17 shkurt 2010

Venger: Të luajmë me zgjuarsi!

Arsen Venger ka bërë të ditur se lojtarët e Arsenalit duhet të tregohen të “zgjuar” dhe të shfrytëzojnë në maksimum gjithë eksperiencën që kanë fituar duke luajtur në Champions për të marrë një rezultat pozitiv në takimin e sotëm kundër Portos.
“Topçinjtë”, të cilët do të kenë shumë mungesa në përballjen me portugezët, janë rikthyer në luftën për titull në kampionatin anglez pas fitores së arritur kundër Liverpulit, me Çelsin dhe Arsenalin që kanë humbur pikë në takimet e respektive. Megjithatë, Venger e di mirë se përballja e dyfishtë në Champions ndryshon nga ndeshjet e kampionatit, pasi në Europë nuk ka vend për gabime.
Arsenali ka qenë finalist në vitin 2006, dhe vitin e kaluar ka shkuar deri në gjysëmfinale, ku është ndalur nga Junajtid. Venger beson se skuadra e tij, që ka dominuar në fazën me grupe, mund të bëjë një paraqitje të mirë në stadiumin “Dragao”. “Objektivi minimal është të mos humbim takimin”, ka thënë trajneri francez. “Një barazim pa gola do të ishte pozitiv, por ne nuk jemi një ekip që mbyllemi në mbrojtje, sepse ne duam të luajmë. Megjithatë, nuk duam t’i krijojmë shumë hapsira kundërshtarit.
Në këtë fazë të Champions Ligës duhet të luash mirë për 180 minuta dhe nëse nuk e bën një gjë të tillë, atëherë je i eliminuar. Do të kemi dy ndeshje, kështu që duhet të tregohemi të zgjuar dhe të përdorim eksperiencën e fituar në Champions për të shfrytëzuar maksimalisht avantazhin që kemi për faktin se takimin e dytë do ta luajmë në fushën tonë”.
Anglezët vitet e fundit janë paraqitur gjithnjë mirë në kompeticionin europian më të rëndësishëm për klube dhe kjo mund të shkojë në disavantazh të Portos. Megjithatë, ata nuk kanë fituar asnjëherë në “Dragao”, duke humbur 2-0 në sezonin e kaluar kur kualifikimin e kishin siguruar, por që i ka kushtuar vendin e parë në grup. Në dhjetor të 2006-ës, ndeshja është mbyllur në barazim pa gola, ndërsa dy skuadrat e kishin siguruar kualifikimin.
“Nga jashtë disa herë shikohesh si favorit, por kjo nuk ka asnjë rëndësi”, ka thënë Venger. “Porto merr pjesë rregullisht në Champions dhe jam i sigurt që nuk do të jetë një takim i lehtë”. Ndërkohë, Arshavin do të mungojë në sfidën e parë për shkak të një dëmtimi të pësuar në ndeshjen e kampionatit kundër Liverpulit. Gjithsesi, ai pritet të jetë gati për përballjen me Sanderlendin në Premier Ligë. “Nëse gjithçka shkon mirë, unë do të rikthehem në takimin e ardhshëm në kampionat kundër Sanderlendit”, ka thënë sulmuesi rus.