Leonardo tregon: “Sandro më tha të fusja Huntearin dhe ai shënoi”. Ndërsa Pato falënderon Ronaldinjon
Megjithë polemikat e shumta pas ndeshjes Fiorentina-Milan për 11-metërshin e padhënë nga ana e Rozetit për skuadrën e Prandelit, në shtëpinë e Milanit janë të gjithë lumtur për fitoren, por gjithsesi me këmbë në tokë.
Aleksandre Pato kundër Fiorentinës ka shënuar gjithnjë dhe të mërkurën në mbrëmje priti minutën e 92-të. Por braziliani e ndan meritën me njeriun “asist” në skuadër: “Gjithçka falë Ronaldinjos që dha sërish dy pasime të arta për gol. Jemi një skuadër e madhe, luajtëm një ndeshje të madhe si Fiorentina”. Interi tani është më afër. “Duhet të mendojmë për veten tonë, të fitojmë, - vazhdon Pato.
- Ne besojmë tek puna jonë. Milani luan thjesht për të shënuar”. “Patoku” nënvizon edhe punën e Leonardos: “Ne jemi me të dhe ai është me ne. Jemi të bashkuar dhe duhet të japim maksimumin edhe për tifozët, që na ndjekin kudo. Kjo skuadër luan për të gjithë”. Është një gol i rëndësishëm, ndaj Pato ka një përkushtim: “Për gruan time, - tregon Pato, - për babain tim, me të cilin fola para ndeshjes dhe më tha: ‘Beso, shëno një gol’. Dhe unë shënova, për të dhe për Stefaninë”. Ndërsa Klas-Jan Huntelari shënoi për veten e tij.
Dhe shënoi në atë që quhet zona-Huntelar. Katër nga 6 golat e shënuar nga holandezi janë realizuar në 16-të minutat e fundit të ndeshjeve. Në të vërtet Huntelari u fut në fushë pas një bisede mes Leonardos dhe Nestës, siç tregon dhe trajneri brazilian: “Sandroja më këshilloi të fusja Huntelarin, ne flasim shpesh gjatë ndeshjes dhe kjo marrëdhënie është e rëndësishme”.
“Gjuetari” ishte esencial dhe “kirurgjikal”, siç i pëlqen Leonardos: “Jam i kënaqur për golin tim, por para së gjithash për tri pikët. Duhet të vazhdojmë kështu”, - përfundon holandezi.Duke qëndruar te Nesta, që ka “meritë” për këshillën ndaj Leonardos, mbrojtësi kërkon të bëjë një saktësim: “Ishte një ndeshje vërtet e çuditshme. Ishim me fat që shënuam. Trajneri në pjesën e dytë na kërkoi të sulmojmë më shumë nga krahët. Në episodin në zonë mes Tiago Silvës e Montolivos, vendimi i gjyqtarit Rozeti ishte ai i dhënies së epërsisë, por edhe nëse do të jepte 11-metërsh, nuk mund të thuhej asgjë. Përgëzoj Abiatin që bëri dy pritje të jashtëzakonshme.
Pas shumë kohësh që qëndroi jashtë u rikthye të dielën në Bari dhe ka bërë paraqitje të mrekullueshme. Kohët e fundit kemi luajtur shumë, lodhja ndihet pak dhe ndoshta edhe kemi gabuar. Gjëja më e rëndësishme është të fitojmë me Atalantën të dielën, sepse pastaj do të kemi një javë kohë për të përgatitur sfidën me Romën”.