Josip Kuze, të mërkurën ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen miqësore kundër përfaqësueses së Irlandës së Veriut, që do të zhvillohet më 3 mars në Tiranë.
Risi në këtë listë është emri i mbrojtësit kosovar Mërgim Mavraj, i cili ftohet për herë të parë në Kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi i Bochum, pas disa bisedave që pati javë më pare me trajnerin kroat, përfundimisht vendosi ta veshë fanellën kuqezi.
Ish mbrojtësi i skuadrës gjermane SV Darmstadt 98 ditë më parë i ka thënë Gazetës Express se është shumë i lumtur që do ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare, të cilën e kishte ëndërr.
“E ndiej vetën krenar që do të luaj për Shqipërinë dhe po ashtu po më plotësohet një ëndërr e imja. Shpresoj se mundem ta ndihmoj Kombëtaren për me ecur edhe shumë hapa përpara”, pati thënë 23 vjeçari.
Mavraj në vitin 2006 ishte pajisur me pasaportë shqiptare, në kohën e trajnerit kroat Otto Bariç. Mirëpo, mbrojtësin kosovar në vend të Kombëtares A e kishin ftuar me skuadrën U-21 të Shqipërisë, gjë që nuk i pëlqeu.
Pas kësaj ai refuzoi të veshë fanellën kuqezi, duke zgjedhur përfaqësuesen U-21 të Gjermanisë, me të cilën debutoi në vitin 2007 në ndeshjen miqësore kundër shpresave të Italisë.
Me debutimin e Mavrajt, numri i kosovarëve në Kombëtare do të shtohet në shtatë, pasi aktualisht fanellën e ekipit kuqezi e bartin edhe Arian Beqaj, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Besart Berisha dhe Samir Ujkani.
MT: Rikthehen Lala e Beqaj
Në mesin e 21 futbollistëve janë edhe kapiteni i Kombëtares kuqezi, Altin Lala, i cili për shkak të lëndimit ka mbetur për një kohë të gjatë jashtë fushës. Po ashtu edhe portieri prizrenas, Arjan Beqaj tani do të jetë në dispozicion të Kuzes, pas lëndimit të krahut që e la jashtë fushës për disa muaj.
Për këtë ndeshje, Kuze nuk ka grumbulluar Besart Berishën, i cili pjesën e dytë të kampionatit në Bundesliga 2 ende nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje për Armenia Bielefeldin.
Ndërsa portieri Samir Ujkani nuk është ftuar, pasi ka operuar minisksun e gjurit të majtë, pas një lëndimi të pësuar në stërvitje me skuadrën italiane Novara. Ai pritet të mbetet jashtë fushës për 3 javë.
Ndeshja miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Irlandës së Veriut do të zhvillohet më 3 mars në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ në Tiranë.
Futbollistët e ftuar
Arjan Beqaj, Isli Hidi, Andi Lila, Armend Dallku, Kristi Vangjeli, Ansi Agolli, Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Altin Lala, Debatik Curri, Ervin Bulku, Klodian Duro,
Ervin Skela, Jahmir Hyka, Gilman Lika, Emilian Vila, Gjergj Muzaka, Erjon Bogdani
Hamdi Salihi, Edmond Kapllani dhe Elis Bakaj.