
Në kontrast me fillimin e sezonit, kur disa komentatorë flisnin ashpër për lojën e Bajernit dhe të Van Bomelit, holandezi tashmë nuk preokupohet më për gazetarët dhe rifitimin e zemrave të tifozëve, por si të arrijnë të fitojnë pas nëntë vitesh Ligën e Kampionëve. “Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë më tej. Garancitë janë vetëm për lavatriçet”, ka thënë Van Bomel.
“Ne jemi ndër skuadrat e nënvlerësuara në këtë kompeticion, por jemi të rrezikshëm. Eshtë një situatë e ngjashme me atë të Barcelonës, ku unë fitova Ligën e Kampionëve në vitin 2006. Te Bajerni gjërat po ecin shumë mirë. Ne mund të arrijmë diçka speciale këtë vit.” Përvoja e Van Bomelit ka rezultuar një aset i vlefshëm për Bajernin këtë sezon, pasi mesfusha e bavarezëve u jep më shumë forcë lojtarëve si Arjen Roben dhe Frenk Riberi që të kenë ritëm sa më të lartë në lojë.
Fakt është që në 12 ndeshjet e fituara radhazi, Bajerni ka shënuar 39 gola dhe ka pësuar vetëm 11. Holandezi Van Bomel ka luajtur rol edhe në ndeshjet e sezonit të shkuar në fazën e grupeve, ku Bajerni e mundi Fiorentinën 3-0 në Mynih dhe barazoi 1-1 në Itali. Por ai nuk i merr në konsideratë ato rezultate tani dhe shprehet: “Ndeshjet e vjetshme kundër Fiorentinës nuk kanë asnjë rëndësi tashmë. Kur luan ndeshjen e parë në fushën tënde nuk është avantazh.
Nuk do të jetë e lehtë. Mendoj se Fiorentina është më e mirë se vitin që shkoi. Ne duhet të përmirësojmë mbrojtjen tonë, por kjo nuk është vetëm detyrë e mbrojtësve, por e të gjithë skuadrës. Sigurisht që mund të ndodhin gabime, por për momentin jemi skuadër solide.”