Titujt bombastikë të medieve, ovacionet në drejtim të tij, statuja e ndërtuar prej dhjetë metrash tregojnë se Cristiano Ronaldo është bërë njeriu më i dashur i tifozerisë madrilene.
Të dielën mbrëma, kur CR9 është futur në sallën e restorantit Txistu, të gjithë janë ngritur në këmbë për ta duartrokitur heroin e tyre të ri sportiv. Golin e tij të dhjetë të shënuar fundjavën që shkoi, ylli portugez ua dedikoi viktimave të katastrofës natyrore të Madeiras, tokën në të cilën është lindur dhe është rritur.
Ai gjithashtu e ka shprehur gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në një ndeshje humanitare të organizuar në Porto. Por, më pak gjentil Ronaldo është treguar të dielën, kur gjyqtari dha penalltinë e dytë kundër Villarreal. Reali po fitonte 5-2, ndërsa Xabi Alonso u afrua tek topi për ta ekzekutuar penalltinë.
Mirëpo, aty u afrua edhe Ronaldo, që dëshironte ta shutonte penalltinë. Alonso e quajti gënjeshtar Ronaldon, i cili i kishte premtuar para ndeshjes se do ta linte ta ekzekutojë penalltinë, në mënyrë që ish futbollisti i Liverpoolit ta shijojë golin e parë në Santiago Bernabeu.
Pasi Alonso shënoi nga pika e bardhë, Ronaldo nuk reagoi aspak. Derisa Ronaldo dita-ditës po ua merr zemrën tifozëve të Realit, kjo nuk mund të thuhet edhe për Leite Kaka, i cili nuk ka dhënë aq sa është pritur për klubin mbretëror spanjoll.