17 shkurt 2010

Frei: S’ka nevojë për motivim “ekstra”

Portieri i Fiorentinës, Sebastien Frei, u ka bërë thirrje 6,000 tifozëve italianë, që po e ndjekin këtë skuadër në Gjermani për ndeshjen e parë kundër Bajernit në Ligën e Kampionëve, që të jenë sa më të zhurmshëm. Portieri francez beson se për Fiorentinën është një arritje e madhe që ka shkuar kaq larg në kompeticionin më të fortë të klubeve në Evropë. “Fakti që kemi arritur kaq larg në Ligën e Kampionëve është një bonus i madh”, ka thënë portieri Frei për “Corriere Dello Sport”.
“Ndeshja kundër Bajernit do të jetë një përvojë unike dhe nuk na nevojitet motivim tjetër. Ne duhet të kemi kujdes të mos pësojmë gola, sepse do ta kemi të vështirë në fushën tonë. Ne do të mundohemi të zbulojmë shpirtin luftarak që patëm para disa muajsh. Ne do të mundohemi të luajmë siç luajtëm kundër Liverpulit dhe Romës. Unë u kërkoj tifozëve që do ta ndjekin skuadrën në Mynih, që të jenë një armë shtesë në arsenalin tonë. Kjo do të na ndihmonte shumë”, ka thënë Frei..