Komisioni i Garave i Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, në mbledhjen e vet të mbajtur të martën, ka vendosur që ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll të zhvillohen të mërkurën.
Këtë vendim, Komisioni i Garave e ka marrë duke u bazuar edhe në kërkesën e vetë klubeve pjesëmarrëse të kësaj gare, që ndeshjet të zhvillohen në këtë mesjavë, ndonëse shumica e fushave të futbollit në Kosovë aktualisht janë të papërshtatshme për lojë, pas kushteve të këqija atmosferike.
Andaj, të mërkurën prej orës 14:00 do të zhvillohen katër ndeshjet çerekfinale të Kupës shtetërore, derisa takimi më interesant pritet të zhvillohet në Merdar, ku nënkampioni vjeshtor, Hysi do të ballafaqohet me Lirinë e Prizrenit. Kampioni i vjeshtës, Trepça në Mitrovicë do ta presë Gjilanin, derisa Vëllaznimi do ta presë Drenicën.
Ndërkaq, skuadra e vetme nga Liga e parë, Ballkani, do ta ketë mjaft vështirë përballë Besës. Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen të dielën, prej orës 14:00.
Kupa e Kosovës – Çerekfinalet
E mërkurë
Hysi – Liria
Trepça – Gjilani
Vëllaznimi – Drenica
Besa – Ballkani
Ndeshjet fillojnë në orën 14:00