03 maj 2010

Juve e Benitez, me Torres e Maskerano

Me emërimin e Andrea Anjelit në krye të klubit bardhezi, pritet rindërtimi i skuadrës për të harruar sezonin zhgënjyes
Pas trajnerit spanjoll, nga Liverpuli mund të vijnë edhe sulmuesi e mesfushori

Tetëdhjetë milionë euro. Ky është “thesari” i Andrea Anjelit, tifoz i vjetër dhe president i ri i Juventusit. Djali i avokatit Anjeli është njeriu që do të gërshetojë historinë dhe të ardhmen e një skuadre të madhe dhe të një familjeje po kaq të njohur në Itali. Tetëdhjetë milionë euro për t’u investuar pa ndikuar në kapitalin financiar: nga skuadra do të shiten mjaft prej futbollistëve më të rëndësishëm, ndërsa rrogat nuk do të jenë të larta. Paratë do të shërbejnë për të rindërtuar Juventusin dhe për të hedhur pas krahëve një sezon të dështuar dhe për të hapur një cikël të suksesshëm. Për sa i takon çështjes së trajnerit, klubi ka vendosur: pankina do t’i besohet Rafa Benitezit. Marrëveshja me trajnerin është arritur, problemet ekonomike janë zgjidhur dhe lista e bashkëpunëtorëve që spanjolli kërkon të marrë me vete në Torino është zvogëluar. Akordi mes palëve nuk është bërë publik vetëm prej frikës së pengesave që mund të shkaktojë Liverpuli. Megjithatë, në skuadrën e re që po lind, duket qartë dora e teknikut të suksesshëm spanjoll: një konfirmim i kandidaturës serioze që Benitez përfaqëson.

I pari që mund të largohet është Xhanluixhi Bufon. Portieri do të sakrifikohej, nëse në zyrat e Juventusit mbërrin një ofertë e kënaqshme në aspektin financiar. Ankandi do të fillojë nga 20 milionë euro. Nëse dikush paraqitet me një valixhe me para, numri 1 i portës do të largohet. Klubi ka përgatitur edhe alternativat: Hugo Loris i Lionit ose Diego Lopez Rodriguez i Vijarealit. Nuk përjashtohet as pista “made in Italy”, ku kandidatë janë Federiko Marketi i Kaljarit dhe Salvatore Sirigu i Palermos. Në mbrojtje kërkohet një mbrojtës që do të luajë përkrah Kielin it (qëndrimi i Kanavaros duket i komplikuar) dhe dy mbrojtës krahësh. Për rolin në qendër, sytë janë hedhur nga Simon Kjaer i Palermos dhe Leonardo Bonuçi i Barit; ndërsa nga krahët synohen Rafinja i Shalkes dhe Huan Manuel Vargas i Fiorentinës. Pritet edhe rikthimi i Domeniko Krishitos nga Xhenoa. Mjaft ndryshime në mesfushë: largohen Poulsen, Kamoranezi dhe Mohamed Sisoko. Objektivi është afrimi i Havier Maskeranos, i cili do të luajë përkrah Felipe Melos dhe Markizios, ndërsa Diego do të pozicionohet pas sulmit. Në rolin e mesfushorëve të krahut kërkohen Ibrahim Afellai i PSV-së dhe Majkëll Bastos i Lionit. Një alternativë është edhe kosovari i Uest Hemit, Valon Behrami. Së fundmi, sulmi do të jetë reparti më i “tronditur”. Trezege do të largohet pas dhjetë sezoneve, Amauri mund të shitet nëse paraqitet një ofertë e mirë. Konfirmohet Iakuinta dhe Del Piero, me kapitenin që do të luajë “part time”. Ëndrra për repartin ofensiv mbetet Fernando Torres, por konkurrenca është e madhe, ndërsa alternativa është Edin Xheko. Juve interesohet edhe për Xhampaolo Pacinin dhe holandezin Dirk Kuijt