16 shkurt 2010

Gati për Bayernin

Albert Bunjaku ka kujtime të mira me Bayern Munchen. Sulmuesi kosovar, në kohën kur luante tek Rot-Weiss Erfurt, kishte realizuar dy gola kundër gjigantit bavarez në humbjen 3:4 në Kupën e Gjermanisë.
Nga ajo kohë, 25 vjeçari ishte bërë objektiv i disa skuadrave gjermane, por më i shkathëti ishte treguar Nurnberg, që e kishte transferuar në janar të vitit 2009.
“Ajo ka qenë ndeshja më e mirë dhe më e rëndësishme e jetës sime”, ka thënë gjilanasi për ueb faqen zyrtare të Nurnberg.
Dhe tash, një vit e gjysmë më vonë, përfaqësuesi zviceran do të ketë punë sërish me Bayernin. Në fakt, Nurnberg do të jetë mikpritës i Riberys dhe shokëve të tij këtë fundjavë.
Sigurisht, për Bunjakun kjo ndeshje e ka rëndësinë e veçantë. Kosovari beson se ekipi i tij mund të arrijë rezultat pozitiv, edhe pse dihet fuqia aktuale e bavarezëve.
“A kemi ndonjë mundësi kundër Bayern? Edhe pse Bayern është në një formë të shkëlqyeshme, ne, nëse punojmë fort dhe luajmë mirë, mund të nxjerrim diçka”, theksoi ai.
“Është koha që unë tash ta dhuroj ndonjë top për gol për bashkëlojtarët”, buzëqesh Bunjaku i cili deri tash ka realizuar 11 gola për Nurnberg, më shumë se 60 për qind e të gjithë ekipit. Bunjaku ka rrëfyer se kur ishte i vogël, si 8-9 vjeç, kishte nisur të luante për qejf futboll bashkë me vëllezërit e tij.