Trajner i Italisë beson se përvoja është gjëja më e rëndësishme në një kampionat prestigjioz futbolli
Kur mungojnë edhe katër muaj nga fillimi i Botërorit afrikanojugor Marçelo Lipi duhet të zgjedhë edhe 5-6 lojtarë për të kompletuar përfundimisht listën e futbollistëve që do të përfaqësojnë Italinë në Kupën e Botës, verën e ardhshme. “Duhet vetëm të kompletoj listën. 16-17 futbollistë janë të sigurtë, më mungojnë edhe 5-6 të tjerë për të plotësuar grupin”, ka thënë Lipi, i cili gjithashtu ka pranuar se Brazili do të jetë ekipi favorit në Afrikën e Jugut.
“Në Botëror gjithçka mund të ndodhë. Brazili është skuadra favorite, por Spanja, Gjermania, Anglia, Franca dhe Italia janë kombëtare në gjendje për të arritur çdo objektiv”. Në lidhje me kualifikimin e Francës pas çështjes Henri: “Çështja është mbyllur, FIFA ka vendosur të mos marrë asnjë masë, me të drejtë, përndryshe do të ishte krijuar një precedent.
Them vetëm se do të kishte qenë një mesazh shumë i bukur nëse Federata Franceze do të kishte kërkuar përsëritjen e takimit me Irlandën”. Përsa i takon kapitullit të arbitrave, që kohët e fundit është diskutuar shumë si në Serinë A, ashtu edhe në Champions Ligë: “Nuk njoh njerëz që nuk gabojnë. Ata që kritikojnë vendimet e arbitrave janë duke ekzagjeruar. Në të kaluarën më ka ndodhur edhe mua”.
Më pas, trajneri i “axurrëve” është shprehur dakord me Ançelotin për mënyrën sesi e ka trajtuar çështjen Terri: “Unë do të kisha bërë si Karlo, sepse nuk futem tek jeta private e lojtarëve. Por nuk kritikoj Kapelon, ai duhej të përballej me gjëra të ndryshme”, ka thënë Lipi, që në vazhdim është shprehur optimist për ecurinë e skuadrave italiane në Champions Ligë. “Milani nuk meritonte të humbte, - ka thënë ai, -por mund të përmbysë gjithçka në Mançester. Fiorentina është ndëshkuar nga një gabim absurd, por asgjë nuk e ndalon të mposhtë Bajernin në fushën e vet. Interi ka 50% të mundësive të kualifikohet”.
Ndërkohë, duket se Zakeroni ka ringjallur Juventusin: “Ka patur një reagim pozitiv nga skuadra, lojtarët e kanë kuptuar që kishte ardhur momenti për të dhënë gjithçka. Një nga problemet kryesore të bardhezinjve kanë qenë dëmtimet, por Zakeroni ka rikthyer qetësi dhe eksperiencë”. Një problem ky që shqetëson edhe trajnerin e Italisë në pritje të Botërorit: “Rekuperimet e lojtarëve nga dëmtimet e ndryshme nuk janë të shpejta.
Mendoj për Iakuintën, Kamoranezin. Toti? Mendoj edhe për të, megjithatë më 3 mars kundër Kamerunit do të ketë ndonjë emër të ri (Bonera?)”. De Rosi ka thënë se është më mirë të shkohet në Botëror me 30-vjeçarë se me 18-vjeçarë. “Nuk do të jetë një problem për të, do të ketë shumë lojtarë sipër të tridhjetave sepse në një muaj sa zgjat botërori një apo dy vite më shumë nuk ndikojnë, teksa eksperienca është e rëndësishme. Nesta?
Kam folur me të dhe do të flas përsëri gjatë kësaj jave. Kë do të doja si pasardhësin tim? Unë mendoj vetëm për Kupën e Botës dhe nuk mund të përqendrohem tek ajo që mund të ndodhë më pas. Kam një marrëdhënie të mirë me presidentin e federatës, Abete, dhe kam folur qartë me të. Edhe pse, nëse Lipi do të qëndrojë ose jo kur Botërori të përfundojë, nuk ka asnjë rëndësi”, ka thënë tekniku i “axurrëve”.