
Sulmuesi 33 vjeçar ka dëshirë që t’i ndihmojë Swanseas në derbin ndaj Nottingham Forest, që është ndeshja e parë nga shtatë sosh që Swansea do t’i zhvillojë brenda muajit mars.
“Unë kam biseduar me trajnerin e Finlandës dhe ai e ka kuptuar situatën time”, ka thënë Kuqi për ueb faqen zyrtare të Swanseas.
“Ne kemi shtatë ndeshje në mars, prandaj është shumë kohë e zënë. Këtu përfshihen edhe shumë udhëtime, ndërsa ndeshja me Maltën ishte vetëm një miqësore, prandaj e pyeta nëse mund të mbetem jashtë skuadrës. Ai ishte i lumtur për kërkesën time dhe për këtë i jam shumë mirënjohës”, ka theksuar Kuqi.
Me këtë rast, trajneri i Swanseas, Paulo Sousa, e ka falënderuar Kuqin për vendimin që e ka marrë. Sousa ndihet mirë tani kur e di se sulmuesi vushtrrias do të jetë në dispozicionin e tij për takimin e radhës të Swanseas.
“I jam mirënjohës Shefkiut që do të qëndrojë me ne, sepse mund të përparojmë me të. Ky është një vendim i rëndësishëm për ne, përkatësisht për sfidat që na presin në muajin mars. I jam mirënjohës edhe Finlandës që na ka mirëkuptuar”, ka deklaruar Sousa.
Prej kur u transferua në Swansea në muajin e kaluar nga TUS Koblenz, Kuqi i ka realizuar dy gola me ekipin e tij të ri, me ç’rast Swansea i ka fituar gjashtë pikë.
Aktualisht Swansea zë vendin e katërt në Championship me 53 pikë të tubuara dhe ky ekip objektiv kryesor e ka inkuadrimin në Premierligë.