Inter dhe Chelsea do të përballen për herë të parë në mes vete në një kompeticion evropian. Ato ishin takuar vitin e kaluar në një miqësore parasezonale në SHBA, ku fituan anglezët 2:0 më golat e Didier Drogbas e Frank Lampardit, nga penalltia.
Kjo sfidë do të jetë e veçantë për trajnerin e Interit, Jose Mourinho. Trajneri portugez do të luajë kundër ish-ekipit të tij, me të cilin kishte arritur deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Tash, me Nerazzurrët, ai pretendon ta fitojë këtë trofe, i cili i mungon klubit italian që 45 vjet.
“Sot, Chelsea është rrjedhojë e asaj që e kisha ndërtuar unë. Ata nuk e kanë harruar atë që kisha bërë për këtë klub dhe si e bëra historinë. Nuk jam i frikësuar, nuk jam nervoz. e as i ekzaltuar”, ka thënë Mourinho.
Ai ka treguar se e sheh takimin me Chelsean si çdo lojë tjetër të Ligës së Kampionëve. “Është ndeshje e madhe për Interin dhe për Chelsean. Për më tepër, është ndeshje e madhe për Evropën, sepse, në këtë fazë, nuk shoh edhe një tjetër takim të këtij dimensioni. Nëse fitojmë, nuk festoj, për nder të tifozëve”, theksoi Mourinho.
Në anën tjetër, trajneri Carlo Ancelotti ka bilanc pozitiv në përballjet me Interin. Në kohën sa e udhëhiqte Milanin, ai fitoi 10 nga 18 ndeshjet me Interin, duke i humbur 5. Dy nga tri barazimet kishin ndodhur në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Ancelotti e kishte mposhtur Mourinhon në vitin 2003, kur Milan fitoi ndaj Portos 1:0, në Superkupën e Evropës. Sipas Ancelottit, falë trajnerit Jose Mourinho, e gjithë Italia do të bëjë tifo për Chelsean.
“Tashmë, e gjithë Italia do të jetë me ne, hiq këtu tifozët e Interit. Kur Mourinho vepron kështu, këtë e bën për t’i motivuar futbollistët e tij, ne e njohim atë. Por, unë nuk do ta ndjek kurrë rrugën e Mourinhos. Ky Inter është më i fortë sesa ai i viteve të kaluara, por nuk do t’ia lejojmë kundërsulmet. Ne jemi të gatshëm dhe Drogba është në formë të mirë”, theksoi trajneri italian.
Në ndeshjen tjetër, CSKA Moscow do të jetë mikpritës i Sevillas në Rusi. Me katër gola të shënuara këtë sezon në Ligën e Kampionëve, mesfushori Milos Krasic e ka prirë klubin rus drejt sukseseve.
“Jam i nderuar që luaj në një nivel të lartë si ky dhe po mundohem ta jap maksimumin dhe të stërvit, që të përmirësohem. Ne po shkojmë hap pas hapi. Të gjitha mendimet tona janë të fokusuara në ndeshjen tonë të ardhshme, nuk duhet të mendojmë për diçka tjetër. Ne të gjithë jemi të fokusuar te Sevilla dhe më pas të shohim se çka do të ndodhë”, deklaroi Krasic për ueb faqen zyrtare të UEFA-s.
Në anën tjetër, për shkak të lëndimeve, Sevilla do të jetë e hendikepuar pa tre futbollistë: sulmuesin e rrezikshëm Luis Fabiano, Diego Capel, që nuk kanë udhëtuar fare në Rusi, si dhe Abdoulay Konko.
Liga e Kampionëve
E mërkurë Ora
CSKA Moscow – Sevilla 18:30
Inter – Chelsea 20:45