17 shkurt 2010

Arsenali ndaj Portos, me optimizëm dhe mungesa!

Arshavin, Almunia, Eduardo dhe Galas janë disa nga mungesat e “topçinjve” për ndeshjen e parë

Besimi i Arsenalit në forcat e veta është shtuar pasi ka mundur Liverpulin, por anglezët do të duhet të ruajnë formën e tyre të mirë edhe kur të ndeshen sot me Porton në 1/16 e Champions Ligës. Fitoret e njëpasnjëshme të londinezëve janë ndërprerë nga humbjet e pësuara në javët e kaluara kundër Çelsit dhe Mançester Junajtid, por kanë arritur të fitojnë 1-0 kundër Liverpulit fundjavën e kaluar, një rezultat ky që i mban në garë për titullin në Premier Ligë.

“Do të kishte qenë shumë e vështirë për ne nëse do të kishim humbur edhe kundër Liverpulit. Tani me rastin e transfertës që na pret në Porto kemi më shumë besim”, ka thënë trajneri Arsen Venger. Shorti për fazën e dytë të Championsit mund të kishte qenë më i vështirë për Arsenalin, duke i vënë këta të fundit përballë Bajernit të Mynihut ose një prej dy skuadrave të Milanos, por Venger ka thënë se sfida me Porton nuk do të jetë e lehtë.

“Porto është një skuadër e fortë. Ata nuk duken si një ekip prestigjioz, por çdo vit janë në Champions dhe mund të befasojnë. Kohët e fundit kanë luajtur shumë mirë”. Në sezonin e kaluar portugezët kanë humbur 4-0 në “Emirates”, por kanë kryesuar grupin dhe ia kanë vështirësuar punën Junajtid në çerekfinale. Humbjet e këtij viti kundër Çelsit kanë qenë me rezultate të ngushta dhe takimet mund të ishin mbyllur në barazim. “Arsenali është skuadra angleze që mund të na hapë më shumë probleme. Kur ata janë në formë, janë të papërmbajtshëm”, ka thënë trajneri i Portos, Zhezualdo Ferreira.

“Megjithatë, ata kanë treguar se mund të pësojnë edhe një rënie herë pas here. Nëse ne bëjmë një paraqitje të mirë mund t’i vëmë në vështirësi”. Porto ndodhet në vendin e tretë në kampionatin portugez, pas një fillimi jo shumë të mirë të sezonit, dhe e ka patur të vështirë të zëvendësojë mesfushorin Luço Gonzalez, i cili është shitur tek Marseja.

Barazimi 0-0 i marrë këtë fundjavë në kampionat kundër skuadrës së Leiksores ka ardhur pas disa fitoresh bindëse të njëpasnjëshme. Shumica e tyre kanë ardhur për meritë të Ruben Mikael, një mesfushor krijues, i cili ka ringjallur skuadrën pas kalimit të tij tek bardheblutë në muajin janar nga Nacionali. Me argjentinasin e talentuar Beluski dhe Fernandon në krah të Mikael, Porto ka një mesfushë teknike dhe të fortë. Në sulm, ata kanë zëvendësuar Lisandro Lopezin me një tjetër golashënues të sukseshëm, kolumbianin Radamel Falkao, ndërsa Silvestre Varela është i rrezikshëm në krahë.

Sulmuesi brazilian Hulk, i pezulluar që nga muaji dhjetor, është grumbulluar me skuadrën dhe mund ta fillojë takimin nga stoli. Ndërkohë, situata e Arsenalit me dëmtimet është më e keqe nga sa parashikohej pasi klubi ka bërë të ditur ditën e djeshme se Gallas, Eduardo dhe Manuel Almunia do të mungojnë në ndeshjen e sotme të Champions Ligës.

Trajneri Arsen Venger e dinte se nuk do të kishte në dispozicion sulmuesit Arshavin dhe Aleks Song, për takimin e parë kundër portugezëve, por mungesat e Gallas, Eduardo dhe portierit Almunia ia kanë vështirësuar më shumë punën. E vetmja notë pozitive për “Topçinjtë” ka të bëjë me rikthimin e Karlos Velës nga dëmtimi.

Porto - Arsenal, (20:45)

Formacionet e mundshme
Porto: Helton, Fuile, Rolando, B.Alvesh, Pereira, Beluski, Fernando, Mikael, Varela, Falkao, M.Gonzalez. Tr: Ferreira
Arsenal: Fabianski, Klishi, Vermalen, Silverstre, Sanja, Fabregas, Diabi, Nasri, Roziki, Uolkot, Bendtner. Tr: Venger