Rilindja e Romës është sigurisht fryt i punës së Klaudio Ranierit. Ish-trajneri i Juventusit, midis lëvizjeve të shumta me të cilat ka ndryshuar skuadrën verdhekuqe ka bërë që më shumë se të gjitha të tjerat të japë rezultatet që priteshin ringjallja e talentit, Mirko Vuçiniç. Sulmuesi malazias, me Luçiano Spaletin nuk ishte plotësisht bindës, edhe për shkak të marrëdhënieve jo shumë të mira midis trajnerit dhe lojtarit, që pasqyroheshin edhe në mendimet e tifozëve. Ata që ishin kundra Mirkos ishin të shumtë, mbi të gjitha në fillimin e kampionatit kur ai nuk arrinte të shënonte.
Ranieri, me një stil më të “ëmbël” se ai i Spaletit, i ka dhënë besim dhe për shkak të problemeve fizike që kanë patur Toti e Toni, dhe me paraqitjet jo shumë të mira të Menez dhe Baptistës, Vuçiniç është bërë sulmuesi vendimtar i Romës, pothuaj i pazëvendësueshëm. Nuk ka shënuar shumë (5 gola), por të gjithë të rëndësishëm. Ai i vetëm u ka dhënë 9 pikë verdhekuqve, me tri të fundit që kanë ardhur në takimin e së dielës së kaluar kundër Katanias. Dhe është edhe falë tij që tani Roma mund të ëndërrojë të kapë Interin.