Milano, 24 shkurt - Seleksionuesi i Përfaqësueses së Italisë, Marcello Lippi, ka paralajmëruar se në kampionatin botëror "Afrika e Jugut 2010" do të shkojë me lojtarë "të pjekur", shkruan të martën "Football-italia".
Lippi ka deklaruar se më shumë ka besim te përvoja e lojtarëve të moshuar, se te talenti i të rinjve. Ai është i bindur se në gara të mëdha, përvoja është mbi të gjitha...
Ai ende nuk e ka publikuar listën e lojtarëve që do të udhëtojnë për në Afrikën e Jugut, këtë do ta bëjë menjëherë pas ndeshjes miqësore me Kamerunin (më 3 mars).
"Në Kampionatin Botëror te Përfaqësuesja italiane do të ketë shumë futbollistë që i kanë mbushur 30 vjet, sepse ata edhe një vit do të jetë në nivelin më të duhur. Për mua vetëm përvoja ka rëndësi në këtë botëror", është shprehur Lippi.
Lippi është i gatshëm t'i kthejë në Përfaqësuese mesfushorin Francesco Totti dhe mbrojtësin Alessandro Nesta. Ai brengoset edhe për lëndimet e Mauro Camoranesit dhe Vincenzo Iaquintas, po ashtu mbi të tridhjetat.
"Vazhdimisht mendoj për Iaquintan dhe Camoranesin, që po kanë telashe me lëndime. Në mendjen time është edhe rikthimi i Tottit. Mirëpo, gjithçka do të dihet pas ndeshjes me Kamerunin", ka thënë Lippi. "Nesta i ka borxh Përfaqësueses italiane, pasi ai është lënduar në dy botërorët e fundit dhe nuk ka mundur të luajë. Tashmë kam biseduar me të dhe besoj se gjërat janë në rregull".
Italia edhe në botërorin e fundit "Gjermania 2006", kur u shpall kampione, ishte ekipi me moshën mesatare më të madhe. Edhe në atë garë u drejtua nga Lippi.
Strategu italian ka thënë se vetëm pas Botërorit do të vendosë nëse do të mbetet përzgjedhës i Italisë apo do të marrë një funksion tjetër në përfaqësuese apo klub.