Zëvendëspresidenti i klubit vjollcë, Andrea Dela Vale: Nuk na duan në Champions
Andrea Dela Vale ka ndërhyrë në mënyrë të ashpër dy ditë pas ndeshjes së kampionatit, që Fiorentina humbi me Milanin. Zëvendëspresidenti vjollcë ka sulmuar gjyqtarin e ndeshjes: “Gjykimi i Rozetit ka qenë skandaloz, - tha ai, - por nuk do të kërkoj përgjigje për këtë, sepse nuk i dua. Pyes vetëm sesi Kolina caktoi pikërisht këtë gjyqtar për ndeshjen, pasi, duke parë precedentët, nuk ishte shumë i qetë. Ndoshta Fiorentina ka filluar të shqetësojë ndonjë…”. Andrea Dela Vale është një “lumë i fryrë” dhe duhet kuptuar.
Ai shpjegon: “Besoja se pas padrejtësisë në Mynih, kisha parë gjithçka, por s’është kështu. 11-metërshi ndaj Montolivos ishte i saktë”. Aksioneri i klubit vjollcë vazhdon: “Me ndeshjen ndaj Milanit besoj se këtë vit ka dështuar përfundimisht mundësia e kualifikimit në Ligën e Kampioneve. Kthimi për të katërtin vit radhazi në Champions ose lufta për vendin e katërt, mund të shqetësonte dikë… Një qëndrim nga ana jonë në këtë pikë është i detyrueshëm, na është prekur dinjiteti ynë, i skuadrës, i qytetit. Unë jam shumë i inatosur, i indinjuar, siç është dhe vëllai im Diego.
Mbizotërimi ynë ka qenë absolut dhe e meritonim të fitonim. Nuk pretendoj përgjigje, por pyes sesi u caktua sërish Rozeti të gjykojë Fiorentinën pas rasteve të mëparshme?”. Të mërkurën në mbrëmje dikush u përpoq të shpjegojë mungesën e dhënies së 11-metërshit me vendimin e Rozetit për të lejuar rregullin e avantazhit.
“Nuk është kështu, sepse Rozeti i tha Montolivos ‘çohu’. Dhe ai i Keirrisonit nuk ishte absolutisht një rast i qartë për gol. Nëse ka gjyqtarë jo të të qetë për të gjykuar Fiorentinën, si Rozeti, besoj se mund të mos caktohej. Të gjithë e panë 11-metërshin. Tani duhet të shohim për objektiva të tjerë. E përsëris, nuk dua shpjegime, dua të kuptoj ç’të keqe ka bërë Fiorentina. Doja vetëm të kujtoja që klubi është këtu, që nuk mund t’ia hedhë asnjë”.