Sunderland po kalon momentet më të vështira të sezonit. Ky klub këtë kampionat kishte dy fytyra: e nisi mbarë, saqë i befasoi të gjithë duke shkuar në pozitat që çojnë në Evropë, por në 2-3 muajt e fundit e ka marrë tatëpjetën, saqë nuk di të këndellet dot.
Mirëpo, kapiteni Lorik Cana po shikon mundësinë se si të dilet nga kjo krizë, pasi “Macet e Zeza” tashmë gjenden shumë afër zonës së ekipeve të rrezikuara. Po kosovari ka besim te cilësia e Sunderlandit.
“Gjëja më e rëndësishme është që ta mbajmë shpirtin luftarak. Në situatën tonë, çdo humbje është e rëndë. Mirëpo, ne jemi të gatshëm për betejë”, tha Cana për ueb faqen thenorthernecho.co.uk.
Sipas tij, menaxheri u ka thënë futbollistëve se është koha e duhur për ta shfaqur shpirtin fitues, të cilin e shpalosi kundër Arsenalit, edhe pse Sunderland pësoi humbje me rezultat 2:0.
“Nëse e mbajmë këtë mentalitet në 4-5 ndeshjet e ardhshme në shtëpi, jam i bindur se do të jemi OK. Unë jam luftarak dhe nuk dorëzohem kurrë, por mendoj se kemi një ekip, i cili ka shpirt të lartë luftarak. Unë mundohem t’i udhëheq bashkëlojtarët që ta shfaqin mentalitetin e fuqishëm dhe po ashtu që t’ju jap atyre besimin e duhur për ta kaluar këtë periudhë të vështirë”, vazhdoi Cana.
Hiq ndeshjen me Aston Villën, që zhvillohet më 6 mars, katër nga pesë ndeshjet e ardhshme të Sunderlandit do të zhvillohen në shtëpi, në stadiumin Stadium of Light, kundër Fulhamit, Boltonit, Manchester Cityt e Birminghamit.
Që nga fitorja ndaj Arsenalit në mes të nëntorit të vitit të kaluar, Sunderland ka dështuar ta gjejë trepikëshin. Por, me rikthimin e Lee Cattermole, pas suspendimit, dhe Andy Reidit, djelmoshat e Steve Bruce e kërkojnë fitoren që u nevojitet më shumë se kurrë, ndaj Fulhamit.
“Ne nuk e kemi nisur kurrë ndeshjen me 11 futbollistë të njëjtë – ky është çelësi i një ekipi të suksesshëm, të kesh një pozitë të fortë dhe një ekip me lojtarë që luajnë së bashku javë pas jave. Ne kemi luajtur shumë rrallë me futbollistë të njëjtë. Anton Ferdinand e George McCartney luajtën përkrah meje në mesfushë kundër Arsenalit dhe dhanë 100-përqindëshin”, nënvizoi ai.
“Por, nuk është e lehtë që të jesh mbrojtës dhe ta ndërrosh pozitën, kështu që unë mundohesha t’i ndihmoja ata duke u folur mjaft gjatë ndeshjes. Sigurisht, rikthimi i Cattermole për ndeshjen e ardhshme do të jetë mjaft i rëndësishëm për ne. Po ashtu, edhe rikthimi i Andy Reidit. Unë me të vërtetë besoj se kur i kemi në skuadër 11 futbollistët më të mirë, ne mund të arrijmë sukses kundër çdo ekipi në ligë”, përfundoi Lorik Cana.