“Së shpejti pritet të zë vend në përbërjen e parë të skuadrës së Baselit, e cila ka gjasa shumë të mëdha që të bëhet kampione e Zvicrës”, tha talenti i madh shqiptar, Granit Xhaka.
Futbollisti Granit Xhaka është ftuar në kombëtaren e Zvicrës U-18 nga përzgjedhësi Claude Ryf. Përveç Xhakës në kombëtaren U-18 kundër Ramanisë U-18 janë ftuar edhe dy shqiptarë të tjerë: Frederik Veseli e Pajtim Kasami. Këta tre futbollist shqiptarë janë më së të merituarit për titullin e kampionit të botës të Zvicrës U-17 vitin e kaluar që u mbajt në Nigeri. Granit Xhaka, njëri prej talenteve më të mëdha të futbollit tha se ndihet shumë i lumtur që është ftuar në kombëtaren zvicerane për ndeshjen miqësore kundër rumunëve. “Ndihem shumë mirë që jam ftuar në kombëtaren U-18 dhe njëherësh jam i gëzuar. Më të vërtetë është kënaqësi jo vetëm për mua, por për secilin futbollist që ftohet në kombëtaren e Zvicrës U-18 kundër Rumanisë U-18. Prandaj, nga 29 marsi e deri më 1 prill do të qëndrojmë në Rumani, ku edhe do të zhvillojmë ndeshje miqësore. Pastaj më 19 prill e deri me 22 prill do të shkojmë në Lisbonë të Portugalisë, ku do të zhvillojmë ndeshje miqësore me Portugalinë U-18. Premtoj se do të jap maksimumin sikurse për Zvicrën U-17 edhe më Zvicrën U-18 dhe të arrijmë rezultate sa më të mira”, tha Xhaka. Mesfushori i shquar, që herë-herë luan edhe në pozitën e krahut të majtë dhe të djathtë, thotë se grupi i kualifikimeve për Kampionatin Evropian U-18 nuk do të jetë aq i lehtë. “Në grup kemi kombëtaren e Gjermanisë, Danimarkën dhe Serbinë. Mirëpo, Zvicra U-18 do të jetë shumë e fortë për të gjitha kombëtaret dhe besojmë në fitore”, tha Xhaka. Granit Xhaka gjatë ndeshjeve miqësore me Baselin nga trajneri Thorsten Fink është llogaritur njëri prej talenteve më të mëdha dhe që pret shumë. Xhaka në ndeshjet miqësore pati treguar lojëra të mira dhe nuk i kanë munguar edhe golat. Ai shpreson se shpejti të zë vend në përbërjen e parë të skuadrës së Baselit, e cila po lufton për titullin e kampionit të Zvicrës. “Në Basel punët me shkojnë si është më së miri. Përgatitem maksimalisht me skuadrën e parë dhe është kënaqësi kur je në mes me futbollistët shqiptarë, si Beg Feratin, Xherdan Shaqirin, si dhe vëllai im, Taulanti. Do të mundohem që sa më shpejt të zë vend në përbërjen e parë dhe të luajë sa më mirë. Ajo që më bënë edhe më krenar në klub, është se bashkëlojtarë më thonë: Ku je Granit Xhaka, futbollisti më i mirë dhe kampion i botës. Vazhdimisht kam komplimente të forta nga të gjithë në klub, për çka më motivojnë më shumë për lojëra edhe më të mira. Synimi im është tashmë të përqendrohem te Baseli, të zë vend në përbërjen e parë dhe t’i ndihmojë skuadrës në realizimin e synimeve që ka para vetes – titullin e kampionit. Duhet përmendur Shaqirin e Feratin, të cilët sa herë kam nevojë për diçka, konsultohem me ta dhe më ndihmojnë shumë”, përfundoi Xhaka. Skuadra e Baselit në kampionatin zviceran renditet në vendin e dytë me 43 pikë dhe gjendet katër pikë larg liderit të tabelës, Young Boysit. Të dielën, në orën 16.00, Baseli takohet si mysafir me Bellinzonën.