16 shkurt 2010

Testi i pavarësisë

Albert Bunjaku ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen miqësore kundër Kombëtares B të Shqipërisë. Për selektorin e përfaqësueses së Kosovës, përballja në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës është mundësi e mirë për të parë nga afër formën e lojtarëve të tij. Ai paralajmëron se lista do të pësojë ndryshime në ndeshjet e radhës.

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaku, më në fund e ka publikuar listën e futbollistëve që do të luajnë në ndeshjen për nder të ditës së pavarësisë së Kosovës përballë Kombëtares B të Shqipërisë.

Ashtu siç pritej, nga 22 futbollistët e ftuar (prej tyre dy rezervë), pjesa dërrmuese janë nga kampionati kosovar. Në mesin e tyre janë edhe katër futbollistë që aktivizohen në skuadrat evropiane. Bëhet fjalë për Shpëtim Hasanin (IFK Norkoping), Arsim Gashin (IFK Mariehamn) e Anel Raskajn (Halmstad BK) e Gjergj Bushaj (FK Istra).

Bunjaku e konsideron këtë ndeshje mjaft të rëndësishme për faktin se ka mundësi t’i shohë më nga afër futbollistët që ka ftuar (disa prej tyre nuk i ka parë ende duke luajtur). Ai tregoi se listën e ka përpiluar në koordinim me bashkëpunëtorët e tij, Genc Hoxha dhe Muharrem Sahiti.

Përfaqësuesja e Kosovës do të mblidhet të martën në orën 14:00 për ta zhvilluar një stërvitje para ndeshjes së të mërkurës, që nis po ashtu në orën 14:00 në stadiumin e qytetit në Prishtinë.

“Festat duhet t’i shfrytëzojmë si është më së miri. Kushtet, organizimi dhe ambienti janë në nivel të duhur. Në pamundësi që të vijnë futbollistët që luajnë në Evropë, pasi kanë obligime ndaj skuadrave të tyre, ne kemi ftuar kryesisht futbollistë nga Kosova, por ka edhe nga Shqipëria, Kroacia, Finlanda e Suedia. Kjo lojë ma jep mundësinë që t’i shikoj futbollistët se ku janë”, u shpreh Bunjaku të martën në një konferencë për shtyp.

Ai e pranoi se ky test nuk është krejt real, pasi që është kohë e shkurtër, vetëm një ditë ndërmjet grumbullimit dhe zhvillimit të ndeshjes. Bunjaku shtoi se kjo është vetëm lista e parë, duke premtuar se në të ardhmen do të ftohen edhe futbollistë të tjerë në përfaqësuese.

Ai është i vetëdijshëm se futbollistët nga Shqipëria janë më të përgatitur fizikisht pasi që atje ka nisur tashmë sezoni pranveror, kështu që bëri me dije se do të bëjë shumë ndërrime në formacion, në momentin kur e konsideron se duhet bërë ato zëvendësime në mënyrë që t’ia japë rastin secilit futbollist.

2010-shin Bunjaku e konsideron vit të testimit, kurse 2011-shin si vit i kontinuitetit, kur edhe synon ta ketë të qartë se kush do të luajë për Kosovën.

Këtë ndeshje, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e organizon në koordinim me Albanian Group. Kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, nënvizoi se kjo ndeshje ka po ashtu karakter humanitar, pasi që të ardhurat nga kjo ndeshje do t’u dedikohen familjeve të prekura nga përmbytjet e fundit në Shqipëri.

Ndërkaq, drejtori i Albanian Group për Kosovë, Visar Miftari, tregoi se çdo gjë është gati për zhvillimin e kësaj ndeshjeje. Ai bëri thirrje nga futbolldashësit që të mos e lëshojnë këtë mundësi dhe të shkojnë në numër të madh në stadium për ta përcjellë ndeshjen, ndërkohë informoi se biletat do të shiten në 7 qendra të Kosovës.

Kontingjenti nga Shqipëria do të prihet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) me bashkëpunëtorë, ndërsa pritet të arrijnë edhe personalitete të politikës shqiptare.

Emërorja e përfaqësueses së Kosovës

Valmir Bytyqi (Besa),
Kushtrim Mushica,
Robert Gjeraj (Vëllaznimi),
Faton Zejnullahu,
Behar Maliqi (Prishtina),
Fisnik Papuqi,
Enis Zabërxha,
Yll Hoxha (Hysi),
Roland Duraku (Liria),
Florent Sejdiu (Trepça),
Dukagjin Gashi (Drenica),
Vyrtyt Hashani (KEK-u),
Shpëtim Hasani (IFK Norkoping),
Arsim Gashi (IFK Mariehamn),
Anel Raskaj (Halmstad BK),
Gjergj Bushaj (FK Istra Kroaci),
Ilir Nallbani,
Liridon Leci (Vllaznia Shkodër),
Driton Krasniqi (Shkumbini Peqin),
Liridon Kukaj (Gramozi).
Rezervë: Dritëro Dabiqaj (2 Korriku) e Lindrit Misini (Trepça ’89).