“S’jam unë fajtori, Dimraj po shkatërron Tiranën”
Sipas Devi Mukës, shefi i klubit, Rauf Dimraj, me deklaratat në media po prish klimën në ekip
Pas akuzave që ka bërë një ditë më parë në media shefi i klubit të Tiranës, Rauf Dimraj, në adresë të trajnerit dhe njëkohësisht kapitenit të skuadrës së Tiranës, Devi Muka, ku e akuzonte hapur këtë të fundit si shkaktar të skualifikimit nga kupa, dje ka reaguar Muka.
Nuk e ka pritur aspak mirë deklaratën e Dimrajt, ndërkohë që kur e pyet Mukën për akuzat e drejtorit të klubit në adresë të tij, “labi” i bardhebluve për “mikrofonin” e “Sportit shqiptar”, thotë: “Në radhë të parë, kam 3 ndeshje që e drejtoj ekipin e Tiranës dhe kam arritur 2 fitore dhe 1 humbje, madje kemi shënuar jo pak, por 4 gola ndaj Besës. Para sfidës së kupës deklarova në media se do të luaja me 4 sulmues dhe kështu veprova.
Deklaratat që Dimraj ka thënë në media, një ditë më parë për mua janë tendencioze, ai ka qenë thjesht një atlet dhe nuk më jep dot mend mua në aspektin e drejtimit të ekipit, sepse nuk di. Një njeri që ka vetëm 6 muaj te Tirana nuk mund të më akuzoj dot mua, që kam një jetë këtu dhe kam derdhur gjakun dhe djersën time vetëm që kjo skuadër të jetë në nivelet më të larta.
Kurse Dimraj, me deklaratat e tij herë pas here, më shumë se e ka ndihmuar këtë ekip e ka shkatërruar. Ai është i rrjedhur dhe nuk diskuton dot mua taktikisht. Në qoftë se kishte ndonjë gjë personale me mua, të vinte dhe të më takonte para ndeshjes dhe të bisedonim.
Se kush është Devi Muka dhe sa kam bërë unë për këtë Tiranë, e di një kryeqytet dhe Shqipëri e tërë, ndaj faktet nuk mohohen, sepse janë trofetë të arkivuara në klub. Unë u bëj thirrje këtyre njerëzve të këqinj e xhelozë, që të rrinë sa më larg Tiranës dhe të na lënë të punojmë të qetë,” - pohoi fillimisht trajneri dhe lideri i kampionëve, Devi Muka, që më pas do të shtonte: “Sa të jem gjallë, do të bëj më të mirën për klubin e Tiranës.
Edhe sikur të më çojnë mirëmbajtës në klub, do ta bëj pa lëkundjen më të vogël. Unë jam trajnerë jo për interesa, por sepse ishte zgjidhja më e mirë e momentit dhe, pavarësisht vështirësive që kishim, pranova ta bëjë një detyrë të tillë menjëherë, sepse më dhimbset Tirana.
Rolin e trajnerit, sa për dijeni të Dimrajt, di ta bëj më mirë se ai, edhe pse kam deklaruar para sfidës me Besën se nuk e bëj dot një gjë të tillë për arsye emocionale dhe nuk kam ndër mend që të bëhem trajnerë, për këtë të flenë të qetë Dimraj me shokë.
Por edhe pse na sulmojnë, unë prapë garantoj se kjo Tiranë është brenda objektivave, jemi në vend të 3-të dhe nuk po biem nga kategoria, dhe deri në fund do të jemi të dytët, pasi është edhe një fazë në lojë. Ne e kemi nisur garën si burra, pavarësisht problemeve që kemi pasur me dëmtimet e shumta, dënimet me apo pa shkak, dhe ashtu do ta përfundojmë.
Tirana të kafshon edhe kur nuk e pret. Ndaj, ziliqarë si Dimraj apo të tjerë të na lënë rehat të punojmë, madje bëjnë mirë të plaken me hallet e tyre dhe jo të botës,”- përfundoi deklaratën e tij për “Sportin shqiptar” kapiteni i Tiranës, Devi Muka.
Shpërthen Abilaliaj: Luaj se e meritoj!
Sulmuesi Arbër Abilaliaj ka mbetur i shokuar nga ajo që ka thënë shefi i klubit të Tiranës, Rauf Dimraj, në media se trajneri Muka mbajti në fushë Abilaliajn vetëm sepse e ka patriotin e tij.
Sulmuesi vlonjat dje ka “shpërthyer” dhe nuk e ka duruar dot akuzën e shefit të klubit, duke thënë: “Unë qëndrova në fushë falë këmbëve të mia dhe nuk më mbajti Devi Muka. Madje dhe Plakun e kam ndihmuar gjatë ndeshjes, i kam dhënë asist gjatë momentit kur mori penalltinë dhe shënoi golin.
Nuk jam te Tirana me asnjë ndërhyrje, por falë asaj çfarë unë kam dhënë në fushën e lojës. Tirana ndodhet në këtë gjendje vetëm për faj të Dimrajt, sepse e ka nisur me sherre dhe debate me tifozët, lojtarët, dhe konkretisht me Osmanin, që e ka fyer edhe në media. Ai nuk duhet të merret me lojtarët që derdhin djersë në fushën e lojës, por duhet të përgjigjet për atë çka bën vetë.
Dimraj duhet të mbajë kronometrin, të vejë të bëjë vrapime 3200 m dhe të stërvisë fëmijë nga Liqeni Artificial, se për këtë është i aftë. Ndaj mos të përgojojë prapa shpine dhe të hedhë poshtë djersën e lojtarëve. Ai duhet të merret me anën fizike dhe nuk i takon të flasë për taktikë,”- deklaroi i revoltuar autori i 5 golave me Tiranën në kampionat, Arbër Abilaliaj.
Bardheblutë katandisen në 7 veta!
Dje, skuadra e Tiranës nuk ka bërë pushim, por ka zhvilluar normalisht stërvitje edhe pse të mërkurën luajti për kupë dhe u skualifikua nga Besa. Seancën e djeshme e kanë drejtuar Luan Sengla dhe përgatitësi atletik, njëkohësisht edhe shefi i klubit, Rauf Dimraj.
Por edhe pse ishin lajmëruar që dje të ishin në stërvitje të gjithë lojtarët, nën urdhrat e dyshes Sengla-Dimraj, kanë qenë vetëm 7 veta, kryesisht futbollistët e stolit, Bici, Karabeci, Lilaj, Sorra, Muça dhe dy lojtarë nga të rinjtë e klubit. Pritet që në seancën e fundit stërvitore, që do të zhvillohet sot pasdite në “Skënder Halili”, grupi të plotësohet dhe skuadra të vijojë normalisht stërvitjen për t’u përgatitur për javën e parë të fazës së 3-të.
Muka shlyen dënimin
Me ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë me kavajasit ka përfunduar pezullimi prej 6 javësh i Devi Mukës, që i dha disiplinori pas incidenteve në derbi. Duket se kapiteni i bardhebluve javën e ardhshme do të jetë në fushë. Muka, edhe pse ka qenë i pezulluar dhe ka bërë detyrën e trajnerit, nuk e ka ndërprerë stërvitjen. Rikthimi i Mukës do t’u shërbejë shumë bardhebluve në fazën e 3-të të kampionatit.
Osmani dhe Dabulla, gati për lojë
Më në fund, Tirana do të jetë e plotë në javën e 1-rë të fazës së 3-të, pasi do të jenë gati Osmani dhe Dabulla, i pari jo në gjendje të mirë shëndetësore ditët e fundit dhe i dyti kthehet pas një dëmtimi të gjatë, edhe pse bardheblutë kanë dështuar në dy objektivat e tyre kryesore, titull dhe kupë. Rikthimi i tyre në formacion do ta rritë akoma më tepër konkurrencën në mbrojtje, pasi dihen vlerat e “Dabit” dhe kontributi që ka dhënë për Tiranën.
Dinamo ia faturon humbjen gjyqtarit dhe terrenit
Blutë kundërshtojnë arbitrin Sokol Çekaj për gjykimin në kupë dhe kushtet e fushës në Peqin
Blutë janë të qetë edhe pas humbjes në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë përballë Shkumbinit në aspektin e kualifikimit. Por në krahun tjetër, duke iu referuar vetëm 90 minutave të luajtura në fushën e “b(altosur)lertë”, trajneri Shkëlqim Muça ka ngritur zërin në emër të klubit kryesues të kampionatit të 71-të kombëtar.
Sigurisht, kontestimet e bluve shkojnë si për gjyqtarin kryesor, Sokol Çekaj, por edhe për terrenin në të cilin është zhvilluar kjo sfidë. Në fakt, ankesa ndaj arbitrit laçian nuk konsiston vetëm në dhënien e dy 11-metërshave kundër bluve, por për drejtmin e lojës në përgjithësi nga arbitri në fjalë.
Dhe kur dinamovitët kujtojnë ndeshjen e javës së 8-të në kampionat përballë Skënderbeut, në mendje i vjen mosakordimi i 11-metërshit ndaj Diopit në minutat e fundit të ndeshjes, kur kjo sfidë arbitrohej pikërisht nga Sokol Çekaj, të cilit i punoi bilbili duke akorduar dy penallti për vendësit.
Fusha e Peqinit: “Dihet që fusha e Peqinit është e papraktikueshme dhe është e kotë ta diskutosh si temë. Meqë ishte shtyrë dhe ndeshje e parë, nga arbitri u pa e arsyeshme që kjo ndeshje të paktën të zhvillohej. Sepse ashtu u vendos prej tij. Ne si skuadër ishim jashtë kësaj gjëjë, sepse nuk e kishim ne në kompetencë për ta vendosur moszhvillimin e ndeshjes.”
Goli i rëndësishëm: “Nuk kam çfarë të kërkoj më tepër, aq më shumë që kemi shënuar një gol, i cili është shumë i rëndësishëm për ndeshjen e kthimit. Edhe formacionin e ndërtova me ata futbollistë, të cilët i përshtateshin atij terreni. Ata që ishin në fushë dhanë maksimumin dhe nuk mund të jepnin më shumë”. Arbitri protagonist: “E kam kundërshtuar pas ndeshjes, por nuk ia vlen të flasësh më për të.
Gjyqtari ishte protagonist në atë ndeshjen dhe nuk ke ç’i thua më. Aq më tepër që kemi dhe një ndeshje kthimi përpara. Duhet të kuptojmë se, përderisa Dinamo e ka përfunduar deri diku kampionatin, atëherë dhe gjykimet do t’i kemi kundër.”
Disiplina e skuadrës: “Asnjëherë nuk ka për të dalë Dinamo jashtë natyrës së vet. Pati kontestime nga futbollistët tanë, por brenda normave të lejuara. Unë i kisha porositur futbollistët që në një terren të tillë e rëndësishme është të luash fort e të mos hapesh rrugë. Vetëm se nuk mund të luanin kundër arbitrit, që ishte i njëanshëm në të gjithë drejtimet. Unë nuk e kap vetëm te penalltitë, por në tërësi te loja. Arbitri ndikoi në rezultatin e lojës.”
Pauza e kampionatit: “Lojtarët do të kenë një frymëmarrje më tepër, të shtunë e të diel. Ata që kanë pasur lodhje do të bëjnë një stërvitje normale, nuk është periudha për t’i dhënë ngarkesë futbollistëve. Do të mbajmë ritmin e garës. E rëndësishme është se nuk kemi asnjë dëmtim”
Formacioni vs Shkumbin: “Ne nuk patëm mungesa, por ishin zgjedhjet e mia për shkak të terrenit. Sepse futbollistët që janë teknikë nuk mund të japin në atë terren dhe unë nuk kam se çfarë t’i kërkoj. Bakaj, Soza, apo Ferraj e kishin të vështirë në atë fushë,”- përfundon deklaratën e tij trajneri i bluve, Shkëlqim Muça.
Blutë stërviten “gjysmagjel” pas Peqinit
Stërvitja e djeshme e Dinamos është zhvilluar në ritme të lehta. Në këtë seancë kanë munguar ata futbollistë që janë aktivizuar ndaj Shkumbinit. Tashmë dinamovitët janë më të qetë në pritje të kalendarit të fazës së tretë, pasi diferenca +14 nga vendi i dytë, Besa, është një favor i madh për skuadrën e drejtuar nga Shkëlqim Muça.
Haxhibuliçi mund të mbetet gjatë te Vllaznia
Sulmuesi Sead Haxhibuliç e sheh ekipin shkodran në 6 ekipet më të mira në fund dhe fitues të Kupës
Ka ardhur në merkaton e janarit si një nga përforcimet e rëndësishme të Vllaznisë dhe përgjithësisht është duke e justifikuar veten. Serbi me origjinë boshnjake, Sead Haxhibuliç, arriti të mbushte më së miri vendin e lënë bosh te kuqeblutë nga largimi i kapitenit Sinani. Ai erdhi nga Apolonia në formë huazimi deri në fund të sezonit, por sulmuesi 27-vjeçar duket qartë se dëshiron të qëndrojë edhe më gjatë në Shkodër.
I pyetur dje në lidhje me ambientin që ka gjetur te skuadra e tij e re, Haxhibuliçi ka deklaruar: “Ndihem shumë mirë. Më pëlqen skuadra, më pëlqen ambienti, tifozët dhe gjithçka tjetër. Duke qenë kështu, por edhe nga fakti se më respektojnë dhe e vlerësojnë punën time, nuk ka pse të mos mendoj të qëndroj më gjatë te Vllaznia sesa deri në fund të sezonit.
Megjithatë, kjo është një çështje që do të diskutohet në fund të këtij kampionati. E rëndësishme është që deri atëherë të bëj më të mirën për këtë skuadër, në mënyrë që ajo të arrijë objektivat që ka.” Trajneri Martini ka shumë besim te ky futbollist dhe mendon se me të dhe me Balën, problemi i shënimit të golave në portat kundërshtare është i zgjidhur.
Pak problem duket ndërkohë se krijohet në ndeshjet që Vllaznia luan jashtë. Kjo ngaqë stafi drejtues është duke aplikuar një skemë të tillë që skuadra të luajë me një sulmues të vetëm. Për këtë është duke u përdorur njëfarë rotacioni, teksa në njërën ndeshje luan Bala dhe në tjetrën Haxhibuliç. Për këtë të fundit nuk duket të ketë ndonjë problem nga ky rotacion.
Duke folur në lidhje me këtë gjë, ai do të shprehej: “Asnjëherë nuk e kam konsideruar ndonjë problem nëse luaj apo jo. E rëndësishme është të jem i gatshëm për trajnerin për çdo ndeshje dhe të jap më të mirën sa herë që të më kërkohet.
Nëse luan Bala, nuk ka asnjë problem për mua, sepse ai është një lojtar i talentuar, një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit dhe prandaj nuk më bën xheloz kjo gjë. Për të gjithë ne futbollistët duhet që Vllaznia të fitojë e të ecë përpara.”
Kuqeblutë, pas dënimit të fundit të Kastriotit, kanë ngjitur një vend në renditje, duke e mbyllur fazën e dytë në vendin e tetë. Duke folur për vazhdimësinë, për fazën e tretë të kampionatit, Sead Haxhibuliç do të shprehte besimin e tij se tani e tutje rezultatet e skuadrës, pjesë e së cilës ai është, do të njohim vetëm rritje.
“E filluam jo mirë këtë vit me dy ndeshjet e para të humbura, por këto gabime i korrigjuam shpejt, duke arritur radhazi katër ndeshje të tjera me rezultat pozitiv. Besoj se kemi një skuadër të mirë, e cila mund të fitojë çdo ndeshje dhe, duke qenë kështu, jam shumë i bindur se Vllaznia në fund të kampionatit do të jetë ndër gjashtë ekipet e para dhe mund të jetë një nga kandidatet kryesore për fitimin e Kupës së Shqipërisë.
Kemi një mbështetje të zjarrtë nga tifozët, kemi një grup të mirë lojtarësh dhe po ashtu edhe një presidencë shumë korrekte, prandaj ne si futbollistë duhet t’ua shpërblejmë atyre me rezultatet e duhura,” ka thënë sulmuesi serb i Vllaznisë, Sead Haxhibuliç.
Konfirmohet miqësorja me Prishtinën
Ka marrë rrugë projekti për zhvillimin e një takimi miqësor në mes Vllaznisë dhe Prishtinës. Kjo miqësore do të luhet nesër në Shkodër, pikërisht në orët e pasdites në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”. Ka qenë vetë trajneri Martini që e ka pohuar një gjë të tillë në seancën stërvitore, që është zhvilluar sërish në një ambient të mbuluar. Dyshimi i vetëm për moszhvillimin e kësaj miqësoreje ishin kushtet atmosferike të cilat ditët e fundit kanë qenë të shoqëruar me shumë reshje shiu.
Por gjatë ditës së djeshme gjërat duket se janë përmirësuar, teksa pas shumë kohësh kanë dalë edhe rrezet e para të diellit. Duke qenë kështu, edhe nëse e njëjta situatë do jetë edhe sot e nesër, me siguri që në “Loro Boriçi” ka për t’u zhvilluar një aktivitet shumë i bukur, që do të vlejë më shumë sesa një miqësore mes dy skuadrave.
Megjithatë, trajneri Martini, më shumë se për gjithçka tjetër, është i interesuar që kjo miqësore të luhet, sepse futbollistët e tij kanë nevojë për të luajtur dhe për t’u përballur me një kundërshtar serioz, ngaqë ndërprerja e kampionatit këtë javë nuk ka qenë aspak e favorshme për ta.
Apolonia, ritëm tjetër në fazën e tretë
Pas fitores më Dinamon, fierakët kërkojnë të ngjiten në vendin e katërt, si më të mundshmin
Apolonia vazhdon përgatitjet e veta për fazën e tretë të kampionatit të superligës. Stafi teknik dhe futbollistët e skuadrës fierake ndihen më të motivuar dhe synojnë që në pjesën e tretë dhe të fundit të këtij evenimenti të propagandojnë Apoloninë më të mirë të mundshme.
Një fitore me rezultat të qartë ajo që është arritur kundër Dinamos, ka ardhur në kohën e duhur dhe ka bërë që bardhejeshilët të pretendojnë për të lënë pas një periudhë jo shumë të mirë për ta. Me suksesin e korrur ndaj Dinamos, Apolonia është ngjitur më fort me grupin e skuadrave që synojnë vendet e kreut.
Tashmë fierakët ndihen më të distancuar edhe nga zona e rrezikut, me tri pikë më shumë se shkodranët, që renditen të tetët. Megjithatë, bardhejeshilët kërkojnë të mos shohin më pas dhe të kenë si pikë orientimi vetëm shkallët e mësipërme në tabelën e renditjes. Eshtë kjo nisma e këtij ekipi që do të thotë vazhdim i pakompromis në realizimin e sa më të përafërt të objektivave që skuadra i ka besuar vetes në fillimin e këtij sezoni.
Dhe skuadra kërkon të jetë e qetë në këtë sfidë, kërkon sigurisht që të ketë edhe përkrahjen e pakursyer dhe maksimale të tifozërisë së saj, si një faktor të pandashëm të progresit që ka bërë Apolonia gjatë këtij sezoni. Ndërkohë, fierakët ndihen se po e përmirësojnë imazhin e tyre, por kanë ende shumë për të bërë, pasi një fitore ndaj Dinamos është pak dhe e pamjaftueshme.
Si kryepankina e fierakëve Lika, ashtu dhe ndihmësi i tij, Arben Ymeraj, kërkojnë nga skuadra që ta vlerësojnë fitoren që kanë marrë me Dinamon si shprehje të forcës së kolektivitetit dhe angazhimit të grupit, por assesi nuk do të dëshironin që kjo fitore të jepte doza vetëkënaqësie te futbollistët.
Kështu, është numri dy i pankinës së Apolonisë, Arben Ymeraj, ai që u rikujton edhe një herë futbollistëve të skuadrës së tij se gara ka ende shumë javë për të zhvilluar. “Ka përfunduar faza e dytë e kampionatit dhe ne jemi në gjendje që të bëjmë analizat, duke gjykuar me gjakftohtësi në lidhje me ecurinë e skuadrës sonë, është shprehur Ymeraj.
Apolonia ka zhvilluar një kampionat relativisht të mirë dhe është përpjekur në vazhdimësi që të ecë në ritmin e skuadrave që synojnë vendet e larta në tabelë. Sigurisht që nuk ka qenë kjo më e mira e pritshme nga ekipi ynë, pasi kemi lënë shumë pikë, të cilat nuk duhet t’i kishim humbur. Për momentin, ndodhemi në një grup me katër skuadra të tjera që janë vënë në një garë të fortë mes tyre, ku vetëm Tirana është paksa e shkëputur.
Ngjeshja e kampionatit ka bërë që marrja qoftë dhe e një fitoreje të vetme të të krijojë mundësinë e ngjitjes së disa shkallëve. Na ka ndihmuar fitorja që kemi arritur me Dinamon dhe ka qenë një ndeshje që i ka shërbyer mjaft skuadrës edhe në gjendjen psikologjike të saj,” është shprehur zëvendëstrajneri i Apolonisë, Arben Ymeraj.
Hoxha barazon Haxhon në portën fierake
Ai ka qenë portieri i fazës së dytë për Apoloninë dhe kjo është e veçanta te skuadra fierake. Dy “gardianët” e bardhejeshilëve e kanë “parcelizuar” kontributin e tyre për ekipin. Në fazën e parë, të 990 minutat në portë i ka mbuluar portieri Egland Haxho, ndërsa në fazën e dytë, po në të njëjtin minutazh, katërkëndorin e Apolonisë e ka mbrojtur Sulejman Hoxha. Në ndeshjen e fundit, Hoxha ka luajtur kundër ish skuadrës së tij, Dinamos dhe ka përjetuar emocione të forta në përfundim të një ndeshjeje të madhe të fierakëve, teksa kanë fituar pastër, 3 0.
Veç fitores, Hoxha ndihet mirë, pasi ka mbajtur dhe fjalën e thënë përpara këtij takim, për të mos pësuar gol. “Ka qenë një ndeshje mjaft e bukur dhe një fitore impresionuese. Jam i kënaqur që nuk kam pësuar gol, por mos mendoni se është një meritë që do ta mbaja për vete.
Gjej rastin të shpreh vlerësimet më të mira për futbollistët mbrojtës të skuadrës sonë, që kanë zhvilluar një ndeshje fantastike dhe nuk kanë lejuar hapësira për sulmuesit e Dinamos. Na duhet të vazhdojmë kështu. Apolonia ka mundësi të shfaqet më dendur në këtë formë dhe në këto nivele,” ka thënë midis të tjerave portieri i Apolonisë, Sulejman Hoxha.
Flamurtari po bën llogari të tjera
Ekipi vlonjat tani kërkon shpëtimin direkt, pa ndeshje shtesë, pasi mundësitë janë
Ekipi i Flamurtarit është njohur tashmë me vendimin e komisionit të disiplinës pranë FSHF së dhe natyrisht e sheh veten në një pozicion edhe më të mirë, krahasuar me javët e mëparshme. Pikërisht për këtë fakt, përballja e Flamurtarit në fazën e tretë do të ndryshojë krejtësisht me ekipet e tjera, pasi tashmë kalendari e sheh ekipin vlonjat në vend të 9 të të renditjes.
Por gjithsesi, te Flamurtari janë të bindur se ende nuk mund të flitet për situatë të përmirësuar, për vetë faktin se në pozicionin aktual vlonjatët rrezikojnë akoma për të luajtur në “play-out” dhe diçka e tillë është kërkuar të evitohet nga drejtuesit e Flamurtarit, por mbi të gjitha në fazën e tretë të synohet të vijohet me serinë e rezultateve pozitive.
Eshtë tashmë mbrojtësi vlonjat Franc Veliu që ndalet pikërisht në qëllimet e Flamurtarit për pjesën e mbetur të sezonit dhe, sipas tij, faza e tretë do të jetë edhe më e vështirë jo vetëm për Flamurtarin, por për të gjitha ekipet në superligë. “Ekipi është në gjendje të mirë dhe kjo është parë edhe në ndeshjet e fundit. Mendoj se ndaj Kastriotit, në takimin e një jave më parë, kemi ndërlikuar edhe vetë deri në momentin e fundit, pasi kemi pasur shumë mundësi për të shënuar golin e dytë.
Po të shohësh kronologjinë e lojës, vërehet qartë që Flamurtari ka qenë mjaft superior ndaj kundërshtarit gjatë gjithë takimit, por tashmë na duhet ta lëmë pas atë takim dhe natyrisht të mendojmë për fazën e tretë. Jemi aktualisht në vend të 9 të të renditjes dhe natyrisht synimi ynë është për t’u ngjitur më shumë në renditje, sepse i kemi mundësitë. Duke parë edhe renditjen, ekipet nuk janë shumë larg, madje deri te vendi i katërt apo i pestë nuk janë më shumë se gjashtë pikë diferencë nga vendi ku edhe ndodhemi aktualisht.
Kjo tregon se kampionati është i hapur dhe renditja mund të ndryshojë çdo javë, pasi asnjë ekip nuk e ndien veten të siguruar për të qëndruar në superligë. Ne e kemi shprehur tashmë objektivin tonë, që mbetet natyrisht qëndrimi pa ndeshje shtesë dhe besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit,” deklaron mbrojtësi vlonjat Franc Veliu.
Vlonjatët, edhe në Frakull për stërvitje
Veç fushës së aneksit pranë stadiumit dhe në raste reshjesh pallatin e sportit, ekipi i Flamurtarit ka zgjedhur edhe fushën e Frakullës gjatë kësaj periudhe për t’u përgatitur. Bëhet fjalë për një ambient shumë të mirë për të kryer seancat stërvitore dhe diçka e tillë u ka pëlqyer drejtuesve të ekipit vlonjat, ndërsa në dy ditët e fundit stërvitjet janë kryer gjatë pasdites pikërisht në këtë ambient.
Krutanët: Eshtë e kotë edhe po të apelojmë
Eshtë komentuar me nota aspak pozitive vendimi i komisionit të disiplinës në ambientet e tifozërisë krutane, që ka shkaktuar një valë pakënaqësish ndaj vendimit të marrë në dëm të skuadrës së tyre. Sportdashësit krutanë kanë fajësuar gjyqtarin kryesor Sokol Jareci si shkaktarin kryesor të gjithë këtij ndëshkimi. Përveç fitores në tavolinë, që i është dhënë skuadrës vlonjate, klubi krutan ka marrë si ndëshkim pagimin e një “fature” të rëndë, duke iu hequr edhe një tripikësh, pa harruar gjobën 1-milionëshe.
“Vendimi i disiplinorit ishte absurd. Nuk arrij të kuptoj se si anëtarët e këtij komisioni marrin vendime të kësaj natyre. Një vendim i tillë është tejet kontradiktor me provat e paraqitura. Kaseta filmike e paraqitur si provë nga ana jonë nuk është marrë parasysh.
Pamjet tregojnë qartë se fusha nuk është braktisur, gjyqtari ka gabuar jo vetëm në dhënien e 11-metërshi, por gabimi teknik thellohet në përfundimin e ndeshjes para kohe,” - shprehet kreu i ekzekutivit krutan dhe trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu.
Ndërkohë, sipas drejtuesve të skuadrës krutane, mësojmë se ata nuk do ta apelojnë vendimin e disiplinorit, pasi komisionet juridike tashmë e kanë humbur besimin. “Nuk kemi përse ta apelojmë një vendim të tillë, pasi dihet fare mirë se si do të veprohet. Prandaj është e kotë ta bëjmë një veprim të tillë. E përsëris edhe një herë, vendimi është krejtësisht absurd dhe i njëanshëm,” - thotë presidenti i skuadrës krutane, Artan Djala.
Përvoja, ajo që kualifikoi Besën në Kupë
Mancaku e Xhafaj përsëritën atë që bënë në Kavajë në ndeshjen e parë, pavarësisht se humbën
Nuk është rastësi, por fakt dhe madje më shumë se i merituar, që dy sulmuesit përcaktojnë fatin e kualifikimit të Besës në të dy takimet. Ata që kanë parë takimin e parë janë bindur se edhe golat shpëtimtarë të Besës në Tiranë janë shënuar “fotokopje” e atyre në Kavajë. Në sfidën e parë të fituar në stadiumin “Besa” ka qenë Daniel Xhafaj, që fitoi 11-metërshin dhe Mancaku e ktheu në gol.
Më pas, vetë Xhafaj sigloi golin e dytë. E njëjta pamje edhe në kthim, ku në rastin e parë Xhafaj merr 11-metërsh dhe Mancaku ekzekuton përsëri, ndërsa Xhafaj që ruan “Tatën” në gabimin e tij dhe shënon golin e dytë të Besës, ashtu si në Kavajë. Pra, kjo dyshe “fotokopjon” në fushë sfidën e Kavajës, me ndryshimin e vetëm se nëse në Kavajë fitorja ishte e pastër, në Tiranë ajo ishte mëse dramatike. I pyetur rreth këtij fakti, sulmuesi durrsak Bledar Mancaku shprehet: “Së pari, dhe më kryesorja, Besa u kualifikua me plot meritë.
Gjatë 45 mintave të para u kujdesëm të mos pësonim gol dhe ia arritëm. Se çfarë ndodhi me fillimin e pjesës së dytë, askush s’jep përgjigje dhe ishte një shock psikologjik, që e vuajtëm për minuta të tëra që për pasojë solli edhe pësimin e golit të katërt.
Përvoja na dha kualifikimin. Madje golin e dytë duhet ta kishim shënuar më parë, kur topi i gjuajtur nga Danieli mbeti në baltë në vijën fatale. Ishte kualifikimi më emocionues dhe besoj se Besa e meriton të ketë ndonjëherë edhe fatin me vete.” Nga ana tjetër, për koincidencë, futbollisti durrsak deklaron se shyqyr që ndaj Tiranës u bënë 11 veta në fushë për Besën.
Dëmtimet e shumta dhe dënimi i Arapit bëri që Besa ndaj Tiranës të kishte stolin më të dobët që nga shtatori. “Reparti i mbrojtjes ishte i improvizuar. Mungonin Dragusha, Arapi, Babamusta, Hoxha dhe as Dhëmbi, që kryen në raste halli atë rol.
Ndërsa në stol, kur hidhje sytë, kishte djem të rinj, që përballë nevojës që kishte Tirana për të fituar dhe eksperiencës, nuk mund të bënin atë që bëri Daniel Xhafaj. Për këto arsye, e vlerësoj këtë kualifikim si ndër më të rëndësishmit dhe më të vështirët.
Tani jemi të qetë, edhe për faktin se mbaroi “muaji i torturës” për Besën e nuk ka më ndeshje çdo tri ditë. Ndërprerja e kampionatit për një javë do të na shërbejë për rikuperimet e lojtarëve të dëmtuar. Pjesën e mbetur të sezonit dhe faktin që tashmë jemi gjysmëfinalistë të Kupës na bën të kthehemi në atë Besë që presin e njohin të gjithë. Jemi brenda objektivave të klubit si në kampionat, ashtu dhe në kupë,” përfundon prononcimin e tij durrsaku Bledar Mancaku.
Skënderbeu, tashmë ka të drejtë të shpresojë
Korçarët, pas plot 18 javësh, rikthehen te fitorja, ndërkohë që shpresat për mbijetesë shtohen
Skënderbeu Teuta 3 0
Shënues: Roshi 51′, 66′, Guerrib 92′
Skënderbeu: Llapanji, Lako, Çajku, Markoviç, Malindi (Doku 85′), Grizha, Roshi, Asllani (Frashëri 70′), Leskaroski, Lika, Guerrib. Trajner: M.Josa.
Teuta: Rizvani, Jakupi, Likmeta, Dushku, Ymeraj, Stafa, Hoxha, Hodo, Caca (Dosti 62′), Deliallisi (Rakipi 59′), Çota (Xhemali 83′). Trajner: Y.Shehu.
Gjyqtarë: K.Meta, E.Doda, D.Rexha (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Lika, Caca, Hoxha
“Radiografia”
11′ Çajku, nga e majta, shërben mirë për te Guerrib, por është Rizvani që ia heq topin nga koka sulmuesit korçar.
16′ Goditje këndi për Skënderbeun. Roshi çon një top të saktë te Lika, por ky i fundit nuk arrin ta shtyjë në rrjetë.
20′ Asllani për vendasit nxjerr të lirë Guerribin, i cili gjuan saktë, por është Rizvani që zhytet në baltë, duke shpëtuar portën.
21′ Kroati Guerrib sërish është protagonist, ku i vetëm përballë portës mike, gjuan dhe portieri durrsak bën mrekullinë.
29′ Në këtë minutë do të vinte edhe rasti i parë për miqtë. Hodo, pas një goditjeje dënimi, e çon topin në zonë, Llapanji gabon në grushtim, por asnjë nga futbollistët miq nuk arrin të përfitojë.
32′ Pas një goditjeje nga këndi për korçarët, Çajku me kokë nuk arrin të shënojë golin e avantazhit, pasi topi përfundon jashtë.
39′ Malindi, në një zbritje të shpejtë, del i vetëm përballë portës durrsake, por është Rizvani që bën mrekullinë.
48′ Asllani gjuan fuqishëm në hyrje të zonës, por është portieri mik që sërish bëhet protagonist me pritjen e tij.
51′ Roshi lëshon një “predhë” në hyrje të zonës dhe topi prehet në rrjetën e durrsakëve. 1 0 për Skënderbeun.
57′ Lako, nga krahu i djathtë, jep një pasim për te Çajku, i cili edhe pse i vetëm, nuk shënon dot.
62′- Çajku sërish është protagonist, ku i vetëm nuk arrin të shënojë, pasi këtë herë shpëtimtar bëhet Rizvani.
66′ Roshi, nga 20 metra, gjuan fuqishëm dhe këtë herë topi përfundon në trekëndëshin e majtë të portës mike. 2 0 për Skënderbeun.
71′ Frashëri shërben për te Guerrib, që me kokë gjuan mbi traun e portës.
81′ Malindi ka një tjetër rast të pastër, por në krahun e majtë në hyrje të zonës nuk arrin të shënojë të tretin.
92′ Guerrib shënon me kokë golin e tretë dhe të fundit për këtë takim, pas një topi të ardhur rastësisht.
Komenti
Pas plot 18 javësh Skënderbeu merr frymë lirisht, duke shënuar fitoren e parë nën drejtimin e Josës dhe fitoren e parë këtë vit. Fitore shprese mund të cilësohet kjo e djeshmja e kuqebardhëve, fitore e cila ka qenë më se e merituar edhe për atë se Skënderbeu gjatë gjithë takimit të djeshëm ka luajtur në portën e Teutës, duke kërkuar tri pikë, të cilat tashmë e ngjisin në kuotën e 18 pikëve, vetëm një pikë larg Gramozit të vendit të parafundit dhe pesë pikë larg Kastriotit, dy skuadrat që janë më pranë korçarëve.
Presidenca e re korçare duket se ka arritur të ngrejë një skuadër krejt ndryshe. Skënderbeu dje fitoi jo vetëm me gola, por edhe me lojë, ku duhet thënë se kuqebardhët kanë krijuar rastet pa fund në portën durrsake, ndërkohë që miqtë kanë zbritur vetëm një herë rrezikshëm në portën vendase.
Në Korçë, pas këtij tripikëshi, ka shenja “jete”, shenja të cilat do të shfaqen edhe më qartë ditën e diel, ku Skënderbeu do të luajë edhe ndeshjen tjetër të prapambetur përballë Shkumbinit. Josa dhe të tijtë meritojnë një “bravo” për atë që kanë dhënë dje në fushën e lojës.
Për t’u kthyer te kronika e lojës, duhet thënë se rastet kanë qenë të shumta që në fillim për vendasit, kjo edhe për shkak të rreshtimit në fushë të Josës. Malindi dhe Guerrib kanë qenë dy sulmuesit e deklaruar për Skënderbeun, ndërkohë që miqtë nga Durrësi me vetëm një sulmues, si Çota, nuk kanë rrezikuar pothuajse asnjëherë seriozisht portën e Llapanjit. Guerrib dhe Roshi janë dy lojtarët që kanë humbur dy rastet e para në minutat e 11 të dhe të 16 të.
Pas këtij momenti është përsëri kroati Guerrib që brenda një minute nuk arrin të shënojë në të dy rastet, kjo falë formës mjaft të mirë të portierit Rizvani, që dje ka qenë në fushë lojtari më i mirë për Teutën. Miqtë vetëm në minutën e 29 të kujtohen të zbresin dhe falë një gabimi të Llapanjit dhe jo meritë të tyre.
Deri në fund të pjesës së parë Skënderbeu vazhdon të sulmojë, ku Çajku, Malindi dhe Guerrib duhej të kishin shënuar golin e avantazhit. Me rrjeta të paprekura përfundon 45-minutëshi i parë. Në pjesën e dytë, edhe pse nuk ka ndryshime në formacion, loja ka filluar me presion të madh të korçarëve, ku tri goditje nga këndi radhazi flasin qartë se Skënderbeu e kërkon me ngulm golin.
Asllani jep sinjalin e parë në të 48 ën minutë, ndërkohë që në minutën e 51 të do të vinte goli i avantazhit për vendasit. Eshtë Roshi, që pas një topi nga e djathta, lëshon një “predhë” në hyrje të zonës dhe topi prehet në rrjetën e Rizvanit. Skënderbeu bëhet më i rrezikshëm pas shënimit të golit, ndërkohë që miqtë nuk gjejnë forca të reagojnë. Në të 66 ën minutë Skënderbeu do të merrte frymë lirisht.
Eshtë Roshi që sërish “qëndis” një gjuajtje që përfundon vetëm në trekëndëshin e majtë të portës durrsake. Një gol që do të mbahet mend gjatë në Korçë. Edhe pas këtij goli miqtë nuk arrijnë të reagojnë, edhe pse trajneri Shehu ka kryer jo pak, por të tri ndërrimet e nevojshme. Kur të gjithë prisnin vërshëllimën e fundit të ndeshjes, nuk kishte se si të dilte nga fusha pa gol kroati Guerrib, i cili në minutën e dytë shtesë, nga pesë të tilla, kërcen me kokë dhe shënon edhe golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes.
Pas vërshëllimës së gjyqtarit Meta, në Korçë ka festë. Skënderbeu, më shumë se kurrë, tani shpreson se mund të shpëtojë. Asgjë nuk është e pamundur, kur kujton se për korçarët ka edhe 12 ndeshje deri në fund, ndërkohë që kjo fitore do të konfirmohet edhe më shumë, nëse kuqebardhët arrijnë të ndalin edhe të dielën në shtëpinë e tyre Shkumbinin.
Deklarojnë…
Mirel Josa, trajner i Skënderbeut: “Tri pikët e sotme (të djeshme) ndaj Teutës janë normale. Bëmë detyrën në fushën tonë, por kjo nuk duhet të na çojë në eufori. Skuadra ka luajtur shumë mirë, sidomos në pjesën e dytë. Unë e kam thënë edhe kur kam qenë trajner i Teutës, që skuadrat në kampionatin shqiptar kanë diferencë shumë të vogël mes njëra tjetrës. Patëm pak vështirësi në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën luajtëm shumë mirë.”
Ylli Shehu, trajner i Teutës: “Më vjen keq që humbëm në Korçë me këtë rezultat të thellë, por sidoqoftë loja në fushë nuk ka qenë e tillë sa të mundeshim me tre gola. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, ndërkohë që në të dytën u ndëshkuam vetëm me dy goditje nga jashtë zonës. Këta gola ndikuan edhe në psikologjinë e lojtarëve të mi, të cilët lëshuan shumë.”
Të veçanta
Mbi 4 mijë sportdashës e kanë ndjekur ndeshjen e djeshme në Korçë, si asnjëherë këtë sezon.“Forca Ujqërit e Dëborës” dhe “Faleminderit z.Bode” kanë qenë dy pankartat e vendosura nga tifozët. Kjo e fundit ka sjellë edhe problem, pasi gjyqtari në minutën e 83 të ka ndalur lojën për një minutë, duke kërkuar heqjen e kësaj pankarte.
Në tribunën e stadiumit, në mungesë të presidentit Agim Zeqo, ka qenë prefekti i Korçës, Andrea Mano.6 milionë lekë për gjithë skuadrën ka qenë premioja për fitoren e Skënderbeut.
Luftëtari, Hysi pret tripikëshin me Burrelin
Trajneri Mustafa Hysi, i indinjuar nga humbja e fundit, kërkon kapërcimin e rezultateve negative
Kur një trajner u pyet se kush e realizoi golin, ai u përgjigj: Arbitri. Kjo përgjigje realisht shpreh një të vërtetë në një masë të konsiderueshme, jo vetëm për kampionatet tona, por edhe më gjerë. Në disa ndeshje edhe Luftëtari ka qenë “viktimë” e gjyqtarëve, të cilët edhe me vetëdijen e tyre po krijojnë probleme. E thënë shkurt, ka ndeshje që përfundojnë sipas dëshirave të gjyqtarëve dhe kështu hidhen në erë investime dhe objektiva, duke sjellë konflikte dhe jo rrallë grushte.
Luftëtari disi “lehtë” u penalizua me Bilisht Sportin, ku humbi në minutën e 94-t, ndërsa tani pret Burrelin “mbretëror” me dy ndeshje më pak dhe larg “fronit”. Trajneri i gjirokastritëve, Mustafa Hysi, shprehet: “Çdo humbje ka të njejtin efekt në renditje, por kur ajo vjen më tepër nga faktorë të jashtëm, është më e hidhur, irrituese dhe shumë e mërzitshme.
Të luash mirë, të kalosh në avantazh dhe jo për merita të kundërshtarit të humbasësh, të bën më pesimist sesa duhet. Ne humbëm me Bilisht Sportin jo vetëm për mungesë fati, por edhe nga sa përmenda. Ndeshja me Burrelin ka vështirësitë e saj dhe ne jemi munduar gjatë javës që ta ngremë moralin e lojtarëve tanë, për t’i kapërcyer rezultatet e pakënaqëshme të tri ndeshjeve të fundit, ku kemi marrë 1 pikë.
Duhet të kthehemi te fitorja, jo vetëm se luajmë në fushën tonë, por edhe sepse i kemi mundësitë për të luajtur në një nivel të kënaqshëm. Shembulli i fundit ishte premiera e fazës së dytë me Lushnjën. Pra, presim edhe të dielën të kemi atë Luftëtar.
Matjanët e çlodhur sfidojnë gjirokastritët
Dy ndeshje mangët kanë matjanët për fazën e dytë, pasi terreni i rënduar nuk i ka lejuar t’i zhvillojnë. Të shtunën ata do të kthehen në fushë pikërisht në stadiumin e Gjirokastrës, ku i pret Luftëtari vendës. Të dy ekipet e kanë të vështirë të jenë në 4-shen e parë, por gjithsesi duan t’i shfrytëzojnë shanset e tyre. Burreli është mjaft i përgatitur për këtë ndeshje, edhe sepse nuk luajti javën e fundit, ndaj drejtuesit dhe futbollistët e tij besojnë se nuk do të kthehen pa pikë nga Gjirokastra.
Madje trajneri Vladimir Gjoni është i bindur për rezultatin pozitiv, kur thotë: “Nuk ka arsye pse të mos besojmë për 3 pikë me Luftëtarin. Ne kemi kohë që përgatitemi për këtë ndeshje, ku do të shkarkojmë të gjitha “bateritë”. Burreli do të luajë me një skemë ndryshe në këtë ndeshje, që them se do të na japë rezultatin që kërkojmë. Futbollistët që do të aktivizohen, duhet të bindin se janë të dobishëm për ekipin, që do të sulmojë për të arritur fitoren.” Matjanët do të nisen që sot drejt Gjirokastrës, për të qenë sa më të freskët e të qetë para ndeshjes me Luftëtarin.
Elbasani “i trembur”, kërkon drejtësi në Kamzë
Drejtuesit e klubit verdheblu shpresojnë për një gjykim sa më korrekt në ndeshjen e nesërme
Problemet që kanë kaluar në disa fusha gjatë këtij kampionati, sidomos me gjykimin, i kanë frikësuar disi verdheblutë, që para sfidës me Kamzën kërkojnë korrektesë. Elbasani ka humbur jo pak pikë deri tani në transfertë dhe shpesh humbja apo dhe barazimi i është faturuar gjykimit dhe ashpërsisë së kundërshtarit. Drejtuesit e klubit, duke parë mënyrën sesi po shkojnë gjërat në futbollin shqiptar, kërkojnë nga federata, veçanërisht nga sektori i gjykimit, që në ndeshjen me Kamzën te jetë një treshe me eksperiencë.
Duke iu referuar ndeshjeve në Ballsh, Lezhë dhe Gramsh, elbasanasit duan që federata t’i monitorojë ndeshjet e mbetura me kujdes. “Shpresojmë në një gjykim korrekt në Kamzë, por edhe federata duhet të marrë masa për këtë gjë. Fusha e Kamzës është e mirë dhe duam të fitojë ai që ta meritojë.
Luajtëm për kupë atje dhe nuk patëm probleme, ndaj dëshirojmë që e njëjta gjë të ndodhë edhe këtë radhë. Do të ishte shumë pozitive, nëse gjykimi do të ishte në lartësinë e duhur,” - thotë mes të tjerash mbrojtësi Armand Mehmetaj. Nga ana tjetër, edhe pse stërvitja është zhvendosur shpesh në kalçeto, trajneri Alimehmeti e ka të qartë strategjinë për ndeshjen e radhës.
Nisur nga ajo çfarë skuadra paraqiti në ndeshjen me Pogradecin, është punuar më shumë në mesfushë, repart që duhet të jetë sa më kompakt. Endri Dalipi, një lojtar i rëndësishëm në këtë repart, premton se skuadra do të jetë më e përgjegjshme në këtë 90-minutësh: “Me Pogradecin nuk ishim në ditën më të mirë, por me Kamzën do të jetë ndryshe. Do ta shihni si do të funksionojë formacioni ynë, pasi atje shkojmë për të fituar. Nuk i trembemi faktit që Kamza është e pathyeshme në fushën e saj,” - tha Dalipi për “Sportin shqiptar”.
E.Dalipi: Klevisit i uroj fat, por jo këtë herë
Për mesafushorin e Elbasanit, Endri Dalipi, të shtunën do të ketë edhe një sfidë brenda familjes, pasi do të ketë kundër vëllanë e madh, Klevisin. “Na ka ndodhur edhe më parë të jemi kundërshtarë, por secili bën
Verdheblutë grumbullohen para ndeshjes
Skuadra verdheblu do të bëjë sot seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Kamzën, ndërsa dje është dhënë urdhri për grumbullimin në hotelin e klubit.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se sot pasdite skuadra do të niset drejt Tiranës, për t’u sistemuar në një prej hoteleve në periferi të saj. Drejtuesit kanë menduar që lojtarët të jenë sa më të qetë psikologjikisht para ndeshjes së nesërme.
Çuko: Kjo Lushnjë ia vlen të jetë në superligë
Ndihmëstrajneri Dritan Çuko beson te fitorja me Pogradecin, pavarësisht mungesave
Tashmë ka një ditë të përcaktuar për ndeshjen me Pogradecin, që është e hëna. Ky është konfirmimi i zyrtarëve të klubit lushnjar për transfertën e radhës. Kjo është një anë e mirë për të dy ekipet, sepse nuk u leverdis që ndeshja të shtyhet.
Dhe për më tepër lushnjarët, të cilët janë në formë, pas fitores me Kamzën. Verdhëjeshilët kanë bërë dje stërvitje në aneksin përbri stadiumit “Roza Haxhiu”, të ndihmuar nga përmirësimi i kushteve atmosferike nga njëra anë, por edhe nga fiksimi i një date për ndeshjen me Pogradecin. Stafi teknik ka më shumë kohë për ta përgatitur ekipin dhe sot mund të mësohet formacioni titullar, pasi në stadium do të luhet një ndeshje kontrolli, ku do të duket gjendja e çdo futbollisti.
Dritan Çuko, ish-futbollist i Lushnjës, aktualisht pjesëtar i stafit teknik, mendon se Pogradeci është një ndeshje vendimtare. Sipas tij, edhe pse Lushnja ka dy mungesa të rëndësishme në mesfushë, Topi dhe Byzhytin, i ka mundësitë për pikë. “Kemi edhe disa ditë në dispozicion për ndeshjen e rëndësishme me Pogradecin, një kundërshtar që meriton vlerësim maksimal, pasi është pretendent për 4-shen e parë.
Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, ne si staf teknik nuk e kemi neglizhuar planin stërvitor. Vijmë pas një fitoreje të rëndësishme në shtëpi dhe u kemi kërkuar futbollistëve të mbajnë ritmin e rezultateve pozitive, edhe pse kemi dy transferta radhazi shumë të vështira,” - shprehet Çuko. Kampionati sa vjen e bëhet më i fortë, ndërsa lushnjarët mbeten të bindur në arritjen e rezultateve, që do t’u mundësojnë ngjitjen në superligë.
Çuko e ka të qartë shkallën e vështirësisë, por e sheh të mundshme fitoren me Pogradecin. “Në disa ndeshje nuk e kemi pasur të plotë formacionin, ashtu si dhe këtë javë. Do të bëjnë kujdes për të gjetur më të mirën e mundshme për të qenë fitues. Mjafton që ndeshja të luhet brenda rregullave. Në fushë do të shihni një Lushnjë, që ia vlen të jetë mes më të mirave të futbollit shqiptar sezonin tjetër,” - e ka mbyllur fjalën e tij për “Sportin shqiptar” Dritan Çuko. Ndeshja e sotme e kontrollit pritet me interes në kampin lushnjar.
Bilishtarët, të përqendruar te Sopoti
Bilisht Sporti ka dy ndeshje të prapambetura dhe njëra prej tyre, ajo me Skraparin, ishte planifikuar të luhej në mesjavë, por nuk ka ndodhur kështu. Në fakt, fusha ka qenë gati, pasi ditët e fundit moti ka qenë realitivisht i mirë, por nuk ka ardhur njoftimi zyrtar nga federata për zhvillimin e ndeshjes. Kështu, bilishtarët e kanë kthyer vëmendjen te transferta me Sopotin, ku besojnë se mund të marrin një rezultat pozitiv. Ata nuk e paragjykojnë ekipin librazhdas, që po kalon një situatë të vështirë, por po bëhen gati të zhvillojnë një ndeshje shumë të vështirë.
Kapiteni Ervin Kotomelo dhe Edvin Macolli do të luajnë që nga minuta e parë, por do të mungojë mbrojtësi Kote. Për transfertën e nesërme, kapiteni Kotomelo thekson: “Jemi në një moment të mirë dhe këtë e treguam me Luftëtarin, edhe pse fituam në fund. Jemi të qetë para Sopotit, ku e dime që nuk do ta kemi të lehtë.
Do të jetë një ndeshje e vështirë, jo vetëm se luhet në transfertë, por edhe sepse Sopoti lufton për të mbijetuar dhe në shtëpi kërkon patjetër fitore. Do të thosha se jemi të motivuar dhe shpresoj që në Librazhd ta thyejmë tabunë e transfertave, ku deri tani nuk kemi marrë më shumë se një barazim. Një fitore në Librazhd na afron më shumë me objektivin, duke pasur parasysh se kemi edhe dy ndeshje të tjera të prapambetura.”
Partizani, tripikëshi i Lezhës “gatuhet” në baltë
Të kuqtë prej ditësh stërviten në terrene të vështira, megjithatë synimi i të kuqve është fitorja
Partizani i vitit 2010 ka tjetër fytyrë nga ai i fazës së parë, pasi grupi aktual i ka thyer tabutë që i shoqëruan të kuqtë në 15 javët e para, ku më e freskëta është arritja e dy fitoreve rresht. Sipas drejtuesve, stafit trajnues, lojtarëve dhe dashamirësve të Partizanit, ecuria e javëve të fundit është rruga e duhur që skuadra duhet të ndjekë për t’u rikthyer në kategorinë superiore. 180-minutëshi i fundit ka qenë fatsjellës për kryeqytetasit, pasi skuadra ka shënuar dhe ka marrë pikët maksimale. Nesër Partizanin e pret një ndeshje e vështirë, pasi do të luajë në transfertë me Besëlidhjen.
Të kuqtë janë të vetëdijshëm se çfarë kërkojnë në Lezhë, prandaj gjatë gjithë javës është punuar që skuadra të mos ndalet, pasi vetëm fitorja i plotëson shijet e “demave”. Trajneri Skerdi Bejzade shpreson se të besuarit e tij do të dinë të shprehen mirë edhe kësaj radhe, megjithëse ekziston frika e ndonjë rezultati jo të favorshëm. “Partizani shkon komod drejt Lezhës, sepse në dy takimet e fundit janë fituar pikët e plota dhe tashmë grupi ka besim të plotë se fitorja është e mundshme si brenda dhe jashtë fushë.
Tripikëshi është i vetmi synim që kemi për këtë sfidë. Objektivi është që ekipi ta kapë superligën në mënyrë direkte, pa pasur nevojë për ndeshje shtesë. Ky synim arrihet duke grumbulluar sa më shumë pikë dhe hapat false të mos jenë pjesë jona. Prandaj jemi përgatitur që nga Lezha të largohemi me fitore,”- u shpreh për “Sportin shqiptar” kuksiani Rraman Hallaçi.
Partizani e ka orkesin e madh, por duhet thënë se prej ditësh futbollistët janë përgatitur në kushte të vështira. Terrenet e klubit janë armiku kryesor i “demave të kuq”, pasi është harruar dita kur lojtarët janë stërvitur në kushte optimale. Balta dhe uji i shoqërojnë të kuqtë çdo ditë, gjë e cila ka ndikuar edhe në gjendjen fizike të tyre. Para fillimit të çdo seance ka lojtarë që shfaqin pasojat e përgatitjeve të një dite më parë, pasi terreni i keq është burim lëndimesh.
Dje sulmuesi Alban Dashi ka qenë larg grupit, pasi ndihej i bllokuar nga përgatitja e një dite më parë, ku të kuqtë kryen një ndeshje kontrolli në fushën e baltosur. “Nuk po na thahen këpucët, pasi çdo ditë stëvitemi në baltë e ujë”. Ky ishte refreni i lojtarëve të kuq para fillimit të seancës së djeshme, e cila është zhvilluar në terren të rënduar. Pra, e përgjithshmja është se Partizani po e “gatuan” në baltë fitoren e transfertës me Besëlidhjen.
Shkurt
-Kapiteni Luan Pinari duket se e ka kaluar dëmtimin dhe tashmë ndihet plotësisht i gatshëm për ndeshjen me Besëlidhjen. Seanca e djeshme ka konfirmuar riaftësimin e mbrojtësit.
- Sulmuesi Rezart Maho, pas seancave fizioterapiste, dje është përgatitur në terren së bashku me shokët e skudrës. Mendohet se Maho do të jetë pjesë e grupit që do të udhëtojë në Lezhë, por aktivizimi i tij do të jetë në dorë të stafit trajnues.
- Me seancën e paradites së sotme të kuqtë u japin fund përgatitjeve për takimin me Besëlidhjen. Seanca do të zhvillohet në klub dhe pasdite të kuqtë do të grumbullohen në Shëngjin.