Trajneri Fabio Kapelo: Nuk më kanë thërritur asnjëherë në Koverçano për të folur me trajnerët e rinj
Atmosfera duket elektrizuese. Zherom Valcke, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s ka qortuar komitetin organizator: “Afrika e Jugut është mbrapa. Nëse Botërori do të fillonte tani nuk do të ishim gati. Mungojnë pak më shumë se 100 ditë para fillimit, do të duhet të punohet ditë-natë”. Aty afër, Fabio Kapelo qëndron mendueshëm. Ka shprehjen e atij që e kishte parashikuar këtë.
- Kapelo, buzëqeshni, të paktën në Angli nuk iu vënë nën presion në lidhje me lojtarët, që duhet të grumbulloni siç i ndodh Lipit me Kasanon?
- Në fakt, një emër që kërkohet nga shtypi ekziston. Eshtë Ouen. Nga ana tjetër është golashënuesi anglez më i mirë i të gjithë kohërave, por nëse nuk luan nuk mund ta grumbulloj.
- Mund të ngushëlloheni me Runin, ai dhe Mesi janë më të mirët?
- Janë dy lojtarë të rinj që të gjithë do t’i donin në skuadër, bashkë me Kristiano Ronaldon. Uejn është i jashtëzakonshëm, ka talent dhe dëshirë për të mësuar. Fergusoni i ka mësuar shumë, puna ime ka qenë më e lehtë, i kam thënë se golat shënohen duke luajtur 12 metra larg portës dhe ai duhet të godasë portën. Më pas largimi i Ronaldos i ka dhënë më shumë përgjegjësi, tani ai është më i rëndësishëm për Mançesterin.
- Duket një dënim për Milanin. Po skuadrat e tjera italiane si do të paraqiten?
- Ngadalë, Milani ende nuk është eliminuar. Sigurisht, është e vështirë të dalësh nga “Old Traford” pa pësuar gol, por në futboll mund të ndodhë gjithçka. Për pjesën tjetër, gabimin e bërë në dëm të Fiorentinës e ka parë gjithë bota, por përmbysja e rezultatit është e mundur, sepse mjafton një gol i vetëm.
- Interi?
- Them se ka 50% të mundësive.
- Në Botëror, misioni do të ishte i përmbushur nëse Anglia do të përfundonte midis 4 të parave?
- Do të ishte një gjë e mirë, por unë nuk kënaqem kurrë, edhe pse në Premier Ligë kam vetëm 38% të lojtarëve që mund të grumbulloj, kundër 67% të Italisë dhe 63% të Spanjës. Në lidhje me rivalët, them se skuadrat që më kanë bërë përshtypje janë Brazili dhe Spanja.
- Domethënë, futbolli italian është në krizë.
- Jo futbolli jonë është reaktiv, por të gjithë më pyesin: “Pse stadiumet janë të boshatisur?”. Anglezët janë të apasionuar mbas futbollit, ndërsa ne jemi në dorë të ultrasve dhe të televizionit. Kjo ndodhte edhe kur unë luaja futboll.
- Po ju nuk keni patur asnjëherë marrëdhënie me ultrasit?
- Kurrë. Momenti më i trishtë i karrierës time ka qenë kur në Romë, pas një eleminimi nga Kupa e Italisë jam detyruar nga klubi të takohesha me kryetarët e tifozëve ultras për të dëgjuar fyerjet e tyre, sepse 4000 persona protestonin.
Kam repsekt të madh për tifozët, por jo për ata që e kanë kthyer në biznes të qenit tifoz. Ndërsa ka nga ata që i intervistojnë, që inkuadrojnë pankartat e tyre. Kujtojnë se janë ata që luajnë. Mendoni për derbin e ndërprerë në Romë ku pavarësisht se përgjegjësit kishin thënë se mund të luhej, ne jemi dorëzuar.
- Jeni i kënaqur tani që trajnerët italianë janë në modë edhe në Angli?
- Pas epokës së Vialit dhe Ranierit, i kam hapur rrugën Zolës, Ançelotit dhe Mançinit. Në Angli vlerësohet shkolla italiane, tek ne jo shumë, duke parë se në Koverçiano nuk më kanë ftuar asnjëherë për t’u folur trajnerëve të rinj. Ndoshta nuk kam shumë eksperiencë.
- Thuhet se tek Milani, ju keni qenë paraardhësi i Guardiolës, Leonardos dhe Ferrarës.
- Jo tamam. Unë kisha bërë 6-7 vite në sektorin e të rinjve.
- Eshtë e vërtetë se në Itali të rinjtë mendojnë menjëherë për femra dhe makina?
- Jo, situata është e njëjtë kudo, nëse je i aftë mund të konfirmohesh. Por në Angli dhe Spanjë besojnë më shumë tek të rinjtë.
- Spektakli dhe fitorja janë dy gjëra që përshtaten me njëra-tjetrën?
- Çdo kombëtare luan sipas karakteristikave që ka dhe tipit të spektaklit që pëlqen. Boniperti thoshte: “Fitorja është e vetmja gjë që ka rëndësi”.
- Jeni dakord me ndëshkimet për ata që blasfemojnë?
- Po, por nëse vlen prova e imazheve televizive për këtë, duhet të vlejë për të gjitha gjërat që ndodhin në fushë.
- Pa iu drejtuar provës televizive, është e vërtetë se ju i lyeni flokët?
- Jo, fatkeqësisht për ata që e mendojnë këtë, nuk kam nevojë. Më pas, kam edhe flokë të bardhë.