Prishtinë, 24 shkurt - Sulmuesi i Koblenzit, Njazi Kuqi, ishte i rëndësishëm për skuadrën gjermane në kohën kur ajo drejtohej nga trajneri Uwe Rapolder, por jo edhe tash, pasi ka ardhur trajneri i ri, Petrik Sander. Kuqi e pranon se ka humbur vendin në përbërjen e parë, por jo vetëm ai ka këtë fat. Fat të njëjtë kanë edhe shumica e shqiptarëve që aktivizohen në këtë klub, e nuk janë pak - gjithsej katër. Në vjeshtë ishin edhe më shumë - gjashtë.
26-vjeçari Kuqi thotë se me ardhjen e Sanderit futbollistët shqiptarë janë lënë anash, me përjashtim të Edmond Kapllanit dhe herë pas here të Ervin Skelës.
"Nuk janë mirë punët me klub. Me ardhjen e trajnerit të ri ende nuk më ka ardhur rasti të aktivizohem. Jam i përgatitur mirë dhe jam i gatshëm ta tregoj veten në momentin që ma jepet mundësia nga trajneri për të luajtur. Jemi lënë anash nga trajneri i ri të gjithë shqiptarët përveç Kapllanit dhe Skelës që aktivizohet herë pas here", ka thënë sulmuesi i Koblenzit, Njazi Kuqi, të hënën për gazetën.
"Klani" i futbollistëve shqiptarë në Koblenz ishte i fortë në pjesën vjeshtore, gjithsej ishin gjashtë shqiptarë dhe shumë prej tyre aktivizoheshin vazhdimisht. Madje, kapiten ishte Shefki Kuqi, por ai në përfundim të edicionit vendosi të largohet në drejtim të Anglisë i pakënaqur me forcën e ekipit. Më pas ikën edhe Almir Murati e Renaldo Rama. Treshës së mbetur: Njazi Kuqit, Ervin Skelës e Shqipëron Skerajt, në janar iu bashkua edhe Edmond Kapllani.
Në ndeshjet e fundit vetëm Kapllani ishte titullar. Skela herë luante e herë qëndronte në bankë, kurse Kuqi e Skeraj shpesh nuk ishin as në bankën e rezervistëve.
Sulmuesi i Përfaqësueses së Finlandës, Njazi Kuqi, thotë se trajneri i ri ka sjellë me vete shumë lojtarë...
"Trajneri i ri ka sjellë lojtarë të rinj dhe po i aktivizon ata, është i dhënë më shumë pas gjermanëve. Neve, sidomos të huajve, nuk na ka shumë në plane. Tash e disa ndeshje nuk po llogarit në mua fare", ka shtuar Kuqi.
Njazi Kuqi me skuadrën e Koblenzit është aktivizuar 13 herë para se të vinte Sanderi dhe ka shënuar dy gola, ndërsa Shqipron Skeraj ka 17 paraqitje.
Koblenzi bën gara në kategorinë e dytë të Gjermanisë dhe është në gjendje të vështirë - po lufton për ekzistencë.