mund të luhet akoma futboll në Peqin?

Ndeshja e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, Shkumbini-Dinamo, ka qenë sërish një imazh i turpshëm i futbollit shqiptar. Sërish është terreni jashtë çdo standardi, në të cilin ekipet kanë matur forcat e tyre. Normalisht, pas ndeshjes së sotme, por duke parë edhe takimet e fundit në fushën e Peqinit, në mendjen e çdo sportdashësi lind pyetja: A mund të luhet akoma futboll në Peqin? Pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ekziston një komision vëzhgimi i terreneve sportive, por edhe kushteve të stadiumeve shqiptare, i cili inspekton dhe jep OK-in në fillim të kampionatit.
Nuk dihet nëse ky komision ka analizuar dhe vëzhguar nga afër gjendjen mjerane të fushës “moçal” të Peqinit në përfundim të fazës së dytë, në të cilën, për hir të realitetit, pa dashur të ofendojmë askënd, vetëm për futboll nuk mund të flasësh. Situata specifike atmosferike në Shqipëri e ka katranosur akoma më shumë gjendjen e tij, i cili për më tepër ka marrë edhe një fond nga FSHF për tapetin e ri, por çuditërisht ende s’është vendosur që të rregullohet fusha sportive e Peqinit.
Por sigurisht futbolli shqiptar s’mund të përfaqësohet në të tilla terrene, ku ndeshja e fundit tregoi se në atë fushë mund të bësh shumë mirë qerpiç, mund të bësh ski në baltë, por vetëm futboll s’mund të luash. Rregullorja e futbollit thotë: Nëse topi nuk kërcen në 3/4 e fushës, atëherë ndeshja s’mund të luhet.
E nëse kthehemi vetëm 24 orë pas në kohë, në ndeshjen Shkumbini-Dinamo, do të kujtojmë një moment për të mos u ndalur gjatë në shumë të tjerë, kur mbrojtësi i Shkumbinit, Mujdragiç, për të shkelmuar një goditje dënimi në qendër të fushës, e ka marrë topin e është zhvendosur në cepin e saj për të gjetur pakëz bar, por asistenti i takimit i ka bërë shenjë ta ekzekutojë atë në vendin e duhur.
Për të mos folur që topi humbiste ngjyrën nga balta dhe që futbollistëve s’i dukej numri i fanelës mbi shpinë, plus “qershia mbi tortë” ishte vizimi i fushës me tallash. FSHF duhet të ndërhyjë me organet kompetente që në këtë fushë, për të mirën e të gjithëve, të ndalohet së luajturi futboll dhe terreni i Peqinit të rregullohet një herë e mirë për të gjithë, për të parë të vërtetën gjatë 90 minutave të një ndeshjeje futbolli.

Elbasani, para “provimit” të vështirë të Kamzës

Kapiteni i verdhebluve, Erjol Merxha, thotë se për transfertën e kësaj jave nuk ka justifikime
Ndeshjet jashtë kanë qenë problem gjatë gjithë këtij kampionati për Elbasanin, që realisht nuk ka dëshmuar forcën e duhur në to. Në njëfarë mënyre, transfertat janë bërë makth për lojtarët dhe drejtuesit verdheblu, të cilët shpresojnë ta largojnë këtë fenomen të shtunën, në fushën e Kamzës. Drejtuesit e lartë të klubit, madje dhe kryebashkiaku Qazim Sejdini, kanë fajësuar skuadrën për lojën e lehtë që bën jashtë “Ruzhdi Bizhutës”.
Elbasani ka vetëm dy fitore jashtë, me Luftëtarin në Gjirokastër dhe atë me Sopotin në tavolinë. Ndoshta është edhe faktori psikologjik, që ndikon në këtë drejtim, por tani nuk ka asnjë justifikim për këtë skuadër mjaft të investuar. Edhe me ardhjen e trajnerit Alimehmeti, pritet që Elbasani të bëjë kthesën e rezultateve jashtë fushe. Një fitore e mundshme në Kamzë do të vërtetonte se verdheblutë janë një skuadër për superligë. Drejtuesit kanë kërkuar nga stafi teknik dhe lojtarët të lënë mënjanë justifikimet dhe të bëjnë detyrën këtë të shtunë.
Verdheblutë janë përpara një “provimi” të vështirë, të cilin duhet ta marrin, sepse deri në fund të kampionatit jenë edhe transfertat me Turbinën, Adën, Memaliajn, Partizanin dhe Bilisht Sportin. Kapiteni Erjol Merxha tregohet i sinqertë, kur pohon se Elbasani ka bërë pak jashtë fushe: “Në fazën e parë duhej të kishim marrë të paktën 7 pikë më shumë jashtë fushe, që tani do të bënin diferencën me rivalët. Ndonjëherë kemi luajtur keq, por ndonjëherë jemi ndëshkuar nga gjykimet apo faktorë të tjerë.
Tani kjo nuk ka rëndësi, sepse kemi përpara disa transferta të vështira, ku duhet ta tregojmë veten. Për të mos e diskutuar vendin e dytë, duhet të ecim me ritmin e ndeshjeve brenda. Kemi një grup më të fortë dhe, duke filluar që në Kamzë, duhet të bindim edhe në transfertë,” - është shprehur kapiteni Merxha.
Mesfushori thotë se reshjet e shiut nuk e kanë lejuar skuadrën të stërvitet normalisht. Sipas tij, stafi teknik është përpjekur shumë, që Elbasani të jetë në gjendjen më të mirë me Kamzën. “Shiu i ka prishur disi planet, por kjo është për të gjitha skuadrat dhe jo vetëm për ne.
Nuk justifikohemi me këtë fakt, pasi edhe stafi teknik është përpjekur të bëjë më të mirën. Kamza është një kundërshtare relativisht e vështirë, që luan futboll të bukur. Fazën e parë na krijoi vështirësi, prandaj duhet të bëjmë kujdes kësaj radhe. I qëndroj mendimit se, pa fitore jashtë, nuk mund të shkohet në superligë, kështu që në Kamzë jemi të dënuar të fitojmë,” - përfundon mesfushori i Elbasanit, Erjol Merxha.

Moment i keq për Renato Hyshmerin

Renato Hyshmeri, një nga lojtarët më të mirë të Elbasanit, javët e fundit nuk ka qenë në formën e tij më të mirë, ndaj dhe skuadra po vuan në fazën sulmuese. Veç 5 golave të shënuar, Hyshmeri ka dhënë disa asiste për sulmuesit, por tani ai duket se ka probleme, që u dukën edhe gjatë 45 minutave të luajtura me Pogradecin. Mesfushori ishte në një ditë të errët, por drejtuesit dhe stafi teknik po i qëndrojnë pranë lojtarit, që ai të rikthehet në gjendjen optimale.

Musta paralajmëron Elbasanin: Përgatitu për humbje!

“Vetëm tri pikë na ndajnë nga vendi i 4-t dhe nuk ka pse ta dramatizojmë situatën,” - do ta niste mendimin e tij për “Sportin shqiptar” Perlat Musta, i cili, përveç drejtorit teknik, ka marrë përsipër të kryejë edhe rolin e trajnerit të Kamzës, pas dorëheqjes së Agustin Kolës.
“Legjenda” e portës së Partizanit kërkon impenjim maksimal nga të tijtë për ndeshjen me Elbasanin. “Kampionati është i gjatë dhe normalisht ndodh që lë pikë. Humbjen në Lushnjë nuk ka pse ta qajmë ende, sepse diferenca e pikëve me vendin e 4-t na jep shpresë për ta arritur. Lojtarët po stërviten me dëshirë dhe besoj se ndeshja me Elbasanin do të na gjejë të përgatitur në çdo drejtim,” - thotë më tej trajneri Musta.
Ndeshja e radhës konsiderohet mjaft e vështirë, pavarësisht se luhet para sportdashësve kamzalinj. Elbasani është një skuadër shumë e fortë, por trajneri Musta beson se Kamza do ta mundë: “Elbasani është një kundërshtar i fortë, që pretendon ngjitjen direkte në superligë. Megjithatë, me besimin te vetja, them se do ta fitojmë këtë ndeshje. Uroj të zhvillohet një lojë e bukur,” - thekson në fund trajneri Perlat Musta.

Miraka: Luftëtari, serioz në garë deri në fund

Luftëtari e nisi mirë fazën e dytë në mënyrë premtuese, tek fitoi me Lushnjën, një ndër pretendentet serioze për superligën, por vazhdimi i zbehu shpresat e tij për të prenotuar të paktën vendin e 4 t.
Shanset për këtë vend janë vërtet minimale, sepse janë mjaft ekipe të tjerë, që janë shumë afër këtij pozicioni, ndërkohë që edhe poseduesi aktual do t’i bëjë gjithë përpjekjet për të mos e humbur atë. Kështu, në vazhdim Luftëtarit nuk i mbetet gjë tjetër, përveçse t’i shmanget sa më shumë vendit të 13 të. Për këtë “fushata” duhet nisur që në ndeshjen me Burrelin në Gjirokastër këtë të shtunë. Portieri i Luftëtarit, Festim Miraka, i cili në 19 ndeshje nuk ka munguar asnjë moment, thotë: “Na vjen shumë keq për tri ndeshjet e fundit, që na nxorrën jashtë luftimit.
Rezultatet që arritëm varen nga disa faktorë, midis të cilëve edhe fati, që e patëm “armik”. Patjetër që mosrealizimi i objektivit na ngarkon të gjithëve me përgjegjësi, por në sport duhet të kesh forca për t’i përballuar edhe humbjet, duke mos u ligështuar, përkundrazi, duke luftuar deri në momentin e fundit të garës.
Duhet të përpiqemi për një vend më të mirë në renditje, duke punuar për të ardhmen njëkohësisht. Luftëtari i mungon për tre sezone superligës dhe kuptohet çfarë efektesh janë duke u krijuar. Sidoqoftë, ne duhet të bëjmë gjithë përpjekjet sportive që të fitojmë me Burrelin, sepse çdo rezultat tjetër nuk i shkon për shtat ekipit tonë, që ka humbur shumë terren edhe në Gjirokastër. Të luftojmë fort për 3 pikët.”

Lushnja, në hall për terrene stërvitore

Para ndeshjes me Pogadecin, verdhëjeshilët kanë punuar në ambiente të mbyllura
Nuk ka ende një konfirmim për vendin dhe ditët, kur do të luhet ndeshja me Pogradecin, ndërkohë që stafi dhe futbollistët lushnjarë vazhdojnë seancat stërvitore, dje në një prej kalçetove të qytetit. Shkak janë bërë reshjet e dendura të shiut, që i kanë kthyer ato pak terrene sportive në pellgje uji.
Pranë stadiumit “Roza Haxhiu” janë tri anekse, ku bëjnë stërvitje të gjitha ekipet e klubit lushnjar, pra terrenet nuk mungojnë, por mungon angazhimi për t’i bërë ato të shfrytëzueshme. Drejtuesit e klubit kujtohen për to vetëm kur nuk mund të bëjnë asnjë ndërhyrje dhe jo në muajt e verës, kur mund të punohet për rregullimin e fushave.
Një situatë vërtet për të ardhur keq, pasi edhe ekipet e moshave të Lushnjës kanë gati një vit, që nuk luajnë në anekset e stadiumit, por gjejnë fusha hua për të zhvilluar ndeshjet e kampionatit. Vështirësia për terrene shtohet edhe nga fakti se njëri prej anekseve të stadiumit është në rikonstruksion prej 2 muajsh, ndërsa fusha e Plugut, që prej korrikut të vitit të kaluar po rikonstruktohet, pasi do të shtrohet me tapet sintetik nga federata.
Tapeti sintetik ka mbërritur që në dhjetor të 2009-s, por punimet e drenazhimit të fushës dhe ngjeshja e stabilizantit, që duhet të kryhen nga njësia vendore, nuk po përfundojnë për shkak të reshjeve të shiut. Situata kjo është dhe nga ana futbollistët kërkohen rezultate të mira dhe ngjitja e Lushnjës në superligë. Për më tepër, futbollistët lushnjarë nuk do të mund të marrin pagesat e tyre sipas kontratës së firmosur me klubin, nëse ekipi nuk ngjitet në superligë.
Megjithatë, ata kanë kryer dje ushtrimet e nevojshme të një dite stërvitore në ambiente të mbyllura, ndonëse mund të kishin organizuar edhe një ndeshje kontrolli, që tregon gatishmërinë e atyre që do të përdoren ndaj Pogradecit. Nëse kushtet atmosferike do ta lejojnë, ndeshja e kontrollit do të luhet sot, në stadiumin “Roza Haxhiu”, fusha e të cilit ka nevojë urgjente për një tapet të ri, pasi ai aktual i ka kaluar dy herë vitet e programuara.

Pogradecarët optimistë, përgatiten për kthesën

Humbja lë gjithmonë shijen e keqe pas, por pogradecarët janë munduar ta harrojnë atë që ndodhi në Elbasan, duke u përqendruar te Lushnja, një tjetër sfidë delikate për ta. Ndërkohë që lufta për vendin e 3-të dhe të 4-t sa vjen dhe po ashpërsohet, trajneri i Pogradecit, Ylli Çekiçi, thotë se të tijtë do të kthehen te rezultatet pozitive menjëherë: “Mund të kishim marrë një pikë në Elbasan, por nuk patëm fat. Po ashtu, gabuam para portës kundërshtare. Ajo ndeshje është lënë pas dhe po mendojmë tashmë për përpjekjet që duhen bërë për t’u ngjitur në 4-shen e parë. Prandaj, na del si detyrë të mos lëshojmë në ndeshjen e radhës me Lushnjën.
Do të jetë e vështirë, sidoqoftë, na duhet medoemos fitorja. Ndeshemi me një nga kundërshtarët tanë direktë, kështu që nuk mund të tolerojmë, por më më mirë se fjalët do të flasë fusha. Po stërvitemi për ta përballuar me sukses këtë sfidë,” tha dje trajneri Çekiçi. Edhe kapiteni Kopi Çerepi dëshiron që ekipi ta lërë pas humbjen me Elbasanin dhe shprehet optimist për ndeshjen e radhës: “I kemi të gjitha mundësitë për të fituar me Lushnjën. Pogradecit i bëjnë punë vetëm 3 pikët dhe do të bëjmë ç’është e mundur për t’i marrë,” - u shpreh ai.

Alarm në Cërrik, në rrezik ndeshja e radhës

Gjendja tejet e rënduar e fushës së stadiumit nga shirat e ditëve të fundit, i ka alarmuar drejtuesit e lartë të klubit cërrikas. Stadiumi “Nexhip Trungu” duket i përmbytur dhe nuk jep garanci për zhvillimin e ndeshjes së radhës, që cërrikasit e kanë me Memaliajn.
Sipas punonjësve të mirëmbajtjes së stadiumit, situata është vështirësuar së tepërmi ditët e fundit dhe, me gjithë përpjekjet për normalizimin e saj, zhvillimi i ndeshjes duket i largët. Gjithsesi, drejtuesit e Turbinës shpresojnë në përmirësimin e motit ditët në vazhdim, por, edhe nëse kjo nuk ndodh, burime pranë presidencës bëjnë me dije se ndeshja e radhës do të zhvillohet në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit cërrikas bëjnë të ditur zyrtarisht mbështetjen e tyre ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka.