Silvano Martina, agjenti i portierit italian, ka siguruar se Xhixhi Bufon nuk do të largohet nga Juventusi, megjithë spekullimet e ndryshme.
“Mesa duket, Bufoni na qenka i vetmi lojtar që do të lërë klubin në merkaton e verës. Pavarësisht këtyre zërave, dua të kujtoj që ai ka një marrëveshje me klubin dhe në sezonin e ardhshëm do të mbajë veshur fanellën e Juventusit. Delneri mund të mbështetet te ai”, pohoi agjenti për faqen sportive italiane “Tuttomercatoweb.com”.
Ndërkohë, nesër në mëngjes pritet të bëhen emërimet e drejtuesve të rinj të klubit nga Torino. Andrea Anjeli do të marrë postin e presidentit, Bepe Marota atë të drejtorit të përgjithshëm. Kurse Alesio Seko dhe Roberto Betega me shumë mundësi do të largohen. Gjithashtu, miqësia e ish-it Pavel Nedved me presidentin e ri, mund ta shtyjë çekun të marrë pozicionin e përgjegjësit të sektorit të të rinjve.