Kosova e Vushtrrisë vazhdon ta kërkojë trajnerin i cili do ta udhëheq këtë ekip në vazhdim të sezonit. Përpos Besnik Kollarit, bardh e kaltrit kanë në opsion edhe dy trajnerë: Gani Sejdiun dhe Agron Selmanin.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i klubit vushtrrias Basri Asllani, sipas të cilit, shumë shpejt do të emërohet trajneri i ri.
“Ende nuk ka asgjë konkrete. Përpos Besnikut, ne kemi në opsion edhe dy trajnerë: Gani Sejdiun dhe Agron Selmanin. Me të tre jemi në bisedime dhe trajneri i ri sigurisht do të emërohet në fund të këtij muaji, në mënyrë që me 1 mars ta fillojë punën me ekipin”, deklaroi Asllani.
Derisa Kollari dhe Sejdiu duken “pista” më pak të mundshme, Agron Selmani duket se ka mundësi më të mëdha për ta marrë timonin e vushtrriasve, edhe pse e di mirë gjendjen në të cilën janë bardh e kaltrit.
“Kisha një bisedë, nuk mund të them serioze, por sipërfaqësore, me drejtuesit e Kosovës. Nuk është krejt zi tek Kosova, siç duket. Aty ka edhe gjëra pozitive, e më pozitivja është se mendojnë të angazhohen gjithmonë, përkundër problemeve, dhe nuk dorëzohen deri në momentin e fundit. Të shohim, nuk them se nuk do të ketë marrëveshje. Ndoshta mund ta gjejmë gjuhën e përbashkët”, ka thënë ish trajneri i Ulpianës dhe Gjilanit.
Ndërsa, mundësia Gani Sejdiu duket të jetë më e vogël. Trajneri mitrovicas e pranon se ka biseduar me udhëheqësit e Kosovës (V), por nuk është i bindur që ta drejtojë këtë klub në pranverë.
“Kishim kontakt dhe i shqyrtuam disa gjëra. Ata mi treguan objektivat që kanë. Ata nuk e kanë me çdo kusht mbetjen në Superligë, sepse dëshirojnë ta krijojnë një ekip me futbollistë të rinj dhe kanë plane afatgjata. Por, kushtet me të cilat përballen vushtrriasit mund të jenë problemi kryesor që unë mos ta pranoj ofertën e tyre”, tha ish trajneri i Trepçës dhe vetë Kosovës (V).