Në ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Kosovës, kanë fituar katër skuadrat vendëse, edhe pse, përpos Besës, skuadrat tjera kanë fituar me rezultate të ngushta, që nuk u sigurojnë sa duhet komoditet në ndeshjet e kthimit.
Ndeshja kryesore u zhvillua në Merdarë, ku Hysi e mposhti Lirinë me rezultat 3:2. vendësit kaluan në avantazh në minutën e 17-të përmes përforcimit Yll Hoxha, ndërsa epërsinë e tyre e dyfishoi sulmuesi i rrezikshëm Labinot Osmani, 10 minuta më vonë. Përkundër disavantazhit prej dy golash, prizrenasit nuk u dorëzuan.
Ata fillimisht e ngushtuan rezultatin në minutën e 37-të me Fatih Karahodën, ndërsa i barazuan shifrat në minutën e 75, kur kapiteni Fitim Krusha një penallti e shndërroi në gol, 2:2. Kur kishin mbetur vetëm dy minuta deri në përfundim të ndeshjes, sulmuesi Enis Zabërgja e vulosi fatin e këtij takimi, 3:2. Shumë gola pati edhe në ballafaqimin ndërmjet kampionit vjeshtor, Trepça, dhe Gjilanit.
Mitrovicasit fituan ngushtë 4:3, dhe sigurisht, njëjtë si në çiftin e lartpërmendur, gjysmëfinalisti do të dihet vetëm pas ndeshjes së kthimit, që zhvillohet të dielën. Vëllaznimi, që gjatë dimrit bëri ndryshime të mëdha, ndër futbollistë dhe në shtabin teknik, arriti fitore minimale ndaj Drenicës me rezultat 1:0, me golin e Yll Prekopucës, që shënoi në pjesën e dytë.
Dhe, në ndeshjen e fundit, Besa fitoi pastër 2:0 ndaj Ballkanit dhe për pejanët mund të thuhet se janë më afër gjysmëfinales. Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen të dielën në ora 14.
Rezultatet
Hysi–Liria 3:2
Trepça–Gjilani 4:3
Vëllaznimi–Drenica 1:0
Besa–Ballkani 2:0