26 shkurt 2010

Leonardo: Ishte 11-metërsh për Fiorentinën

Trajneri pranon se Rozeti gaboi në episodin ndaj Montolivos. Pato: Fitore për të gjithë
Milani ka rihapur luftën për titull dhe pas fitores në fund të ndeshjes kundër Fiorentinës, Leonardo lavdëron skuadrën për këtë rezultat: “Dhamë në fushë të gjithë karakterin tonë, është një fitore që vjen nga taktika dhe teknika jonë, thotë trajneri i Milanit.
- Ishte shpirti i garës, që na çoi te kjo fitore”. Për sa i përket 11 metërshit të dyshimtë që kërkoi Fiorentina, por që nuk u vërshëllye nga Rozeti, Leonardo pranon: “Sipas meje ishte 11 metërsh, sepse ishte një faull ndaj Montolivos dhe ndoshta gjyqtari lejoi epërsinë e aksionit, duke parë që në të vërtetë Keirrisoni arriti të godasë, por Abiati u tregua i zoti duke e devijuar topin dhe duke na shpëtuar”.
Leonardo nuk vlerëson një ose dy lojtarë, por të gjithë grupin: “Sot (dje) është për t’u lavdëruar e gjithë skuadra. Hyrja në fushë e Flaminisë ka qenë e shkëlqyer, luajti një ndeshje të madhe, mbrojtja vuajti pak, por gjithsesi qëndroi siç e donim.
Ronaldinjo ishte shumë mirë po ashtu, ishte vendimtar. Pirlo pati vështirësi, sepse markohej nga afër, por e dinim që duhej edhe të vuanim”. Ndoshta protagonisti kryesor i ndeshjes ndaj vjollcëve, Aleksandro Pato, komenton suksesin, që mori Milani “in extremis”. “Fiorentina luajti një ndeshje të madhe, por fituam ne, shpjegon braziliani.
- Është bukur të fitosh duke marrë këto pikë kaq të rëndësishme. Ndjekja ndaj Interit? Them vetëm të mendojmë për të fituar, të gjitha rezultatet varen nga ne, jemi gati të vazhdojmë të punojmë. Milani luan thjesht dhe për të shënuar. Leonardo? Jemi me të dhe me të, jemi të bashkuar, nënvizon Pato. Duhet të bëjmë të pamundurën për gjithçka, për tifozët që ishin në Firence. Kjo skuadër luan dhe fiton për të gjithë”. Ndërkohë Fiorentina ka vendosur heshtje shtypi për shkak të gjykimit të Rozetit.