Pa derbin, Milani do të ishte në krye të renditjes. Pas një ecurie të gjatë ndjekjeje, verdikti i Firences thotë pikërisht këtë: pa konsideruar 6 pikët e humbura në derbin e Milanos, Milani duhej të ishte +2 mbi “kushërinjtë”.
Një renditje imagjinare, por është shumë domethënëse. Në 23 javët e fundit, hiq derbin, skuadra e Leonardos ka grumbulluar dy pikë më shumë në krahasim me atë të Mourinjos. Pas ndeshjes me Mançesterin “plasi” diçka: dukej gjithçka e humbur (me kualifikimin e vështirë në Champions dhe largësinë në kampionat), por mjaftuan sfidat në Bari dhe Firence për të rikthyer kuqezinjtë. Tani është -4, me një grup që s’dorëzohet asnjëherë.
Pasimet e Ronaldinjos, dygolëshat thuajse të sajuar të Nestës e Huntelarit kundër Kievos e Katanias, 11-metërshi i pritur nga Abiati pas një sezoni si spektator, dëshmojnë se ky Milan nuk dorëzohet asnjëherë. “Ky Milan nuk dorëzohet kurrë”, shpjegon vetë Abiati. Si ai i vitit 1999-të, kur Milani i Zakeronit arriti të bëjë një përmbysje të papritur ndaj Lacios. Atë vit nuk kishte fenomenë në atë skuadër, por një grup luftëtarësh të gatshëm të jepnin gjithçka për fanellën. Aktualisht si Gatuzo, Ambrozini e pikërisht Abiati. Gjithsesi këtë herë është ndryshe dhe përmbysja është e mundur.