17 shkurt 2010

Bajerni po ngjitet, Fiorentina po bie..!

Bavarezët kanë fituar 12 ndeshjet e fundit, ndërsa “vjollcët” janë në vendin e 11-të të Serisë A
Bajerni i Mynihut dhe Fiorentina, dy skuadra që po ecin në drejtime të kundërta në kampionatet e vendeve të tyre, përplasen sonte në Ligën e Kampionëve në një moment kur favoritë për t’u kualifikuar në 1/8-at janë bavarezët. Bajerni, që e nisi dobët sezonin dhe u rendit në vend të dytë në grup në Ligën e Kampionëve, gjashtë pikë pas Bordosë, ka fituar 12 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet nën drejtimin e trajnerit holandez Luis van Gal.
Fiorentina, e cila u kualifikua në grup duke eliminuar Liverpulin, e ka humbur ritmin e mirë dhe që prej fillimit të vitit 2010 ka marrë vetëm një pikë në pesë ndeshjet e fundit në Serinë A. Ata u mundën 2-0 nga Sampdoria të shtunën, çka bëri që gazetat italiane të flasin për krizë të kësaj skuadre. Fiorentina ka rënë në vend të 11-të në renditje dhe është në momentet më të vështira të drejtimit të trajnerit Çezare Prandeli.
Disa tifozë madje kanë kërkuar edhe dorëheqjen e tij, ndërkohë që ka spekullime se ai kërkohet nga Juventusi dhe nga përfaqësuesja italiane pas Kupës së Botës. Fiorentina duket se është dëmtuar shumë nga skualifikimi i sulmuesit rumun Adrian Mutu, i cili është pezulluar pasi Komiteti Olimpik Italian ka thënë se ai kishte dalë pozitiv për substancën sibutramine pas fitores 2 1 kundër Barit më 10 janar, fitorja e fundit e kësaj skuadre.Optimistë Fiorentina ka pësuar një tjetër goditje të madhe të shtunën kur qendërmbrojtësi Alesandro Gamberini u dëmtua në shpatull dhe nuk mund të luajë në ndeshjen e sotme në “Allianz Arena”, kurse sulmuesi argjentinas Mario Santana u zëvendësua i dëmtuar gjithashtu.
Megjithatë, lojtarët e Fiorentinës janë optimistë. “Ne jemi të bindur se ndeshja kundër Bajernit ka ardhur në momentin e duhur dhe kjo është ndeshja më e rëndësishme për Prandelin”, ka thënë mesfushori Rikardo Montolivo. Bajerni nuk është duke e marrë lehtë këtë ndeshje dhe me gjithë ecurinë e mirë të kësaj skuadre, trajneri i saj, Luis van Gal, nuk kënaqet lehtë.
Pasi e kritikoi haptazi skuadrën e tij pas fitores 3-1 kundër VfL Volfsburgut dhe fitores 6 2 në Kupën e Gjermanisë kundër SpVgg Fuerth, ai u ankua sërish për lojën e lojtarëve të tij pas fitores 3-1 kundër Borusias së Dortmundit, edhe pse Bajerni është në vend të dytë me pikë të barabarta me Leverkusenin kryesues.
“Ne bëmë disa gabime individuale në mbrojtje, që nuk duhet të ndodhin kundër Fiorentinës. Ne kemi nevojë për organizim shumë më të mirë”, ka thënë Van Gal. Kapiteni Mark van Bomel ka të njëjtin mendim. “Në ndeshjet tona të fundit, sidomos kundër Volfsburgut, kundër Fuerth dhe më pas kundër Dortmundit, i lamë kundërshtarët tanë të krijonin disa raste.
Nuk u ndëshkuam sepse më pas shënuam dhe fituam. Por në Champions nuk e ke luksin të bësh gabime të tilla dhe nëse pëson gol në fushën tënde, gjërat vështirësohen shumë. E tërë skuadra duhet të luajë fort e të bëjë detyrat e veta. Nëse ne harrojmë detyrat tona në mbrojtje dhe në organizim, atëherë do të jetë e vështirë. Dortmundi krijoi një numër të madh rastesh dhe kjo nuk më përleu”, ka thënë Bomel.