Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në mbledhjen e vet të mbajtur të enjten e ka emëruar edhe nënkryetarin e tretë të kësaj federate. Ai është serbi Predrag Joviç, i cili vjen nga radhët e minoriteteve që jetojnë në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur të enjten nëpërmjet një komunikate të lëshuar për media nga FFK-ja, por edhe nga vetë Predrag Joviç, i cili rrëfeu se si ka ardhur deri tek emërimi i tij në këtë post.
“Unë jam mik me kryetarin Fadil Vokrri dhe me sekretarin Eroll Salihu. Unë jam konsultuar me të dy këta rreth angazhimit tim në postin e nënkryetarit. Meqenëse ajo pozitë ishte e zbrazët, atëherë unë pranova të bëhem nënkryetar. Pastaj Vokrri më propozoi edhe në Komitetin Ekzekutiv, organ ky që e aprovoi propozimin e Vokrrit, dhe tashmë unë jam nënkryetar”, deklaroi Joviç i cili pohon të ketë jetuar kaherë në Obiliq.
Edhe pse Serbia pretendon se Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj në mënyrë jo legjitime, Joviç nuk beson se do të ballafaqohet me presionin e mundshëm nga Serbia për të mos qëndruar në postin e nënkryetarit të FFK-së.
“Nuk e di pse duhet të kem presion. Një gjë duhet kuptuar se futbolli duhet të ndahet nga politika”, theksoi Joviç, i cili kujtoi se në kohën e ish Jugosllavisë ka qenë sekretar i klubit Mladi Radnik, anëtar i ish Lidhjes Rajonale të Prishtinës.
Joviç pohoi se si nënkryetar i FFK-së do ta shfrytëzojë autoritetin e tij për t’i stimuluar ekipet serbe të Kosovës për të hyrë nën ombrellën e shtëpisë së futbollit kosovar.
“Unë besoj se brenda pak ditëve, klubi i Shtërpcës do të regjistrohet në FFK dhe ky klub do të garojë në garat e organizuara nga FFK-ja”, shtoi ai.
I pyetur se a do të angazhohet personalisht rreth anëtarësimit të futbollit kosovar në FIFA e UEFA, Joviç është përgjigjur: “Duhet të punohet prej rregullimit të stadiumeve, organizimit të garave, të punohet me të gjitha grupmoshat, etj. Unë shpresoj se me angazhim të përbashkët do të shkojmë ka integrimi. Vetë fjala integrim e nënkupton këtë. Pra, politika duhet të ndahet nga sporti dhe gjithçka duhet të lëvizë rreth topit”, tha ai.
Përveç FFK-së edhe federata e tjera sportive në vend kanë angazhuar njerëz nga radhët e minoriteteve. Federata e Basketbollit e Kosovës në postin e nënkryetarit e ka emëruar serbin Miomir Dashiç. Kurse Federata e Hendbollit e Kosovës anëtare të bordit e ka emëruar Mirjana Cvetkoviç. Por, edhe disa federata tjera në bordet e tyre kanë angazhuar individë që vijnë nga minoritetet që jetojnë në Kosovë.