Gazetat britanike kundërshtojnë padrejtësinë e gjyqtarit, që i mohoi një 11-metërsh Kalusë
Karlo Ançeloti ndoshta nuk e ka më zakon të flasë për vendimet e arbitrave, siç pohoi vetë pas ndeshjes së luajtur në “San Siro” mes Interit dhe Çelsit, por duke u nisur nga reagimet e shtypit anglez dhe të frazave të Ançelotit të cituara nga gazetat angleze, është e qartë se anglezëve u djeg shumë që arbitri spanjoll Mejuto Gonzalez nuk dha penallti për faullin e Samuelit ndaj Kalusë.
Vrasje blu - Gazeta “The Sun” është e drejtpërdrejtë dhe shkruan për “vrasje blu”, duke iu referuar mosdhënies së penalltisë për Çelsin në rastin e pengimit në zonë të Kalusë, ndërsa në artikull jepet edhe mendimi i Ançelotit, që sipas tyre ka thënë se ishte “penallti e pastër”. Duke qenë se fotot shprehin shumë, gazetat angleze i shoqërojnë artikujt me foto të bukura dhe nuk harrojnë t’i japin meritën edhe Hoze Mourinjos, i cili “shijon një fitore speciale” kundër ish-skuadrës së tij.
Hoze, i veçantë - Sipas “Daily Mail”, Mourinjo meriton një Oscar për mimikën e fytyrës së tij dhe fotot e botuara krijojnë një galeri interesante, duke qenë se ai ka treguar edhe një herë atë “magji” që e dallon nga të tjerët, siç komenton Stiven Hauard, editorialist në gazetën “Sun”. Sipas tij, Hoze është përherë “kaq i veçantë”. Për sa u përket titujve të bukur, mund të veçohet ai i “Daily Mail” (”Special 2 1″), ndërsa gazetës “Daily Telegraph” i takon merita për foton më origjinale, atë të Didië Drogbasë që ha thonjtë pas traversës së goditur prej tij nga goditja e lirë (me diçiturën “gjuajtje, që të bën të hash edhe thonjtë”).
Shpresat - Por duke lënë mënjanë ankesat e londinezëve, është e qartë se goli i barazimit momental në “San Siro” u jep anglezëve një lloj ngrohtësie dhe force për ndeshjen e kthimit, edhe pse “Guardian” shkruan se “Çelsi u plagos, por merr frymë ende”, duke iu referuar golit në transfertë. “Daily Sport” shkruan se “rezultati nuk është aq i keq”, ndërsa “Daily Star” lavdëron “performancën e guximshme të bluve” dhe “golin vendimtar në trasfertë të Kalusë”, që bëhet “jetik” për “Daily Express”. Pra, anglezët mund të kishin bërë gjumë të qetë nëse nuk do të kishte qenë dëmtimi i Piter Çehut, i cili sipas disa gazetave angleze ishte i pasigurt në disa momente.
Frika - Nëse Çeh nuk e merr veten shpejt, pas dëmtimit në pulpë, kjo mund t’i komplikojë shumë gjërat për Ançelotin jo vetëm për ndeshjen e kthimit në Ligën e Kampionëve kundër Interit (ndërkohë që Mourinjo ka thënë, sipas “The Independent”, se do ta eliminojë Çelsin, aq më shumë nëse nuk luan Çeh), por edhe në kampionat. Por për këtë tjetrën Ançeloti ka më shumë kohë për t’u menduar.